Ue alejkum selam ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Sa i përket pyetjes se cili është mendimi më i saktë për ngrënien e ushqimit në restorantet ku shërbehet alkool, fillimisht theksojmë se muslimanit nuk i lejohet të merret me alkool në asnjë formë: as ta shesë, as ta blejë, as ta shërbejë, as ta rezervojë, as ta porosisë, as ta përgatisë, as ta paguajë — pra në asnjë mënyrë.
Prandaj edhe pronarët e restoranteve që e konsiderojnë veten muslimanë e kanë të ndaluar: e kanë haram ta fusin në restorante, ta shërbejnë, ta pinë, ta blejnë, ta shesin dhe ta përgatisin — të gjitha këto janë të ndaluara.
Edhe nëse një restorant në parim funksionon në mënyrë hallall, duke mos u përzier me kamata apo mashtrime, prania e alkoolit e bën një pjesë të veprimtarisë së tij të ndaluar. Prandaj kërkohet kujdes.
Restorantet që shërbejnë alkool ndahen në dy kategori:
1. Restorantet që përdorin alkool në gatim
Nëse alkooli përdoret në gatim, atëherë është më mirë të mos frekuentohen këto restorante dhe të mos konsumohet ushqimi i tyre. Edhe pse gjatë gatimit alkooli mund të avullojë, megjithatë vetë përdorimi i tij mbetet problematik.
2. Restorantet që vetëm e shërbejnë alkoolin si pije
Nëse alkooli nuk përdoret në gatim, por vetëm shërbehet si pije për klientët, atëherë nuk është e ndaluar të konsumohet ushqim në to.
Megjithatë, si formë qëndrimi dhe vetëdijësimi, është më mirë të shmangen vende të tilla, sidomos kur ekzistojnë alternativa pa alkool.
Kjo gjithashtu mund të ndikojë që restorantet, me kalimin e kohës, ta largojnë alkoolin dhe të mbeten ambiente më të pastra për komunitetin musliman.
Përfundimisht:
Nuk është e ndaluar të konsumohet ushqim hallall që nuk është i përzier me alkool.
Nëse mishi është i therur sipas rregullave të sheriatit dhe është nga kafshë e lejuar për konsum, atëherë nuk ka ndalesë për ta ngrënë në një ambient ku shërbehet alkool.
Megjithatë, zgjedhja më e mirë mbetet:
të shmangen këto restorante dhe të preferohen alternativa pa alkool.
/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/




