Të folurit me personat jo mahremë

149. I nderuar hoxhë! A është e lejuar t’u flitet personave jo mahremë, p.sh. djalit të tezes, djalit të xhaxhait, burrit të motrës etj.? Është fjala jo t’u flitet për dore, por të përshëndeten, do të thotë t’u jepet selam, apo më mirë mos t’u dilet fare e të rrihet në një dhomë veç?

Përgjigjja: Mahrem konsiderohet i afërmi i gruas mashkull me të cilin për shkak të afërsisë së tij ndalohet martesa me të me ndalesë të përhershme, siç është vëllai, djali, daja, xhaxhai, etj. Femra muslimane obligohet që të mbulohet (me hixhab) në rastet kur është në prani të atyre që nuk janë të afërm të saj, pra kur del në prani të atyre me të cilët i lejohet martesa.

Përveç kësaj muslimanes nuk i lejohet të përshëndetet me dorë me atë që nuk e ka mahrem, nuk lejohet të udhëtojë vetëm me të, as të vetmohet me të, ngase ai konsiderohet i huaj dhe i lejohet martesa me të.

Ndërsa sa i përket pritjes së mysafirëve në shtëpi si dhe komunikimit me atë që nuk është mahrem duke i respektuar rregullat e veshjes islame, nuk ka ndonjë argument që e ndalon një gjë të tillë.

Përkundrazi, kemi tregime dhe ngjarje nga koha e të Dërguarit të Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] dhe gjeneratës së artë të muslimanëve që dëshmojnë se gratë e sahabëve, që kanë qenë gratë më të devotshme në rruzullin tokësor, kanë shitur dhe kanë blerë, kanë marrë pjesë në beteja duke përgatitur ushqim për ushtrinë, pastaj kanë marrë pjesë në shërimin e të plagosurve, etj.. E nuk mund të imagjinohet kryerja e punëve të lartpërmendura pa komunikuar me meshkujt.

Andaj mendoj se nuk është mirë të shtrëngohet në këtë çështje pa argument, e posaçërisht duhet të kemi parasysh kohën dhe vendin ku jetojmë, ashtu siç nuk duhet ta lirojmë shumë, por të gjejmë një mesatare. Punët më të mira janë mesataret, gjithherë duke pasur parasysh ajetin:

“Sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut… (veproni atë që mundeni).” (Tegabun: 16)

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi