Pyetja:

Nëse e vonojmë faljen e namazit në fund të kohës se tij dhe vdesim pa e falur, a kemi përgjegjësi për mosfaljen e namazit?

***

Përgjigjja:

Muslimani duhet të shpejtojë në kryerjen e veprave të mira. Allahu xh.sh., thotë:

“…ju shpejtoni kah punët e mbara, kudo që të jeni Allahu ka për t’ju tubuar të gjithëve, Allahu ka fuqi për çdo send.” (Bekare: 148)

Çdo namaz e ka të përkufizuar hyrjen dhe daljen e kohës së tij. Ebu Hurejra transmeton hadithin në të cilin Pejgamberi ﷺ tregon se Xhibrili i ka ardhur dy ditë radhazi për t’ia mësuar kohët e namazeve. Në ditën e parë ka falur pesë kohët e namazit në fillim të hyrjes së kohës, kurse në ditën e dytë i ka falur në fund të kohës së namazeve, duke i përkufizuar fillimin e kohës së çdo namazi dhe fundin e kohës së çdo namazi. [1]

Duke u bazuar në hadithin që transmeton namazin e Xhibrilit, themi se lejohet që ta falim namazin në kohën e fundit të tij, psh., nëse koha e drekës hyn në orën 11:40 dhe mbaron në orën 14:00, atëherë lejohet që ta falim namazin e drekës pak minuta para orës 14:00, por kurrsesi nuk lejohet të vonohet namazi pas kohës së tij pa ndonjë arsye. Prandaj nëse e vonojmë faljen e namazit deri në fund të kohës së tij, duke mos hyrë koha e namazit tjetër dhe vdesim, nuk kemi përgjegjësi për këtë namaz, ngase çdo namaz ka fillimin dhe fundin e kohës së tij.

Pa dyshim falja e namazit në fillim të kohës së tij është prej veprave më të lavdëruara. Ibën Mes’udi r.a. transmeton se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut ﷺ:

“Cila vepër është më e dashur tek Allahu? Ka thënë: “Namazi në kohën e vet.” Po pastaj? Ka thënë: “Mirësjellja ndaj prindërve.” Po pastaj? Ka thënë: “Lufta në rrugën e Allahut.” [2]

Falja e namazit në fillim të kohës së tij dëshmon përkushtimin e besimtarit për namazin e tij, kurse falja në fund të kohës së tij dëshmon për neglizhencën dhe mosdhënien e rëndësisë namazit, çka pa dyshim është e papëlqyer dhe e urryer ngase shpeshherë mund të jetë shkak për kalimin e kohës së namazit  për shkak të ndonjë angazhimi të papritur që mund të na dalë, kurse mosfalja e namazit në kohën e vet konsiderohet humbje e madhe për besimtarin.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

————————

[1] Nesaiu, nr. 502. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen”.

[2] Buhariu, nr. 527.