Pyetja:

Çka me vepru unë nëse dikush e shan Muhamedin ﷺ në sy tim? A kam drejt me ju kundërvu me mbyt atë qafir apo si me vepru nëse ballë meje e shan Muhamedin ﷺ?

***

Përgjigjja:

Madhërimi i fesë së Allahut është themel prej themeleve të besimit që buron prej zemrës së muslimanit, e kjo nuk mund të ndodhë vetëm prej zemrave të sinqerta dhe të vërteta në besimin e tyre dhe prej madhërimit të fesë së Allahut është edhe respekti, nderimi, përkrahja dhe ndihmimi i Pejgamberit të Allahut ﷺ. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ne të kemi dërguar ty o Muhamed dëshmitar, përgëzues dhe paralajmërues. Që të besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij e ta ndihmoni e nderoni si dhe Allahun ta lartësoni në mëngjes e në mbrëmje.” (Fet’h: 8-9)

Nëse muslimani gjendet në një ambient ku mohohet Allahu i Madhëruar, apo i Dërguari i Tij ﷺ, apo feja e Tij, atëherë e ka për detyrë që ta ndryshojë atë të keqe që bëhet në atë ambient e nëse nuk mundet e ka obligim që të largohet prej tij, Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu në libër u ka zbritur që nëse dëgjoni ajetet e Allahut të mohohen apo të tallet me to, të mos uleni me ata njerëz derisa të ndryshojnë bisedën e tyre, në të kundërt ju jeni si ata dhe Allahu munafikët dhe qafirët do t’i bashkojë në zjarrin e xhehenemit.”
Kështu që i nderuar pyetës, nëse muslimani dëgjon të shahet Pejgamberi ﷺ duhet ta ndryshosh atë të keqe mesa mundesh, pa shkaktuar dëm më të madh sesa ndryshimi i të keqes që po ndryshon, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush shikon prej jush diçka të keqe, ta ndryshojë me dorën e tij, nëse nuk mundet atëherë me gjuhën e tij e nëse nuk mundet atëherë me zemrën e tij dhe ky është besimi më i dobët.”

Nga ky hadith kuptohet qartë që për çdo të keqe që muslimani shikon duhet të reagojë për ndalimin dhe ndryshimin e saj, nëpërmjet dorës, apo gjuhës nëse nuk është e mundur me dorë e nëse nuk mundet as me të parën e të dytën, atëherë ta urrejë në zemrën e tij dhe të mos lejojë që zemra e tij ta pranojë të keqen dalëngadalë. Sigurisht që dijetarët e umetit kanë folur gjatë dhe kanë vendosur rregulla për ndryshimin e së keqes, por unë po të përmend dy:

1. E keqja ndryshohet atëherë kur njeriu ka mundësi ta ndryshojë atë, si p. sh.: të jetë në zonën e autoritetit të tij apo të ketë pushtet që ia mundëson ndryshimin e të keqes. P.sh.: prindi me fëmijët e tij, kryefamiljari në familjen e tij, mësuesi me nxënësit e tij, hoxha në xhematin e tij, drejtori tek vartësit e tij, drejtuesit e vendit në vendin e tyre etj.
2. E keqja ndryshohet atëherë kur nuk prodhon një të keqe më të madhe sesa vetë e keqja që po përpiqet të ndryshojë personi, në të kundërt nuk lejohet ndryshimi i kësaj të keqeje, siç përmendin dijetarët e umetit ndalimin që ka zbritur Allahu në Kuran për sharjen e idhujve në veshët e idhujtarëve, sepse kjo mund të shkaktojë një të keqe më të madhe që është sharja që mund t’i bëjnë idhujtarët Allahut, si kundër reagim ndaj besimtarëve.
Mendoj se muslimani kur dëgjon dikë të shajë Pejgamberin ﷺ përtej dhimbjes dhe çarjes se zemrës së tij kur i dëgjon ato fjalë, duhet të kuptojë nëse personi që e shan Pejgamberin ﷺ, e shan sepse është i keqinformuar rreth Pejgamberit ﷺ dhe mendon se me këtë akt ai po përflet një të keqe prej të cilës njerëzit duhet të ruhen, e nëse është kjo kategori njerëzish atëherë duhet të përpiqet që këtij njeriu t’i qartësojë se kush është në të vërtetë i Dërguari i Allahut ﷺ cili ka qenë mesazhi i tij, cili ka qenë morali i tij me njerëzit e ndryshëm, si ishte jeta e tij e përditshme si në familje dhe jashtë saj, me shpresën që Zoti i Madh këtë njeri të keqinformuar do ta udhëzojë tek e vërteta e në mos atëherë të jetë i qartë se cili është në të vërtetë Muhamedi ﷺ dhe të mos tentojë herë tjetër ta ofendojë.
Apo e shan sepse është armik inatçi ndaj Islamit dhe Pejgamberit te Allahut ﷺ, e nëse është prej kësaj kategorie atëherë shihet nëse ndaj këtij personi ka pushtet dhe autoritet ose jo; nëse ka autoritet atëherë të vërë në funksion autoritetin e tij ndaj këtij personi duke marrë masa, p.sh.: nëse e ka punëtor të tijin ta largojë nga puna, nëse e ka fëmijë të tijin atëherë ta edukojë që mos ndodhë prej fëmijës së tij herë tjetër kjo gjë, në të kundërt ta ndajë e ta largojë, nëse është në moshë madhore. Ndërsa nëse nuk ka mbi të autoritet atëherë të mjaftohet duke e frikësuar këtë person me ndëshkimin e Zotit dhe duke u larguar prej tij, ose largim të plotë nëse mundet dhe është e dobishme, ose largim të pjesshëm derisa personi të ndryshojë qëndrimin e tij nga tallja e Pejgamberit ﷺ publikisht dhe shprehimisht.

Ndërsa përsa i përket mbytjes së qafirit për shkak të sharjes së Pejgamberit ﷺ, mund t’u them se ekzekutimi i njerëzve është kompetencë që Allahu ia ka dhënë gjykatësëve për të marrë vendimin dhe shtetit për ta zbatuar këtë vendim të gjykatës, ndërsa individët e tjerë nuk e gëzojnë këtë të drejtë brenda shtetit Islam, sepse hapja e kësaj porte do të krijonte anarshi dhe padrejtësi pa kufinjë e nëse nuk e gëzojnë brenda shtetit Islam këtë të drejtë, atëherë jashtë shtetit Islam ndalimi për ekzekutimin e njerëzve është edhe më i përforcuar. Si rrjedhojë nuk lejohet vëlla që të mbytesh dikë që shan Pejgamberin ﷺ, por askush nuk të ndalon që t’i kërkosh Allahut që të hakmerret ndaj çdo njeriu që shan dhe fyen të Dërguarin e Allahut ﷺ.
Çfarë mund të bëj muslimani për të mbrojtur Pejgamberin ﷺ? Mund të bëjë muslimani shumë gjëra për të ndihmuar Pejgamberin ﷺ, po përmend disa prej tyre:

1. Të mbushë muslimani zemrën e tij me besim, dashuri, shpresë dhe frikë për Allahun e Madhëruar dhe gjymtyrët e tij të reflektojnë atë që muslimani ka në zemër.

2. Të njoh muslimani mbi dije të qartë e të sigurt Allahun e Madhëruar, fenë e Tij dhe të Dërguarin e Tij.

3. Të thellohet muslimani në njohjen e personaliteti të Pejgamberit ﷺ dhe historisë së tij të lavdishme që të jetë i aftë ta respektojë, ta nderojë dhe ta ndihmojë të Dërguarin e Allahut ﷺ.

4. Të ndjekë muslimani rrugën e Pejgamberit ﷺ, si në besim, adhurim, moral, bashkëpunim me të tjerët e deri tek detajet më të vogla në jetën e tij të përditshme, që të jetë vërtetues me fjalët dhe veprat e tij për pretendimin e dashurisë së Pejgamberit ﷺ si dhe të jetë shembull në ambientin ku jeton e punon, që njerëzit të kuptojnë se ndjekësit e Muhamedit ﷺ janë kaq shembullore vetëm sepse kanë besuar Allahun e Madhëruar dhe Muhamedin ﷺ.

5. Të nxisë muslimanët me format më të mira që të njohin Pejgamberin e tyre ashtu siç përmenda pak më lart dhe të jetë jeta e tyre ashtu siç dëshiron Allahu i Madhëruar dhe ashtu siç e jetuar i Dërguari i Allahut atë në përditshmërinë e tij.

6. Të mundësojnë njohjen e shoqërise ku jetojnë me jetën dhe historikun e Muhamedit ﷺ që të kuptojnë se ai është shembulli më i mirë për një shoqëri që dëshiron të jetë shoqëri e shëndoshë me vlera dhe virtyte të larta.

Dhe së fundi vëlla, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Butësia nuk gjendet tek diçka vetëm se e zbukuron atë e nuk hiqet prej diçkaje vetëm se e shëmton atë.”
Shumica e njerëzve janë injorant rreth njohjes së Muhamedit ﷺ kështu që është detyra jonë t’i njohim ata më të Dërguarin dhe të dashurin e Allahut ﷺ, pa na trembur në fenë e Allahut asgjë.

Allahu na bëftë të drejtë, të saktë, të sinqertë dhe të vërtetë kurdoherë, qoftë edhe kundër vetëve tona, nëse kemi bërë padrejtësi!

Bilal Shkrepi