Pyetja:

Nëse prindërit kanë vetëm një vajzë dhe nuk kanë fëmijë tjetër, kujt duhet t´ia lënë pasurinë?

***

Përgjigjja:

Afërsia e gjakut është shkaku më i fuqishëm që legjitimon trashëgiminë. Në bazë të pyetjes së parashtruar arrihet në përfundimin se vajza e personit të vdekur konsiderohet trashëgimtare me pjesë të përcaktuar fikse, asaj i takon gjysma e pasurisë, ngase është e vetme, pra, nuk ka motër e as vëlla. Allahu xh.sh., thotë:

Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: Për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma.” (Nisa: 11)

Për të dhënë përgjigje të plotë për këtë pyetje duhet të kemi të dhëna të tjera të nevojshme rreth trashëgimtarëve të tjerë të mundshëm, të cilët në këtë situatë kanë të drejtë në trashëgimi, si babai, nëna, gruaja, vëllai, motra, etj.

Në këtë rast vlen të theksohet se parimi themelor i shkencës së trashëgimisë islame është të shikohet afërsia e trashëgimtarëve me të vdekurin e jo afërsia e trashëgimtarëve në mes vete. Pra, të shikohet çfarë lidhjeje kanë trashëgimtarët me të vdekurin e jo lidhja që kanë trashëgimtarët në mes tyre, ngase kjo e fundit nuk është relevante.

Pra, në rastin konkret vajza merr gjysmën e pasurisë nëse ekzistojnë trashëgimtarë të tjerë. E nëse personi i vdekur nuk ka lënë pas asnjë trashëgimtar që ka të drejtë në trashëgimi përveç vajzës, atëherë gjysma e mbetur e pasurisë i rikthehet vajzës, pra, vajza merr tërë pasurinë për shkak të mungesës së trashëgimtarëve të tjerë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi