Pyetja:

A mund të na tregoni rreth xhenetit ku banoi fillimisht Ademi (Paqja qoftë mbi të!) me bashkëshorten e tij (Havanë) dhe rreth pemës së ndaluar që ata të dy hëngrën?

***

Përgjigjja: 

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Rreth xhenetit ku banoi Ademi dhe pemës së ndaluar që ai hëngri, në literaturen islame thuhet sa vijon:

Së pari: Rreth xhenetit ku banoi Ademi me bashkëshorten e tij

Tekstet islame përmendin se Ademi (Paqja qoftë mbi të!) dhe bashkëshortja e tij kanë banuar fillimisht në xhenet (në një kopsht të bukur të begatë), por nuk citojnë prerazi karakteristikën e këtij xheneti, nëse është Xheneti i përjetësisë (parajsa që u është premtuar besimtarëve në amshim), apo një xhenet (kopsht i bukur i begatë) i veçantë për Ademin dhe bashkëshorten e tij, apo një xhenet (kopsht i bukur i begatë) prej atyre të tokës.

Dijetarët muslimanë janë shprehur me të tre mendimet e lartpërmendura dhe mendimi i shumicës së tyre është se ky xhenet është Xheneti i përjetësisë (parajsa) që u është premtuar besimtarëve në amshim. Ndërkaq, disa dijetarë të tjerë muslimanë nuk kanë komentuar fare lidhur me këtë xhenet, por janë shprehur se qëndrimi i duhur lidhur me këtë çështje për të cilën nuk shprehet prerazi as Kurani dhe as Tradita Profetike, është: (së pari) të mos flasim fare për të, duke iu dorëzuar realitetit se dijenia e saj gjendet tek Allahu i Gjithëdijshëm dhe (së dyti) të dimë se dijenia nëse ky xhenet ka qenë parajsa e përjetësisë ose një kopsht i bukur i begatë prej atyre të kësaj dynjaje, nuk bën ndonjë dobi?

Së dyti: Rreth pemës së ndaluar që hëngrën Ademi me bashkëshorten e tij

Pikërisht në këtë xhenet (siç u sqarua më sipër) ndodhi ngrënia e Ademit dhe bashkëshortes së tij prej pemës së ndaluar, ngjarje në lidhje me të cilën çfarë përmendet në tekstet islame është se atyre të dyve u qe lejuar të hanin në këtë xhenet nga çdo gjë, përveç ngrënies së kësaj peme.

Sa më sipër bazohet në thënien kuranore: “Ne thamë: ‘O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë.” (Bekare: 35)

Po kështu, nga ajo çfarë dihet (referuar në tekstet islame) në lidhje me këtë pemë, është se ndryshe nga pretendimi i Teuratit [1], kjo pemë nuk ishte pema e njohjes të së mirës dhe të keqes, mbështetur në faktin e ditur se Allahu i Lartësuar e begatoi Ademin me dituri të gjerë para se ta urdhëronte që të banonte në xhenet dhe t’ia ndalonte ngrënien nga pema.

Sa më sipër bazohet në thënien kuranore: “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një khalifeh (zëvendës/trashëgimtar që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini.” Allahu (për të qartësuar pozitën e lartë të Ademit) ia mësoi Ademit emrat (emërtimet dhe kuptimet) e çdo gjëje (çdo soji gjallese apo sendi), pastaj ua paraqiti (këto emërtime apo paraqitje prej mbarë krijesave) engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që (ju engjëjt) thoni (pra thënia e engjëjve se ata janë me të nderuar dhe më të mirë se kjo krijesë / Ademi dhe janë më të merituar se njeriu në trashëgiminë e tokës) është e vërtetë!” “Qofsh i lavdëruar! – thanë ata Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti. O Adem, – tha Ai ua trego atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha: “A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë tregoni haptazi dhe çfarë fshihni?!” (Bekare: 3033)

Madje krej e çuditshme (e pakuptimtë) tingëllon rrjedhoja teuratike se Ademi nuk e dinte dallimin mes bindjes dhe pabindjes (mëkatit) ndaj Zotit, referuar në citimin teuratik ku vjen se pema e ndaluar nga e cila hëngri Ademi është “pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes”, për t’i shtruar së këtejmi rrugën pyetjes retorike se, si qënka në rregull të kritikohet një person (për më tepër nga Zoti i Drejtë dhe i Gjithëdijshëm, siç qëndron çështja në këtë pretendim teuratik) për diçka që ky person nuk e ka ditur se është gjë e keqe?!

Allahu e di më së miri.

————————-

  1. Bëhet fjalë për thënien e Teuratit: “Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: “Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.”
    (Zanafilla 2: 16, 17)