Pyetja:

Kemi dy fëmijë 4 dhe 2 vjeç por asnjërit prej tyre nuk ua kemi bërë kurban kur duhej, pra në fillim të jetës së tyre, pasi nuk kishim mundësi për këtë. A është ky gjynah? A është obligim kurbani për fëmijën? Dhe n.q.s., është detyrë a mundemi t’ua bëjmë tani?

***

Përgjigjja:

Kurbani që theret si falënderim ndaj Allahut kur lind një femijë (arabisht akika), sipas shumicës së dijetarëve është sunet i fortë dhe nuk është mirë të lihet, por nuk është një detyrim (vaxhib), që lënësi i të cilit merr gjynah, por sidoqoftë lënia e saj është diçka e qortueshme, nëse ke mundësi.

Profeti ﷺ, e ka praktikuar akika-n me dy nipërit e tij Hasanin dhe Husejnin. Akika kryhet ditën e shtatë, nëse jo ditën e katërmbëdhjetë, nëse jo, atëherë ditën e njëzet e një, të lindjes së fëmijës.

Nëse prindërit nuk kanë pasur mundësi gjatë gjithë kësaj kohe ta kryejnë këtë sunet të fortë, atëherë le ta kryejnë në çdo  kohë që do t’u jepet mundësia. Sido që të jetë, Allahu nuk e obligon njeriun për tepër sesa ai ka mundësi.

Sipas kësaj, lejohet që ju ta kryeni këtë kurban për secilin fëmijë edhe në këtë kohë.

Allahu e di më së miri.

Justinian Topulli