Pyetja:

Cila është dispozita e faljes së Namazit të Ajeteve (shenjave hyjnore frikësuese), ku bëjnë pjesë dukuritë, si: tërmetet, përmbytjet, shtrëngatat, vërshimet etj.?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Dijetarë muslimanë kanë theksuar se tërmetet (dhe katastrofat e tjera të ngjashme me to) kanë lidhje me mëkatet dhe lajthitjet njerëzore dhe janë shenja të qarta frikësuese për mëkatarët, të devijuarit dhe të shkujdesurit, si dhe provë besimi për besimtarët e vërtetë.

Pra, duke qenë se tërmetet (dhe dukuritë e tjera të kësaj natyre) bëjnë pjesë në shenjat hyjnore frikësuese dhe çështja e tyre është e ngjashme me çështjen e eklipsit, së këtejmi juristët muslimanë kanë dhënë mendimin e tyre nëse në rastin e këtyre shenjave (hyjnore frikësuese) pëlqehet apo jo falja e Namazit të ajeteve-Shenjave hyjnore frikësuese.

Në lidhje me qëndrimin e përmbledhur të juristëve muslimanë rreth faljes së Namazit të Ajeteve jashtë rastit të dukurisë së eklipsit, Hafiz Ibn Rexhebi ka thënë: “Dije se preokupimi me namaz individual në shtëpi gjatë ndodhisë së shenjave frikësuese hyjnore, është i pëlqyeshëm sipas mendimit të shumicës së dijetarëve muslimanë dhe kjo është përmendur edhe nga imam Shafi’iu dhe kolegët e tij. Subjekt mospajtimi mes juristëve muslimanë është fakti nëse: së pari falet apo jo ky namaz në grup (me xhemat) dhe së dyti falet apo jo me dy ruku si namazi i eklipsit.” [1]

Sa i përket formës së namazit që falet në këtë rast, ajo është sikurse forma e Namazit të Eklipsit [2], i cili sipas shumicës së juristëve muslimanë (tre medh’hebeve veç hanefive) është me dy rekatë, të cilët kanë gjithsej: 4 qëndrime në këmbë, 4 lexime kuranore, 4 ruku dhe 4 sexhde (pra çdo rekat ka: 2 qëndrime në këmbë, 2 lexime kuranore, 2 ruku dhe 2 sexhde); por namazi i eklipsit mund (është i vlefshëm që) të falet gjithashtu edhe si dy rekate të zakonshme (sipas medh’hebit hanefi), apo edhe me 6 ruku për 2 rekatë (3 ruku për çdo rekat), sepse të gjitha këto forma bazohen në argumente të qëndrueshme.

Më konkretisht, lidhur me qëndrimet e juristëve muslimanë sa i përket faljes së Namazit të Ajeteve, thuhet sa vijon:

Rasti i parë: Falja individuale (pa xhemat) e Namazit të Ajeteve

Shumica e dijetarëve muslimanë janë të mendimit se falja individuale (pa xhemat) e namazit gjatë ndodhisë së shenjave hyjnore frikësuese (gjëmave / fatkeqësive të rënda të ndryshme, sidomos tërmetit), është vepër e pëlqyeshme [3], bazuar në tekstet e transmetuara nga sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ata!) dhe tek kijasi / arsyetimi analogjik (krahasimor) me eklipsin, ndërkohë që në lidhje me këtë çështje nuk është se ka ndonjë transmetim autentik profetik.

Rasti i dytë: Falja me xhemat e Namazit të Ajeteve

Mendimi i parë: Ligjërohet / Lejohet falja e këtij namazi me xhemat

Një mendim i fuqishëm (që përbën mendimin më parësor) lidhur me këtë çështje, është ai se namazi me xhemat i trajtës së namazit të eklipsit (njohur ndryshe si Namazi i Ajeteve) është i lejuar të bëhet në rastin e çdo shenje (dukurie) të madhe frikësuese me të cilën Allahu i frikëson robërit e Tij, sidomos në rastin e tërmeteve.

Ky mendim është mbështetur nga shumë juristë muslimanë [4] dhe më konkretisht ai përbën: (së pari) mendimin lejues të medh’hebit hanefi (të cilët thonë se ky namaz si rregull ligjërohet individualisht, por lejohet të falet edhe në grup) dhe (së dyti) përbën mendimin pëlqyes të medh’hebit hanbeli (se pëlqehet falja e tij në grup në trajtën e namazit të eklipsit të diellit); dhe është mbështetur edhe nga Is’hak ibn Rahoja, Sufja eth-Theuri etj.

Argumentimi i këtij mendimi ngrihet mbi transmetimin e ardhur me rastin e tërmetit që ndodhi në Basra në kohën e Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sesi ai gjatë këtij tërmeti i ka grumbulluar njerëzit (në mesin e të cilëve kishte sahabë / shokë të Profetit ﷺ) dhe tabi’inë (gjenerata pas sahabëve) dhe është faluar me ta në grup (me xhemat). Më konkretisht në këtë transmetim vjen se Ibn Abasi pasi ka falur me ta një namaz si ai i eklipsit (të diellit) u ka thënë: “Kështu është Namazi i Ajeteve (Shenjave Hyjnore Frikësuese).” [5]

Transmetimi në fjalë (nga Ibn Abasi) përbën transmetimin më të saktë të ardhur në këtë kapitull dhe të argumentuarit me të bazohet në dy shtigje: (së pari) Ibn Abasi, faljen e këtij namazi me rastin e tërmetit, e bëri në grup, në prani të sahabëve që ishin në Basra (kur ishte guvernator i saj) dhe këtij veprimi të tij edhe pse publik nuk iu kundërvu askush (pra kemi të bëjmë më një lloj konsensusi të sahabëve / shokëve të Profetit ﷺ); (së dyti) falja e namazit në fjalë (të formës së eklipsit) që bëri Ibn Abasi me rastin e rënies së tërmetit, është prej gjërave që marrin dispozitën e transmetimit të nënkuptuar të sahabiut nga Profeti ﷺ, pasi në të tilla gjëra nuk ka vend për mendjen dhe opinionin njerëzor.

Mendimi i dytë: Nuk lejohet falja e këtij namazi me xhemat [6]

Një tjetër mendim i fuqishëm në këtë kontekst (lidhur me Namazin e Ajeteve gjatë dukurive përveç eklipsit, të cilat bëjnë pjesë tek shenjat hyjnore frikësuese), është edhe: (së pari) mendimi i medh’hebit maliki se për këto shenja (përfshirë tërmetin) nuk falet asnjë namaz dhe (së dyti) mendimi i medh’hebit shafi’i se për këto shenja (përfshirë tërmetin) nuk ka namaz specifik në grup (me xhemat), por është mirë që për to të falet vetëm namaz individual si namazi nafile (vullnetar). Referuar në mendimin e dytë, mendimi më i fuqishëm është që në rast tërmeti duhet të falet namaz individual dhe jo me xhemat.

Allahu e di më mirë.

Alin Torba

—————————-

[1] Ibn Rexhebi, Fet’hu El-Bari, v. 9, fq. 250

[2] Për më shumë shih: NJOHURI BAZË RRETH DY EKLIPSEVE.

[3] Vepër e pëlqyeshme / Mustehab: Është vepra e cila është fetarisht e shpërblyeshme nëse veprohet dhe nuk është e ndëshkueshme nëse nuk veprohet.

[4] Shih: almoslim.

[5] Es-Sunen El-Kubra li El-Bejhaki 6383, “Musanaf” AbduRrazak 4931-4932, etj.; Bejhakiu, Ibn Rexhebi dhe Ibn Haxheri thonë se ky transmetim është sahih / i vërtetë; shih: islamqa.

[6] Shih: islamweb.