Pyetje: Selam Alejkum! Kafshet te cilat ne i therim me qellim per ushqim duhet ti therim me bismilah dhe sipas menyres se sheriatit. Kjo gje eshte farz apo sunet? Dhe fakti qe nje kafshe eshte therur per ushqim por pa bismilah dhe jo sipas menyres se sheriatit (pra sic veprojne njerezit qe ja heqin koken menjehere) a e ben kjo gje kete mish haram per tu ngrene apo jo?

Përgjigje: Thënia bismilah (Me emrin e Allahut) është një nga kushtet e therjes së kafshës, pra është e farz dhe nuk mund të bjerë vetëm nëse harron. Kur një kafshë theret pa bismilah, ajo konsiderohet e ngordhur dhe nuk lejohet konsumimi i saj.

Allahu ka thënë në Kuran: “Mos hani asnjë mish që nuk është therur me emrin e Allahut, sepse kjo është gjynah! Në të vërtetë, djajtë i nxisin miqtë e vet që t’ju kundërshtojnë ju. E nëse ju u bindeni atyre, me siguri që edhe ju do të ishit idhujtarë”. (Enam 121)

Nuk ka dallim mes atij që e ther kafshën për ushqim apo për diçka tjetër. Thënia bismilah është e domosdoshme në çfarëdolloj rasti, pa përjashtim.

Kurse heqja e kokës menjëherë nuk e bën haram këtë kafshë, por më e mira është që t’i priten dy damarët e qafës, dhe dy rrugët  frymëmarrjes dhe të ushqimit dhe të lihet derisa t’i dalë shpirti, sepse kështu e nxjerr të gjithë gjakun që ka në trup kjo kafshë. Kjo është edhe kushti i dytë i therjes së kafshës, pra preja e damarëve dhe i dy rrugëve të frymëmarrjes dhe të ushqimit.

Sa për dobi, therja e kafshës ka edhe dy kushte të tjera të cilat plotësojnë katër kushtet e therjes së kafshës.

Therja e kafshës duhet të bëhet nga një musliman ose edhe katolik apo çifut që respekton parimet e fesë së tij.

Kushti i fundit është që kafsha të theret me diçka të mprehtë, pra si thika, etj.

Allahu e di më së miri.