Pyetja:

A mund të flisni pak më shumë dhe pak më qartë dhe të shkruani një lloj sqarimi për hadithin e fëmijës që foli sa ishte në gji të nënës?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

I Lartësuar është Allahu, dhe Ai është i Plotëfuqishëm të bëje çdo gjë, si të dojë dhe kur të dojë, dhe nuk ka kufi për Fuqinë dhe Pushtetin e Tij Subhanehu ue Teala.

Ata të cilët kanë folur në djep (foshnje) janë shtatë (që ka argumente për ta, disa numërojnë edhe më shumë), dhe që ta kuptojmë shprehjen “kanë folur në djep”, e ka kuptimin që kanë folur në një moshë që nuk flasin në të fëmijët asnjëherë, (pra nga mosha një ditë e deri sa të flas ky fëmijë normalisht) dhe këto quhen mrekulli që Allahu ua ka dhënë këtyre njerëzve nëpërmjet fëmijëve të tyre siç janë këto raste, në kohë dhe momente të vështira, që t’i mbrojë nga ajo që i akuzojnë, siç është rasti i Merjemes r.a., ose adhuruesit Xhurejxh, ose Jusufit a.s., kur i akuzuan për imoralitet (kurvëri). Allahu menjëherë i mbrojti këta njerëz të pastër dhe të ndershëm siç është tradita e Tij në të tilla raste, që qëndron gjithmonë në mbrojtje të atij që i bëhet padrejtësi, se kush e ruan Allahun në kohë të mirë dhe largohet nga haramet, e ruan atë Allahu kur është në vështirësi dhe i ka mbrojtur këta besimtarë nga këto akuza nëpërmjet gojës së këtyre foshnjave të pastra dhe ë porsalindura siç është rasti i Isait dhe djalit të ngjitur të Xhurejxhit, ku nuk kishte kush t’i mbronte përveç Allahut, dhe nuk kishte kush të dëshmonte për pastërtinë e tyre, por Allahu ju dha gjuhë këtyre foshnjave që të dëshmonin ndershmërinë e tyre, dhe shqiptuan fjalë madhështore që nuk mund t’i thotë as burri mencur nganjëherë dhe i nxorri Allahu të pastërt robërit e tij.

Ose ka qenë e folura e këtyre foshnjave, shkak për qëndrueshmëri deri në momentet e fundit për moskthimin në “shirk” të nënave të tyre kur donin të shtireshin sikur ndërruan fenë nga frika për fëmijët e tyre, siç eshtë rasti i parukieres së Faraonit dhe Nëna e djalit në historinë e hendeqeve prej zjarri, për shkak se thonin: Allahu është Zoti jonë, pra për shkak të besimit të tyre në Allahun dhe tani po t’i sqaroj një nga një:

1. Isai alejhi selam: “Unë jam rob i Allahut…”

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: ”Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje, duke e fshehur veten nga ata. Ne i dërguam Shpirtin Tonë (Xhibrili), i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë. Ajo i tha: “Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut. Ai tha: “Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.” Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!” Iu përgjigj: “Kështu është! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë (Isain) shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.” Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët. Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!”  Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje! Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta! Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme!

O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.” Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?” Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet  dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. (Merjem: 1632)

Fjala e Allahut ” Një zë e thirri nga poshtë”. Thonë komentuesit e Kuranit ai është Isai i porsalindur, dhe ajetet në vazhdim e tregojnë qartë që flet në mbrojtje të nënës së tij i porsalindur.

2. “Djali” i Xhurejxhit: “Babai im është filan bariu”.

Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: ” Tri foshnje kanë folur në djep: Isai, dhe ka qenë nga mesi i israelitëve një njeri të cilin e quanin Xhurejxh. Një ditë kur po falej në faltoren e tij (jashte qytetit) i erdhi e ëma për vizitë dhe e thirri Xhurejxhin. Tha në veten e tij: O Zot nëna apo namazi? Dhe vazhdoi të falej derisa e plotësoi, kthehet e ëma në shtëpi dhe e përsërit vizitën e saj tri ditë dhe ndodh e njëjta gjë. Xhurejxhi në namaz, e thërret nuk i përgjigjet por e plotëson namazin, atëherë ajo tha: ‘O Zoti im, mos e vdis derisa ti tregosh (sprovosh) me laviret (të takohet me ta).

Një ditë e kujtojnë Xhurejxhin një shtresë e prishur nga israelitet dhe deshën t’ia prishnin moralin dhe gjejnë një kurvë të bukur dhe ja dërgojnë kundrejt pagesës.
Kur Xhurejxhi ishte në vendadhurimin e vet, vjen kjo grua e bukur dhe ia ekspozon trupin e saj dhe e fton për dashuri. Xhurejxhi e refuzon këtë gjë dhe e përze. Ajo nga inati takon një çoban që kulloste bagëtitë rreth tempullit dhe bën me të zina/amoralitet dhe ngel shtatzënë, kur lindi e pyetën se kush është i ati? Tha: “Ky është fëmija i Xhurejxhit”. Atëherë u zemëruan njeëzit për këtë punë të felliqur dhe shkojnë tek ai, e fyejnë dhe e rrahin dhe ia prishin tempullin dhe kur urdhëroi mbreti që ta vrisnin, Xhurejxhi iu thotë: “Çfarë keni me mua? Jam i pafajshëm”. I thanë se ti e ke bërë këtë e këtë. Tha: “Më jepni kohë sa të marr abdes dhe të fal dy rekate” dhe kur i mbaroi, shkoi tek foshnja, e vendosi gishtin e tij në barkun e foshnjës dhe i tha: “O vogëlush kush është babai yt?” Vocërraku, i porsalindur iu përgjigj: “Babai im është filan bariu”. Atëherë filluan njerëzit ta perqafonin dhe t’i kerkonin falje dhe i thanë që do t`ja rindërtojnë vend-adhurimin prej Ari (Flori), por Ai refuzoi dhe tha: “Ma ndërtoni prej balte siç ishte.

3. Foshnja që thotë: “O Zoti im, mos më bëj si ky! O Zoti im, më bëj si kjo!”

Një grua israelite po i jepte gji të birit. Pranë saj rastësisht kaloi një kalorës i bukur. Ajo tha:
“O Zoti im, bëje djalin tim që t’i përngjajë këtij kalorësi”. Djali e lëshoi gjirin, u kthye nga kalorësi dhe tha: “O Zoti im, mos më bëj si ky!” Pastaj përsëri vazhdoi të pinte.
(Ebu Hurejre r.a. thotë se sikur po e shoh të Dërguarin e Allahut ﷺ si e thith gishtin e vet duke jua shëmbëlluar fëmijën shokëve). Pastaj sollën një robëreshë dhe po e rrihnin, ndërkaq e ëma e djalit tha: “O Zoti im, mos e bëj djalin tim si kjo!”

Ai e lëshoi gjirin dhe tha: “O Zoti im, më bëj si kjo!”

Pse? – e pyeti e ëma. Ai ju përgjigj: “Kalorësi është njeri i keq e gjakpirës, kurse për robëreshën thonë se ka vjedhur dhe ka bërë zina, kurse ajo nuk ka bërë asgjë nga këto.” [1]

4. Foshnja në historinë e hendeqeve prej zjarri.

Foshnja në historinë e hendeqeve prej zjarri, që tregohet në suren El-Buruxh, ku një mbret mizor thirrte që ta adhuronin atë si zot dhe Allahu nxjerr nga populli i këtij mbreti një djalë besimtar që i ftonte njerëzit në adhurimin e Allahut si Zot të vetëm dhe lënien e adhurimit të Mbretit dhe magjistarit të tij. Kur dëgjon Mbreti, zemërohet dhe vendos zhdukjen e këtij djaloshi, mbas disa atentateve të dështuara për zhdukjen e djaloshit besimtar, më në fund, me mënyrën qe i tregoi djali mbretit, si rrugë e vetme për vrasjen e tij ishte që mbreti të grumbullonte gjithe popullin në një dite të caktuar dhe ta qëllonte djalin besimtar para tyre duke shqiptuar me zë të lartë që të dëgjonin të gjithë të pranishmit: “Në emër të Zotit të këtij djaloshi”. Dhe mbasi e lidh para gjithë popullit të grumbulluar për të parë këtë ngjarje, mbreti thotë: “Në emër të Zotit të këtij djaloshi” dhe e qëllon për vdekje. Atëherë njerëzit thanë: Mbreti nuk mundi ta vrasë djalin besimtar vetëm se kur tha: “Në emër të Zotit të këtij djaloshi” atëherë ne besuam në Zotin e djaloshit besimtar, atëherë mbreti i zemëruar urdhëroi rrethimin e tyre dhe hapjen e hendeqeve të thella dhe ndezjen në të zjarr të madh për djegien e besimtarëve, ndërkohë ushtarët hidhnin në të të gjithe ata që thonin: Zoti ynë është Allahu, derisa erdhi radha e një gruaje që kishte në gjirin e saj një fëmijë të vogël dhe nga dhimbshuria për të, vendosi të shtiret sikur beson që mbreti është zot, por Allahu ia mundësoi këtij fëmije që po pinte gllënjkat e fundit nga gjiri i nënës të tij, që t’i thoshte asaj para ushtareve dhe para mbretit: “Duro, oj nëna ime, se ti je më të drejtën dhe do shpërblehesh për këtë!” dhe duroi dhe i hodhën të dy (nënë e bir) në zjarrin gjigand. Ngjarja është e gjatë dhe kjo ishte përmbledhje hadithesh nga Muslimi, Ahmedi, Nesaiu…). (Sot ky vend ndodhet në jug të Arabise Saudite, në Xhezan dhe është i rrethuar, nuk lejohet hyrja nën moshen 18 vjeç, për shkak se duken kockat dhe hiri sipër tokës sikur ngjarja ka ndodhur para disa vitesh e jo para rreth 1600-1700 viteve).

5. Djali i parukieres së vajzave të faraonit.

Transmeton Abdullah ibn Abasi se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Kur kam qenë në Natën e Isras (udhëtimi i tij natën nga Meka për në Aksa), dëgjova një erë shumë të këndshme dhe i thashë Xhebrailit a.s (që e shoqëronte): “Çfarë është kjo erë kaq e këndshme?” Më tha: “Kjo është era e parukieres së Faraonit dhe fëmijëve të saj”. I thashë: “Si është puna e saj?” Më tha (Xhibrili): Kur ka qenë një ditë duke krehur vajzën e Faraonit i ka shpëtuar nga dora krehëri dhe është ulur për ta kapur dhe ka thënë: “Bismilah”. I ka thënë vajza Faraonit: “Babai im?” I ka thene Parukierja: “Jo, por Zoti im dhe Zoti babait tënd, Allahu”. Dhe shkon vajza e i thotë Faraonit, ky urdhëron që ta sjellin gruan së bashku me pesë fëmijët e saj, dhe i thotë: “Oj filane, a mos ke Zot tjetër përveç meje që e adhuron?” I thotë me qetësinë e besimtares: “Po, Zoti im dhe Zoti yt, Allahu”. Ky urdhëron që të merret një kazan i madh dhe të vendoset në zjarr e të mbushet me vaj dhe më pas urdhëron që të hidhet djali më i madh i saj në vaj të vluar nëse gruaja nuk kthehet në mosbesim/kufër, dhe kështu bëjnë, e hedhin djalin e madh nën ulërimat e tij dhe mbas disa minutash del trupi i tij i djegur nga nxehtësia e vajit, i thonë nënës: A ke Zot tjetër përveç meje tani?

I thotë gruaja: “Po, Zoti im dhe Zoti yt, Allahu”. Atëhrë Faraoni i inatosur urdhëron të merret djali i dytë dhe të hidhet në vaj. E tërheqin me forcë dhe e hedhin në vaj dhe mbas disa minutash del i përcëlluar dhe bashkohet me trupin e vëllait të djegur që notonin sipër vajit të nxehtë, dhe nëna e vëllezërit e tyre shikonin. Përsëri e pyet Faraoni dhe përsëri e njëjta përgjigjje nga nëna e djemve që ia hidhnin njëri pas tjetrit në zjarr (vaj) derisa i ngel më i vogli në gji, ndjen dhembshuri për të, dhe mendon të terhiqet për ta shpëtuar nga vdekja, por Allahu i jep gjuhë dhe shqiptim këtij vogelushi që po pinte nga gjiri i së emes dhe i thotë ky vogëlush:” O nëna ime, mos u tërhiq po hidhu se ndëshkimi i dynjasë (vaji i nxehtë) është më i lehtë se ndëshkimi në botën tjetër”. Atëherë nëna e tij i thotë Faraonit: “Kam një dëshirë”. Cila është dëshira jote? – i thotë Faraoni – se ne do ta plotësojmë. I thotë nëna e djemve: “Dua që t’i grumbullosh kockat e mija dhe të fëmijëve dhe të na varrosësh në të njëjtin varr”. Dhe e hedhin në zjarr me gjithë fëmijën. [2]

6. Dëshmitari i Jusufit a.s

Transmtohet nga ibn Abasi r.a se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Nuk kanë folur në Djep përveç katër (fëmijëve): Isai, dëshmitari i Jusufit a.s., “djali i Xhurejxhit” dhe djali i parukieres së Faraonit. [3]

Kur gruaja e ministrit të Egjiptit i mbylli dyert e dhomës së saj mbasi e kishte futur brenda saj (dhomës) me dredhin e një gruaje të dashuruar, shërbetorin e saj të bukur Jusufin a.s., djalin e Jakubit a.s., dhe e urdhëroi që të kryente marrëdhënie me të, Jusufi i ndershëm refuzoi, dhe tentoi që të shpëtojë nga dredhia e saj duke dalë nga dhoma. Ajo e kapi nga këmisha nga pjesa e kurrizit që ta ndalonte për të realizuar qellimin e saj, ndërkohe iu grisë këmisha nga mbrapa (kurrizi) nga tërheqja dhe ndodhi që erdhi burri i saj, dhe kjo, gruaja për tu justifikuar për atë që kishte bërë ia hodhi fajin Jusufit a.s., duke thënë që ai i ishte vërsulur asaj. Por Allahut që nuk i shpëton asgjë i jep gjuhë që të flasë një fëmije të vogël, në djep dhe të tregojë historinë. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: (Jusufi) tha: “Ajo provoi të më joshte.” Një i afërt i saj (që u gjend aty), pohoi…” (Jusuf: 26) sipas hadithit të transmetuar nga ibn Abasi tregohet që ai ishte foshnje. (Për këtë ka mendime të ndryshme nga dijetarët).

7. Mubarek El-Jemameh “Ti je i Dërguari i Allahut”.

Në një transmetim të Mubared bin Abdullah El-Jemani nga gjyshi i tij ka thënë: Kam shkuar për kryerjen e haxhit të lamtumirës dhe kam hyrë në vendbanimet e Mekës dhe kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ, dhe fytyra e tij ndriçonte si hëna e plotë dhe dëgjova tek ai gjëra interesante, i ka ardhur një burrë nga Jemamah që mbante në duart e tij një djalë të porsalindur (donte ta bekonte i Dërguari i Allahut ﷺ), kur e mori foshnjen i Dërguari i Allahut ﷺ, në duart e tij të bekuara, i thotë: “Kush jam unë?” I përgjigjet foshnja: “Ti je i Dërguari i Allahut”. I thotë Muhamedi ﷺ: “Të drejtën the, Allahu të bekoftë!”. Dhe thonë bashkëfshatarët e tij që djali nuk ka folur më derisa është rritur. [4]

Ibn Haxheri thotë se Dahaku ka thënë në tefsirin e tij që Jahja a.s., ka folur në djep. Begeuij thotë në tefsirin e tij që edhe Ibrahimi a.s., ka folur në djep dhe gjithashtu thonë për Muhamedin ﷺ, sapo ka lindur ka folur duke lutur Allahun.

Allahu e di me se miri dhe prej tij falje kërkojmë.

Murat Basha

———————-

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Sunen Ibn Maxhe

[3] Hakimi në Mustedrek

[4] Bejhekiu në dalail en-nubue