Pyetja:
A ka biseduar Allahu me Iblisin ashtu si me Musain, me zë?
***
Përgjigja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Përpara se t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, do donim që të flisnim dy fjalë në lidhje me qëndrimin e duhur të muslimanit lidhur me pyetjet e kësaj natyre.
Dijetarët muslimanë theksojnë, se nuk është e udhës që muslimani të preokupohet me detaje të historive kuranore apo islame në përgjithësi, të cilat nuk janë shpalosur në Kuran dhe as në transmetimet e sakta të ardhura nga i Dërguari i Allahut ﷺ, pasi nëse dobia dhe urtësia e këtyre detajeve do kishte qenë e madhe, me siguri që ato do qenë përmendur nga Kurani dhe do qenë sqaruar nga Tradita Profetike. Lipset që muslimanin të mos e preokupojnë ato gjëra që nuk i kërkohen dhe nuk i ka të nevojshme dhe ky është një princip mbi të cilin hedh dritë më së miri thënia profetike: “Faktikisht Allahu e ka bërë të papëlqyeshme për ju thashethemen (fjalët e pathemelta), të pyeturit e shumtë dhe shpërdorimin e pasurisë.”
Kurse më konkretisht lidhur me pyetjen e parashtruar, thuhet sa vijon:
Bazuar në Kuranin fisnik, Allahu i Madhëruar ka folur me Iblisin, por sa i përket faktit se si është ky i folur, duhet ditur se në këtë rast kemi dy veçori në raport me të folurin e Allahut me Musain:
I pari: Të folurit e Allahut me Musain – por edhe me Ademin dhe Muhamedin (Paqja qoftë mbi gjithë Profetët e Zotit!) – ka qenë i folur me kuptim, gërmëzim dhe zë ashtu si i takon Krijuesit dhe jo si tek krijesat.
I dyti: Të folurit e Allahut me Musain ﷺ, ka një karakteristikë tjetër, që qëndron në faktin se ky i folur është realizuar teksa Musai ﷺ ishte në tokë, pra në natyrën normale njerëzore tokësore, ku ndoshta qëndron edhe fakti se përse Musai ﷺ u veçuar me epitetin “Folësi i Allahut”.
Kurse të folurit drejtuar Iblisit, edhe nëse i qëndrojmë dukshmërisë së tekstit kuranor: “(Zoti) Tha: “O Iblis, çka të pengoi ty t’i përulesh atij që Unë vetë e krijova? A bëre kryeneçësi, apo ke qenë prej atyre që shesin fodullëk?” (Sad: 75) dhe i qëndrojmë faktit se të folurit si rregull (përderisa nuk specifikohet) konsiston në fjalë të formuara nga gërmëzime të zëshme (shkronja dhe zë të dëgjueshme dhe të kuptimta), nuk ka qenë i folur nderues (për më tepër nderues i pozitës së lartë profetike), dhe as ka qenë i sojit të Musait ﷺ siç u përmend në pikën e dytë; përkundrazi ka qenë të folur marrjeje në llogari dhe më tej diskreditues. Ky është edhe mendimi më i fuqishëm lidhur me të folurin hyjnor drejtuar Iblisit.
Ndërkohë, një tjetër mendim i pranishëm ndër dijetarët muslimanë është se, ky i folur (në analogji / arsyetim krahasimor me po këtë mendim të disa juristëve muslimanë lidhur me të folurit e Zotit me Ademin dhe Havanë) ka qenë me ndërmjetësim (pra është urdhëruar engjëlli që ta përçojë fjalën e Allahut; me fjalë të tjera është një engjëll ai që ka përçuar fjalët hyjnore tek Ademi, Havaja apo Iblisi).
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi