[ad_1]
Dje në mbrëmje emisioni Opinion, te KlanTv, trajtoi temën “A duhet të besojmë te Guru-të?”
U tha e çnuk u tha aty, por ajo që dua të ndalem është se njerëzve edhe njëherë iu përçua mendësia se, me që çdo kush ka të drejtë të besojë çfarë të dojë, dhe askush nuk i imponon tjetrit besimin e tij, gjë që askush nuk po e vë në diskutim, atëherë na u tha, se askush nuk mund ta gjykojë besimin e tjetrit, sepse kjo është zgjedhje e tij personale dhe zgjedhjet personale nuk gjykohen. E reja në këtë mes ishte se te zgjedhjet personale, a thua se po flitej për shije gjellësh dhe rrobash, u futën edhe këto besimet politeiste si Hinduzimi, që hyjnë për herë të parë në Shqipëri. Të gjitha fetë njëlloj janë, thonë disa, dhe të gjithë te Zoti shkojmë, ndaj s’ka rëndësi besimi që zgjedh!
Përzierja e lirisë së besimit me vërtetësinë e një besimi, është e gabuar. Çdo kush është i lirë të besoj ose jo, por kjo liri nuk do të thotë aspak se besimi duhet perceptuar si shije personale, si një zgjedhje absolutisht subjektive, gjithsecili sipas dëshirës dhe tekave të tij. Kjo mendësi, e vjetër tek ne, i mbyll rrugën përzgjedhjes dhe kërkimit të së vërtetës dhe e nxjerr fenë dhe besimin në Zot nga të qenit një subjekt hulumtimi racional, për të arritur të vërtetat sublime që njeriu kërkon në jetë, në një rendje pas emocioneve dhe shijimeve njerëzore, qofshin këto edhe kontradiktore dhe joetike. Kjo mendësi barazon mes monoteizmit dhe politeizmit, mes besimeve transcendente dhe atyre imanente, mes antropomorfizmit dhe abstraksionit, mes magjisë dhe filozofisë etj. Të gjitha janë njëlloj sipas kësaj mendësie, kështu që e vërteta është diçka subjektive dhe ajo u kufizuaka vetëm te zbulimet e shkencës!
Në fakt kjo mendësi, që përfshin të vërtetën tek të gjitha fetë dhe besimet, e ka origjinën në politeizëm, mes tyre edhe nga panteizmi indian, dhe tek ndikimi i tij në të gjitha kulturat e tjera, mes tyre dhe tek vetë fetë me origjinë monoteiste si Judaizmi, Krishtërimi madje edhe tek monoteizmi Islam. Sot kësaj mendësie absurde i fryn më së shumti postmodernizmi, i cili nën ndikimin e modernitetit shekullarist, fenë dhe besimin e sheh si iracional dhe vetëm subjekt të emocioneve njerëzore, jashtë çdo testi vërtetësie. Kjo sepse, për filozofinë që prodhoi modernitetin në thelb Zoti nuk ekziston, dhe besimi është thjesht një sajesë njerëzore, më së shumti një përrallë e bukur për të kënaqur anën irracionale njerëzore. Ky është përfundimi i domosdoshëm logjik i kësaj mendësie absurde që bën bashkë të gjitha paradokset dhe absurditetet e besimeve të pavërteta, duke i barazuar ato me të vërtetat, duke i futur të gjitha në një thes.
Kush beson dhe mendon në këtë mënyrë, në realitet nuk beson në asnjë fe edhe nëse i thotë vetes musliman apo diçka tjetër.
“Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush u mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?”Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? Atëherë, përse largoheni?” (Kurani 10: 32-33)
Justinian Topulli
Kryetar i Lidhjes se Hoxhallareve te Shqiperise
[ad_2]
Burimi