Pyetja:

A lejohet shitblerja me parapagesë?

***

Përgjigjja:

Shitblerja me parapaqesë njihet si blerja e një malli me porosi duke e parablerë atë. Kjo lloj shtiblerje është e lejuar në bazë të Kuranit dhe traditës profetike. Në Kuranin famëlartë thuhet: “O ju  që keni besuar, nëse merrni borxh nga njëri-tjetri deri në një afat të caktuar, atëherë shkrujeni atë.” (Bekare: 282) Ibn Abasi thotë: “Dëshmoj se blerjen me parapagesë të garantuar deri në një afat të caktuar e ka lejuar Allahu në librin e Tij dhe ka dhënë leje për të” dhe më pas lexoi këtë ajet. [1]

Ndërsa në traditën profetike përcillet nga Ibn Abasi r.a., se kur i dërguari i Allahut ﷺ  mbërriti në Medine i gjeti njerëzit duke parapaguar frutet e hurmës për një periudhë një, dy dhe tre vjeçare dhe tha: “Kush parapaguan për një mall, atëherë le të parapaguajë për një mall me masë të caktuar, me peshë të caktuar dhe për një periudhë të caktuar.” [2]

Shitblerja me parapagesë është lejuar mbi arsyetimin e lehtësimit dhe plotësimin e nevojave të njerëzve, por gjithashtu ajo duhet të shoqërohet me plotësimin e disa kushteve.

Shitblerja me parapagesë lejohet vetëm për ato mallra që mund mund të përshkruhen dhe të përcaktohen në masë dhe karakterisitika, siç janë mallrat që maten me masë, me peshë dhe me numër të përafërt. Përsa i përket mallrave që numërohen por që nuk janë të përfafërta, siç është bostani, shega etj. nuk lejohet papagesa e tyre me numër, por duhet gjithashtu që cilësohen me karakteristikat me të cilat dallohen.
Pra rregulli thotë se mallrat të cilat nuk mund të përshkruhen me karakteristika të caktuara dhe të njihet masa e tyre, nuk mund të parapaguhet brerja e tyre, sepse kjo i çon palët drejt konfliktit.

Që shitblerja me parapaqesë të jetë e saktë duhet të përmbushë shtatë kushte:

1- Përcaktimi i karaktersitikave të mallit, të cilët nuk ndryshojnë aq shumë sa të çojnë në ndryshimin të qartë të çmimit, për arsye se një mall i cili nuk mund të përshkruhet me karaktersitikat e tij, kjo mund të bëjë që ndryshimi i karaktersitikave të jetë i madh dhe të çojë palët drejt konfliktit dhe grindjes. Pra kjo do të thotë që malli duhet të jetë prej atyre pasurive që mund të merret në garanci nga shitësi (porosimarrësi), siç janë mallrat që maten me masë, me peshë, me krahë apo me numër të përafërt, siç janë farërat, frutat, mielli, pambuku, hekuri, plumbi, ilaçet, arrat e kokosit, vezët etj.

Por nëse është mall që nuk mund të përshkruhet, siç janë mallrat që shiten me numër jo të përafërt, apo me krahë jo të përafërt, siç janë lekurat, drunjtë, shegët, ftonjtë, bostanët etj. nuk lejohet shitja e tyre me parapagim, për arsye se ato kanë karakteristika që nuk mund të fiksohen, për arsye se pas sqarimit të prejardhjes, llojit, karektrstikëve dhe masës së tyre përsëri mbeten shumë gjëra të pasqaruara dhe të paditura, gjë që mund të çojë palët drejt konfliktit, kjo për arsye se ka dallim të madh mes një perle dhe nje perle tjetër, mes një kafshe dhe një kafshe tjetër, mes një lëkurë dhe një lëkurë tjetër.

Dijetarët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me porosinë e parapaguar kur malli është një kafshë, peshk, buke etj. për shkak të vështirësisë që ka përcaktimi i karakteristikave të cilat në të tilla mallra kanë diferencë të madhe nga njëri mall në tjetrin.

2- Kushti i dytë është përmendja e llojit dhe tipit të mallit:
Lloji, p.sh. grurë, misër etj.
Tipi, p.sh. grurë i ujitur me ujë të rrjedhshëm, me shi apo diçka tjetër.
Nëse shitësi sjell mallin sipas kushteve që ka kërkuar blerësi që ka bërë parapagesën atëherë blerësi e ka për detyrë që ta marrë atë. Nëse rast se shitësi sjell një mall më cilësor se ai që ka kërkuar blerësi, ky i fundit ka për detyrë që ta marrë atë mall, për arsye se shitësi ka sjell një mall karekteristikat e të cilët janë përfshirë në marrëveshje dhe është më i dobishëm. Nëse shitësi sjell një mall më pak cilësor apo një mall të të njëtit lloj, por të një tipi tjetër, atëherë blerësi mund ta pranojë por e nuk është i detyruar që ta bëjë këtë. Nëse shitësi sjell një lloj tjetër malli, atëherë blerësit i ndalohet që ta pranojë atë.

3- Sqarimi i masës së mallit me masë, peshë, me krahë etj. në varësi të vlerësimit që i bëhet zakonsisht atij malli. Si rrjedhojë, nëse blerësi parapaguan me peshë për një mall që matet me masë siç është elbi dhe gruri, ateherë blerja me parapagesë nuk është e saktë. Po kështu nëse parapaguan me masë për një mall që peshohet me peshë, siç është hekuri, për arsye se matja në këtë rast është bërë mbi bazën e matjes së zakonshme për atë mall, si p.sh. nëse matet me peshë një mall që zakonisht shitet duke u matur me krahë.

4- Paracaktimi i afatit të dorëzimit të mallit, siç thuhet në hadith: “..dhe për një periudhë të caktuar”. Dijetarët janë pajtuar se afati duhet të jetë i njohur dhe i caktuar, por nuk janë pajtuar përsa i përket kohëzgjatjes së afatit për një blerje me parapagesë. Kështu hanefitë dhe hanbelitë janë të mendimit se afati duhet të jetë një muaj ose afërisht një muaj, ndërsa malikitë janë të mendimit se nuk duhet të jetë më pak se një gjysëm muaji.

5- Një kusht tjetër është ekzistenca e mallit në periudhën e dorëzimit. Si rrjedhojë nëse malli gjendet rrallë në kohën e dorëzimit ose nuk gjendet fare, si është rasti i rrushit apo hurmës të parapaguar që del në dimër, por të porositur nga blerësi për tu marrë në dorëzim në kohën e verës, atëherë kjo shitblerje nuk vlen. Gjithashtu duhet të malli të jetë prezent në vendin që do të behet dorëzimi dhe për këtë arsye duhet caktuar vendi se ku do të dorëzohet malli, në mënyrë që të mos ketë mungesë informacioni dhe për këtë arsye shitblerja me parapagesë pa përcaktimin e vendit të dorëzimit nuk vlen.

6- Një kusht tjetër pagesa e plotë e shumës së parave, me argument fjalën e Profeti ﷺ:
“…Kush parapaguan për një mall, atëherë le të parapaguajë..”, pra lë të japë pagesën. Imam Shafiu thotë: “Kjo shitblerje nuk mund ta marrë emrin e parapagesës derisa ta japë shumën parpara se të ndahet me porosimarrësin.”

Ekzistojë edhe disa kushte të tjera që kanë lidhje me kapitalin e shitblerjes me parapagesë, pra çmimin. Në ndër kushtet është që çmimi duhet të jetë i përcaktuar, po ashtu edhe karakteristikat, lloji dhe tipi i kësaj pagese:

P.sh, përsa i përket sasisë, duhet të jetë e përcaktuar si p.sh. 200 dinarë. Në lidhje me karaktersitikat e këtij çmimi, duhet përcaktuar kualitetit si p.sh. i dobët, mesatar etj. nëse vlera do të paguhet më flori apo argjend. Po kështu edhe lloji, duhet të jetë i përcaktuar, si p.sh. dinar, derhem, euro, dollar etj. Përsa i përket tipit duhet bërë e qartë nëse behet fjalë për dollar amerikan, astralian etj.

7- Kushti i fundit është që pagesa dhe malli të mos jenë prej tyre llojeve që përmbajnë në vetvete një nga komponentët e kamatës së shtesës. Kjo do të thotë se dy pasuritë që këmbëhen (në këtë rast pagesa me mallin) të jenë nga tipe të ndryshme pasurish, të cilat nëse këmbëhen me njëra-tjetren lejohet vonesa në këmbimin e tyre. Mbi këtë bazë nuk lejohët që parapagesa të jetë në flori dhe malli që vjen pas një periudhe kohe të jetë argjend dhe anasjelltas, sepse kjo është kamatë (për shkak se Islami ka kushtëzuar këmbimin e tyre dorë më dorë pa asnjë afat pritje në këmbim).

Dr. Abdulhalik Hamasi

Dr. El Husejn Shevat

Përktheu: Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë

——————

[1] Tefsiri i Taberiut

[2] Buhariu, Muslimi, Nesaiu, Ibn Maxhe, Ebu Davudi, Tirmidhiu