Pyetja:

Çfarë duhet të veprojmë për ta ruajtur fëmijën nga mësyshi?

***

Përgjigjja:

Së pari, më duhet të theksoj se në mesin e popullatës tonë janë të përhapura shumë gjëra të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me besimin e pastër dhe të shëndoshë islam. Kështu, gjen veprime dhe tradita të cilat u takojnë bestytnive, e jo besimit islam të bazuar mbi teuhid-njëshmërinë e Allahut.

Në këtë kontekst, janë edhe disa gjëra që u varen fëmijëve, apo edhe shtëpive, me qëllim që mos të marrin mësyshë. Disa ua veshin teshat e brendshme nga ana e prapë e tyre; disa u varin disa metale apo guraleca të vegjël prej porcelani apo xhami, dhe këto i quajnë sy kurbani; disa varin në hyrje të shtëpisë qep apo hudhra, e kështu me radhë.

Të gjitha këto janë gjëra të kota, dhe besimtari nuk duhet t’i bëjë. Ajo që kërkohet prej nesh është që kur të shohim gjëra që na pëlqejnë, duhet të themi: Ma sha Allah, la havle ve la kuvvete il-la bil-lah (Ka ndodhur ashtu siç ka dashur Allahu, nuk ka forcë dhe fuqi, pos se me ndihmën e Allahut). Kjo është sa na takon ne, si njerëz, nëse shohim diçka që na pëlqen.

Për sa u përket fëmijëve, pra siç thash edhe më lartë, nuk vendosen gjëra të tilla, por fëmija kur të ushqehet duhet të ushqehet me bismilah, t’i veshen teshat me bismilah, dhe nëse e vëren se nuk është rahat, atëherë e fryn me lutje që na i ka mësuar i Dërguari i Allahut ﷺ. Fryerja bëhet duke lexuar sure të Kuranit, si: suren Ihlas, El-Felek, En-Nas, Ajetu-l-Kursij, ajetet e fundit të sures El-Bekare të njohura si Amenerresulu, si dhe lutje që i ka përmendur i Dërguari i Allahut ﷺ në hadithe të tij, gjegjësisht të cilat ai i ka përdorur kur i ka fryrë nipat e tij Hasanin dhe Husejnin.

Kurani e mbron dhe e shëron fëmijën prej mësyshi, nëse ka mësysh, e jo gjërat e ndryshme të cilat ua varin, e që nuk kanë asnjë kuptim dhe vlerë.

Përndryshe, syri apo marrja mësyshë, është realitet, dhe shumë herë, në veçanti fëmijët e vegjël, qajnë apo kanë ndonji siklet tjetër, pikërisht nga syri. Për këtë, besimtari duhet ta përmend Allahun e Madhërishëm dhe të lutet për bereqet, me qëllim që mos i dëmtojë tjerët me syrin e tij. Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu