Pyetja:

Si është dispozita e atij që trashëgon alkool?

Përgjigja:

“Ka pyetur Ebu Talha Muhamedin ﷺ për jetimët, të cilët kanë trashëguar alkool. U është dhënë përgjigjja: “Derdheni”. Ka thënë: – Po, a ta shndërroj në uthull? – I ka thënë: “Jo!”.

Në një transmetim tjetër të Ebu Talhas thuhet:

Ebu Talha i ka thënë Muhamedit ﷺ: O i Dërguari i Allahut, kam blerë alkool për jetimët deri sa kam qenë i izoluar. Muhamedi ﷺ i ka thënë: “Derdhe alkoolin dhe thyeji bidonët”.

Tarik ibn Said e ka pyetur të Dërguarin e Allahut ﷺ lidhur me prodhimin e alkoolit, ndërsa Muhamedi ﷺ ia ka ndaluar. Ai i kishte thënë: – Po e prodhoj për ilaç. Ndërsa i ishte përgjigjur: “Ai, alkooli, nuk është ilaç, përkundrazi është sëmundje”.

Komentimi i dr. Sejid el-Xhemilit

Ndër çështjet e mrekullueshme që e ka sjellë Islami është pastërtia e shoqërisë dhe individit, kështu që prej elementeve të para është ndalimi i alkoolit, sepse unë, as që mund ta imagjinoj që një besimtar musliman ta dehë mendjen e tij, të jetë i shtrirë nëpër rrugë, ose të jetë në pranga të policisë! Të palogjikshmit dhe mendjelehtët thonë se pirja e alkoolit i sjell të mira trupit, e bën aktiv, të mprehtë në të folur, sqarues të së vërtetës, e forcon zemrën, e trimëron frikacakun, ndërsa harrojmë se alkooli sjell varfëri, sëmundje, plogështi, çmenduri dhe hidhërimin e Allahut.

Kam parë shumë njerëz, të cilët jetonin në errësirën e injorancës dhe në stres të epshit, prandaj dëfrimi dhe epshi i alkoolit nuk është prej kënaqësive natyrore, por, po të mos e shijonin njerëzit, nuk do ta kërkonin.

Ashtu siç thotë Shejh Sharaviu: Ka adet të keq dhe ibadet të nderuar. Njeriu mund të jetojë tridhjetë, apo dyzet vjet në një vend të qetë, të pastër, ku nuk sheh kurrë alkool me sy, as nuk dëgjon për pirjen e tij asnjëherë në jetën e vet. Kjo sikur adeti – zakoni nuk është zakon pa e përdorur atë, ndërsa ai në jetën e tij ka qenë larg këtyre rrjedhave.

Ndërsa tjetri e sheh (alkoolin) për çdo ditë, por i largohet vetëm për faktin se e do Allahun dhe i frikohet hidhërimit të Tij. Ky është adhurimi i nderuar dhe i respektuar. Kjo ka vlerë dhe rëndësi të posaçme tek Allahu i Lartmadhëruar. Lum për atë që shkon tek Allahu me zemër të pastër, të çiltër dhe të shëndoshë!

Njëherë isha mjek në një spital të madh dhe isha kujdestar. Erdhi një polic me një njeri me pozitë të lartë. Polici ma dha një letër nga zotëria (zëvendëskryeministër), i cili kërkonte prej meje nënshtrimin e një analize mjekësore të dr. Filanit, avokat. Menjëherë u rrëqetha, më kapluan dridhjet dhe u mahnita. Njeri me pozitë të lartë, në pranga të policisë, i cili më tregoi se ky njeri ishte prangosur për faktin se kishte qenë i dehur dhe kishte sulmuar pa kurrfarë shkaku vizitorët e hotelit që banonin aty. Ishin në vend të qetë, nuk kishte zhurmë, por kah ora 2 e mesnatës ai e ndryshoi gjendjen, shkaktoi trazirë, e prishi atmosferën, shkaktare për këtë ishte mendja e tij e dehur, sillej i pakontrolluar, pothuajse e kishte veshur kapelën e firaunit. Ai e kishte prishur rendin publik. Unë e dija se ai ishte i pikëlluar dhe i mërzitur, ishte i penduar dhe i vinte shumë keq, sepse e kishte sjellë veten në atë pozitë që polici ta sillte nga të dëshironte. Kur e pyeta atë njeri, ai ma ktheu duke qarë me lot që i rridhnin nëpër faqet e tij, me fjalë në gjuhën angleze: Të lutem zotëri mjek, më fal, kam bërë gabim të madh në dëm të vetes sime dhe të premtoj se kurrë më nuk do ta bëj një gjë të tillë!

Në anglisht i thashë: Kam shpresë se do ta kuptosh se i madhi zmadhohet me pikëllimin e tij dhe në momentet e dobësisë së tij ka ku të mbahet. Po, pse je dorëzuar kaq lehtë dhe ke dalë jashtë lëkurës sate. Me të shpejtë më tha: Unë jam avokat me reputacion, nga një familje e njohur dhe jam daja i dr. Filanit, i cili është profesor në fakultetin e mjekësisë, jam i afërt me filanin, filanin, e me filanin. Dhe filloi të më numërojë personalitete në gjuhën angleze. I thashë:

Are you a lawyer or a liar (a jeni rrenacak apo avokat)? Ai ma ktheu: – Jo nuk jam rrenacak, por avokat. I thashë atij: A nuk është turp, që ti njeri i ligjit, e ke sjellë veten në këtë pozitë?! Duhesh t’i biesh kokës tënde me çekiçin e drejtësisë.

Kështu, alkooli i sjell njerëzit në pozita të palakmueshme.

Muhamed Muteveli Sharavi (Shqipëroi: Musli Verbani)

Marrë nga: Libri “Fetfat e Sharavit”, Editor: Fondacioni i Rinisë Islame