Pyetja:
Më duhet të gatuaj për babin tim i cili jeton i vetëm në shtëpinë e tij. A më lejohet ta gatuaj mishin jo hallall që blen ai? (Nuk përdor mish derri por mish të pa prerë sipas rregullave të islamit).
***
Përgjigjja:
Përsa i përket gatimit, ai varet nga lloji i mishit që do gatuhet. Nëse mishi është hallall atëherë lejohet edhe gatimi i tij, e nëse ështe harram atëherë nuk lejohet as të gatuhet. Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Bashkëpunoni për të mira dhe devotshmëri dhe mos bashkëpunoni për gjynahe dhe padrejtësi”. (El Maide: 2)
Nëse në zonën tuaj njerëzit njihen apo deklarohen se janë myslimanë, atëherë ju mund ta gatuani mishin e blerë në këto thertore, duke ecur me gjykimin e përgjithshëm, se edhe kasapët që punojnë aty, janë muslimanë; me përjashtim të rastit kur ndonjëri prej tyre deklaron, apo bën vepra që qartazi e nxjerrin nga islami.
Megjithatë, ne këshillojmë që nëse në zonën tuaj, ka thertore që administrohen nga myslimanë praktikantë dhe që i zbatojnë me rigorozitet rregullat islame për therjen e kafshëve, të blini mishin që tregtohet në këto thertore, për t’u larguar nga e dyshimta dhe për te qenë te qetë në zemrën tuaj.
Sidoqoftë, për të qenë sa më të qartë në llojin e mishit që lejohet të konsumohet po përmendim shkurtimisht disa rregulla që lidhen me këtë çështje:
1- Personi që e ther kafshën të jetë musliman. Gjithashtu lejohet edhe mishi i therur nga ithtarët e librit (hebrenj apo të krishterë). Argument për këtë kemi ajetin e Kuranit: “Ushqimi i ithtarëve të Librit është hallall për ju dhe ushqimi juaj është hallall për ta”. (El Maide: 25). Me fjalën ushqim këtu, është për qëllim mishi i kafshëve të therura prej tyre(ithtarëve të Librit), siç e ka komentuar Ibn Abasi r.a. dhe të tjerë.
2- Të jetë nga ato lloj kafshësh apo shpendësh, të cilat islami e ka lejuar ngrënien e mishit të tyre, siç janë: devetë, lopët, delet, dhitë, pulat etj. Nuk lejohet ngrënia e mishit të derrit dhe as i kafshëve dhe shpendëve grabitqarë. Allahu i madhëruar thotë: ”Është e ndaluar për ju ngrënia e coftinës, e gjakut, e mishit të derrit...” (El Maide: 3) Ndërsa profeti Muhamed ﷺ në një hadith, ka ndaluar nga ngrënia e mishit të egërsirave dhe shpendëve grabitqarë.
3- Gjatë therjes të pritet fyti i kafshës, ku përfshihen: dy damarët e gjakut, gabzheri dhe vendi i frymëmarrjes. Nëse kafsha goditet me ndonjë send, apo me goditje elektrike për ta rrëzuar atë, atëhere nëse kjo goditje është e tillë që shkakton ngordhjen e kafshës dhe kafsha nuk shfaq më shenja jete, mishi i përfituar prej saj nuk lejohet të hahet edhe nëse kafsha theret pas asaj goditje. Allahu i lartwsuar thotë: “Është e ndaluar për ju ngrënia e coftinës…” (El Maide: 3)
Por nëse goditja është e tillë sa vetëm i shkakton trullosje kafshës dhe ajo theret kur është ende gjallë, atëherë mishi i saj është i lejuar por jo i preferuar. Vlen të theksojmë se therja e kafshës në këtë mënyrë, është një metodë e papëlqyer nga ana fetare.
4- Mos të jetë mish që është prerë në emër të idhujve apo gjërave që lidhen me besëtytnitë e ndryshme siç është mishi që theret në vendet e ashtuquajtura të shenjta për fat ose mbarësi, apo për t’u ruajtur nga fatkeqësitë, magjitë etj, apo që lidhen me fenomene të ngjashme besëtytnishë me të cilat njerëzit lidhin zemrën duke i shoqëruar Allahut të Lartësuar shok dhe ortak.
5- Kasapi ose therësi le të përmend emrin e Allahut kur ta therë duke thënë Bismil-lah, por nëse nuk e dimë në e ka përmendur emrin e Allahut apo jo atëherë le ta përmendë konsumuesi në fillim të ngrënies. Argument për këtë është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ku tregon se disa njerëz thanë:”O i dërguari i Allahut! Disa njerëz na sjellin mish, mirëpo ne nuk e dimë në kanë thënë bismilah kur e kanë therur kafshën apo jo. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: Thoni ju bismilah dhe hani! Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tha: Ata ishin njerëz të cilët pak kohë kishin që e kishin lenë mosbesimin/idhujtarinë.” [1]
Lusim Allahun t’ju shpërblejë për përkujdesjen ndaj babait tuaj, siç këshillojmë që krahas përpjekjes për përgatitjen e ushqimit, të kujdeseni gjithashtu, që me butësi e urtësi, t’i shpjegoni dhe t’i mësoni çështje të aspektit fetar, midis të cilave edhe çështjen e të ushqyerit me mish hallall.
Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH
——————————
[1] Buhariu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe