Pyetja:

Vëllezërit e Jusufit (paqja qoftë mbi të!) a kanë qenë profetë?

***

Përgjigjja:

Mendimi i shumicës së dijetarëve është se ata nuk kanë qenë profetë. Askush nga Sahabet, siç thotë Ibn Tejmije, nuk ka thënë se ata kanë qenë profetë. Janë një grup i vogël dijetarësh që e kanë thënë këtë. Ka thënë Ibni Kethiri: Dije se nuk ka argument që precizon se vëllezërit e Jusufit (paqja qoftë mbi të!) kanë qenë profetë. Tekstet kur’anore, sipërfaqësisht, dëshmojnë të kundërtën (pra se nuk kanë qenë profetë).

Fjalën e atyre që thonë se më pas iu është shpallë pejgamberia, (pra pas rastit me Jusufin (paqja qoftë mbi të!)), Ibni Kethiri e konsideron të dyshimtë.

Ata që thonë se kanë qenë pejgamberë, argument kanë fjalën kur’anore esbat, të cilën e kanë shpjeguar si bijtë e Ja’kubit (paqja qoftë mbi të!).

Ka thënë Ibni Tejmije: E vërteta është se me këtë fjalën nuk synohet bijtë biologjikë, por pasardhësit, siç thuhet p.sh. beni israil – bijtë e Israilit.

Ata që shikojnë detajet në tregimin e Jusufit (paqja qoftë mbi të!) gjen se veprat dhe sjelljet e vëllezërve të tij nuk janë vepra që iu shkojnë shtati profetëve: ata tentuan ta vrasin Jusufin (paqja qoftë mbi të!) dhe kundërshtuan prindërit. Po kështu, në Kur’an nuk është shpjeguar nëse ata janë penduar apo jo. E tëra që thuhet është se kanë pranuar fajin dhe kanë kërkuar falje për gabimin.

Sipas teksteve kur’anore, gjegjësisht ajeteve në kaptinën Gafir, në Egjipt para Musait (paqja qoftë mbi të!) nuk ka patur profetë përveç Jusufit (paqja qoftë mbi të!) .

Sujuti, “El-Havi” 1/310-312