Pyetja:

Si ta bindi burrin ta braktis alkoolin dhe të më dojë mua sepse ka nisur të më lërë anash? A duhet të veprojë diçka apo duhet të pres ndihmë prej Allahut të Madhërishëm që Ai të mirret me të? A duhet të rregullohem që t’i hyj në qejf atij apo çka të bëj?

***

Përgjigjja:

Natyrisht se gjërat që i keni përmendur në pyetjen tuaj kanë ndikim permanent në mbajtjen e bashkëshortit më afër vetes, pasi ia zhdukni nevojën që ai të kërkojë prehje te tjetërkush. Por sa i përket pijes alkoolike, ju duhet t’ia sqaroni bashkëshortit tuaj se është e ndaluar dhe se dënimi për konsumuesin e saj është i dhembshëm, përveç pasojave që mund t’i ketë edhe në këtë botë. Keni obligim, motër e nderuar, që burrin tuaj sikurse edhe veten tuaj ta thërrisni vazhdimisht në përfilljen dhe respektimin e urdhrave të Allahut. Vallahi, nuk ka dobi asnjëherë në atë që Allahu e ka ndaluar, sikundër që e gjithë e mira është në atë që Allahu e ka urdhëruar. Siç e keni vërejtur edhe ju, alkooli prish edhe lidhjet familjare dhe shumëçka në jetën e njeriut. Sqarojani burrit tuaj dëmet e alkoolit, ofroni literaturë për të lexuar, gjeni ndonjë kasetë apo CD me ligjëratë fetare që mund të jetë stimuluese për ta braktisur këtë ves të keq e kështu me radhë.

Krahas gjithë kësaj që u përmend, mos lë anash lutjet tua drejtuar Allahut që ta udhëzojë bashkëshortin tuaj në rrugën e drejtë dhe ta bëjë t’i bindet Allahut me përkushtim!
Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku