Pyetja: Ne jetojmë në një qytet të vogël në një vend të huaj dhe kemi dy mundësi shkollimi për fëmijët tanë. Opsioni i parë janë shkollat publike, të cilat janë sekulare dhe nuk u kushtojnë rëndësi vlerave fetare. I kemi provuar ato, por nuk jemi të kënaqur me vlerat dhe sjelljen e fëmijëve atje. Opsioni i dytë janë shkollat private, por të gjitha janë të krishtera.
Takimi me drejtorin e njërës prej këtyre shkollave na tregoi se ata janë gjithëpërfshirës dhe mësojnë fëmijët për të gjitha fetë, duke përfshirë Islamin, dhe i respektojnë ato. Po ashtu, kemi disa miq myslimanë që i dërgojnë fëmijët e tyre në atë shkollë dhe ata na kanë thënë se fëmijët janë të lirë ta praktikojnë fenë tonë. Shkolla madje ka ndarë një dhomë të veçantë për lutje për nxënësit myslimanë dhe është e njohur me angazhimet tona, si agjërimi gjatë Ramazanit, duke treguar mbështetje për to.
E vetmja gjë që më shqetëson është se uniforma e shkollës ka logon e shkollës, e cila përfshin një kryq. Ju lutem më këshilloni nëse mund t’i lejoj fëmijët e mi të ndjekin këtë shkollë dhe të veshin një uniformë të tillë.
Përgjigje:
Lavdia e plotë i takon Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) është robi dhe i dërguari i Tij.
Së pari, nëse keni mundësinë t’i regjistroni fëmijët tuaj në një shkollë islame dhe të shmangni shkollat e krishtera, atëherë kjo është detyrë për ju. Megjithatë, nëse kjo nuk është e mundur për shkak të mungesës së shkollave islame, atëherë duhet të dini se një nga parimet e fesë Islame është: “Duhet të durohet e keqja më e vogël për të shmangur një më të madhe.”
Shejhul-Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë në “Mexhmu’ El-Fetava”:
“Sheriati Islam synon realizimin e interesave dhe eliminimin e të këqijave. Ai i jep përparësi arritjes së interesit më të madh dhe shmangies së së keqes më të madhe, duke duruar të keqen më të vogël nëse është e domosdoshme.”
Ai gjithashtu ka thënë:
“Njeriu i mençur është ai që i jep përparësi arritjes së interesit më të madh dhe shmangies së së keqes më të madhe.”
Duke u bazuar në këtë, duhet të vlerësoni dëmet që mund të sjellë regjistrimi i fëmijëve në ato shkolla dhe t’i krahasoni ato me njëra-tjetrën pastaj . Nëse besoni se regjistrimi i tyre në një shkollë të krishterë është një e keqe më e vogël sesa ndjekja e një shkolle sekulare dhe ndiheni të sigurt se besimi i tyre nuk do të devijojë, atëherë nuk ka problem që ata të ndjekin këtë shkollë.
Padyshim, feja Islame urdhëron që kryqi të fshihet nga simbolet dhe veshjet kur është e mundur. Nëse mund të fshihet në ndonjë mënyrë të paqartë ose të mbulohet, atëherë kjo duhet bërë. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë duhet të tolerohet si një e keqe më e vogël, duke e refuzuar atë me zemër, përderisa është një dëm më i vogël krahasuar me pasojat e regjistrimit në një shkollë krejtësisht sekulare.
Allahu e di më së miri.