Pyetja:

Si duhet muslimani ta bëjë nijetin për të agjëruar ramazanin? Kur duhet ta bëjmë nijetin për agjërim?

***

Përgjigjja:

Disa dijetarë janë të mendimit se, në rastin e akteve të përsëritura të adhurimit, mjafton që nijeti të bëhet herën e parë, përveç nëse ndërpritet rendi i përsëritjes, pas çka duhet të bëhet nijeti rishtas. Bazuar në këtë, nëse personi në ditën e parë të ramazanit e bën nijetin për të agjëruar tërë muajin, kjo mjafton për të mbuluar tërë muajin, për sa kohë që ai s’ka arsyetim për të prishur agjërimin dhe kështu ta ndërpresë vazhdimësinë, siç është udhëtimi gjatë ramazanit. Në kësi rasti, kur ai do që ta vazhdojë agjërimin, ai duhet ta përtërijë nijetin për agjërim. Ky është mendimi më i saktë, sepse të gjithë muslimanët, nëse i pyet ata, secili prej tyre do të thotë se e bën nijetin për të agjëruar tërë muajin, nga fillimi deri në fund. Kështu, edhe nëse nijeti nuk bëhet fjalë për fjalë, kjo nënkuptohet, sepse parimi bazë është mosndërprerja. Prej këtu, themi se, nëse ndërpritet vazhdimësia për ndonjë arsye të pranueshme, personi nis të agjërojë prapë dhe nijeti duhet të përtëritet.

Shejh Ibn Uthejmin, “Sherh el-Mumti”, vëll. 6, fq. 369-370