[ad_1]

Download PDF

Disa paqartësi rreth Tevessulit dhe përgjigjja rreth tyre

Përzgjedhur nga libri “Tevessuli dhe llojet e tij” i imam Nasrudin Albanit – Allahu e mëshiroftë

 

Paqartësia e parë: Lutja për zbritjen e shiut që Omeri bëri nëpërmjet Abasit(Allahu qoftë i kënaqur prej tyre)

Për lejimin e tevessu-it (lutjes) nëpërmjet pozitës të veçantë që gëzojnë disa njerëz, ata argumentohen me hadithin e Enesit(r.a.) që ka thënë: “Kur bënte thatësirë e madhe, Umer bin Hatabi lutej për rënien e shiut nëpërmjet Abas bin Mutalibit dhe thoshte: “O Zoti ynë! (Më parë) ne të luteshim Ty nëpërmjet Profetit tonë dhe Ti na lëshoje shi, (ndërsa tani) ne të lutemi Ty nëpërmjet xhaxhait të Profetit tonë, prandaj na lësho shi!” Tha: “Dhe shiu zbriste.”[1]

Me këtë hadith ata kuptojnë se Omeri(r.a.) lutej nëpërmjet pozitës që Abasi(r.a.) kishte te Allahu, duke nënkuptuar në këtë mënyrë se lutja e Omerit nuk ishte gjë tjetër veçse një përmendje e emrit të Abasit gjatë lutjes dhe një kërkesë që ai (Omeri) ia drejtonte Allahut me qëllim që Ai t’u zbriste atyre shi për shkak të Abasit. Sahabet e aprovuan këtë gjë, ç’ka vërteton edhe pretendimin që ata ngrejnë sipas tyre. Ndërsa shkaku që Omeri mënjanoi lutjen nëpërmjet Profetit (alejhissalatu uesselam) – sipas pretendimit të tyre – dhe kaloi te lutja nëpërmjet Abasit në vend që të lutej nëpërmjet Profetit, ka qenë vetëm për të sqaruar lejimin e tevessulit (lutjes) nëpërmjet dikujt tjetër që qëndron më poshtë në pozitë, pavarsisht se ndodhej edhe ai që ishte më i lartë në pozitë. Kjo është arsyeja e vërtetë dhe asgjë tjetër veç kësaj. Kjo që ata kanë kuptuar është e gabuar. Interpretimi i tyre hidhet poshtë nga disa këndvështrime, ku ndër më kryesoret janë:

1- Sipas rregullave të rëndësishme të fesë islame tekstet fetare shpjegojnë njëra-tjetrën dhe nga një temë e caktuar nuk do të kuptohej asgjë nëse teksti do të mbahej i izoluar nga pjesa tjetër e teksteve që kanë lidhje me të. Bazuar në këtë rregull, hadithi i tevessulit të Omerit që u përmend më lart, kuptohet nën dritën e haditheve që kanë lidhje me tevessulin, pasi të mblidhen të gjitha tekstet dhe të verifikohen. Gjithashtu, ne dhe ata që kanë qëndrim të kundërt, përputhemi në faktin që te thënia e Omerit: “(Më parë) ne të luteshim Ty nëpërmjet Profetit tonë, ……., (ndërsa tani) ne të lutemi Ty nëpërmjet xhaxhait të Profetit tonë,” ka diçka që nuk pëmendet por nënkuptohet, e cila patjetër duhet të marret parasysh. Pjesa që nuk përmendet në hadith por që nënkuptohet ose ka kuptimin: “(Më parë) ne të luteshim Ty nëpërmjet “pozitës së” Profetit tonë, , ……., (ndërsa tani) ne të lutemi Ty nëpërmjet “pozitës së” xhaxhait të Profetit tonë,” që përkon me mendimin e tyre, ose ka kuptimin: “(Më parë) ne të luteshim Ty nëpërmjet “lutjes së” Profetit tonë, ……., (ndërsa tani) ne të lutemi Ty nëpërmjet “lutjes së” xhaxhait të Profetit tonë”, që përkon me mendimin tonë. Që fjala të kuptohet qartë, patjetër duhet të merret parasysh njëra nga këto dy kuptime.

Atëherë, që të njohim se cili nga dy kuptimet është i sakti, duhet që patjetër t’i drejtohemi sunetit që të na sqarojë mënyrën e tevessulit (lutjes) të sahabeve nëpërmjet Profetit të Allahut (alejhissalatu uesselam ). A vërejmë se secili prej tyre mbyllej në shtëpinë e vet apo në ndonjë vend tjetër kur bënte thatësirë e madhe, apo grumbulloheshin bashkë pa praninë e Profetit dhe pastaj i luteshin Zotit duke thënë: “O Zoti ynë! Nëpërmjet profetit Tënd, Muhamedit, shenjtërisë së tij dhe pozitës që ai gëzon te Ti, (të lutemi) na lësho shi!”? A vepronin kështu apo shkonin vetë te Profeti dhe kërkonin prej tij që t’i lutej Allahut për ta? Dhe ai ua plotësonte kërkesën duke iu lutur Allahut me përulje derisa të binte shi?

Përsa i përket mënyrës së parë, ajo nuk gjendet fare në traditën e nderuar të Profetit dhe as të sahabeve. Sikurse askush nga brezat e mëvonshëm e as nga rrymat e ndryshme, nuk mund të sjellë ndonjë argument që vërteton se mënyra e tevessulit të sahabeve ka qenë ajo që gjatë lutjeve të tyre ata përmendnin emrin e Profetit dhe i kërkonin Allahut atë çfarë dëshironin nëpërmjet nderit dhe pozitës që kishte Profeti te Allahu. Por përkundrazi, ajo që gjejmë me shumicë te tradita profetike dhe me të cilën janë mbushur librat e sunetit është mënyra e dytë. Aty bëhet e qartë se kur kishin ndonjë nevojë apo u kishte rënë ndonjë hall, sahabet e nderuar shkonin te Profeti a..s dhe i kërkonin atij direkt që të lutej Zotit për ta. Kjo do të thotë se ata i luteshin Allahut nëpërmjet lutjes që bënte Profeti për ta dhe jo me ndonjë mënyrë tjetër përveç kësaj. Kjo ishte mënyra e lutjes së tyre nëpërmjet Profetit a.s.

Për te kjo mënyrë na udhëzon edhe fjala e Allahut në Kuran: {Ne i kemi nisur të dërguarit vetëm me qëllimin që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre. Dhe në qoftë se ata, kurdo që ta ngarkonin veten (me gjynahe), të vinin te ti për t’i kërkuar falje Allahut dhe i Dërguari t’i lutej Allahut për shfajësimin e tyre, do ta vërenin se Allahu me të vërtetë është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.} ( En-Nisa, 64).

Prej këtij shembulli është edhe hadithi i Enesit (r.a ), që flet për ardhjen e beduinit ditën e premte në xhami, kur Profeti po mbante hytbe, ku i paraqiti atij gjendjen e vështirë që po kalonin; tokën e tharë prej thatësirës, ngordhjen e bagëtisë etj. Gjithashtu ai kërkoi nga Profeti (alejhissalatu uesselam) që t’i lutej Allahut për ta që t’i shpëtonte nga kjo gjendje dhe Profeti ia plotësoi kërkesën. Ndërkohë Allahu e përshkruan Profetin me fjalët e Tij: {Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.} (et-TEUBE 128). Profeti iu lut Zotit për ta dhe Ai iu përgjigj lutjes së tij, i mëshiroi robët e Vet, përhapi mëshirën e Tij dhe e gjallëroi tokën e tyre të vdekur. Prej këtij shembulli është gjithashtu edhe rasti i ardhjes së të njëjtit beduin apo të ndonjë tjetri të premten pasardhëse te i Dërguari i Allahut ndërkohë që po mbante hytben dhe iu ankua për bllokimin e rrugëve (nga shiu), rrënimin e shtëpive dhe ngordhjen e bagëtive. Beduini i kërkoi Profetit që t’i lutej Zotit për ta, me qëllim që Allahu të ndalonte reshjet e shiut. Profeti ia plotësoi kërkesën dhe iu lut Zotit e Ai përsëri iu përgjigj lutjes së tij. Gjithashtu, prej këtij shembulli është edhe hadithi që e trasnmeton Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj), kur thotë: “Njerëzit u ankuan te Profeti (alejhissalatu uesselam) për mungesën e shirave. Atëherë ai urdhëroi t’i sillnin një minber (shkallare) dhe e vendosën në vendin e faljes dhe aty u caktoi njerëzve një ditë në të cilën do të grumbulloheshin.”

Aishja thotë: “Kur u shfaq vetulla e diellit (pas daljes së sabahut), Profeti erdhi dhe u ul në minber, e madhëroi Allahun me tekbir dhe pasi e lavdëroi dhe e falënderoi Atë tha: “Ju u ankuat për thatësirën dhe vonimin e shirave përtej kohës së tyre, kurse Allahu ju ka urdhëruar t’i luteni Atij dhe ju ka premtuar që do t’jua pranojë lutjen …”, gjithashtu, Profeti aty i lutet Allahut dhe fal namazin duke i prirë njerëzve. Allahu u zbriti atyre shi sa rrodhën përrenjtë, ndërsa ata nxituan për në shtëpitë e tyre. Profeti qeshi sa iu dukën dhëmballët dhe tha: “ Dëshmoj se me të vërtetë Allahu është i fuqishëm për gjithçka dhe unë jam rob dhe i dërguari i Tij.”[2]

Të tilla hadithe dhe të ngjashme me këto që kanë ndodhur në kohën e Profetit (alejhissalatu uesselam) dhe në kohën e sahabeve të nderuar (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre), sqarojnë në atë mënyrë të prerë që nuk pranon asnjë debat se lutja nëpërmjet Profetit apo nëpërmjet besimtarëve të mirë, të cilën e praktikonin të parët tanë të mirë, ka qenë pikërisht duke shkuar nevojtari te personi të cilit i kërkonte të lutej për të. Nevojtari ia sqarornte atij gjendjen e vet dhe kërkonte prej tij që t’i lutej Allahut për të, në mënyrë që të realizohej kërkesa e tij. Ai ia plotësonte kërkesën dhe pas kësaj Allahu ia pranonte lutjen.

2- Kjo pjesë e kuptimit të vesiles që sqaruam është edhe mënyra që njihet dhe zbatohet në jetën reale të njerëzve. Për shembull, kur një njeri ka nevojë për drejtorin, për presidentin apo për një zyrtar, ai kërkon dikë (ndërmjetës) që i njeh ata, ia paraqet atij hallin apo dëshirën që ka dhe pastaj ky ndërmjetës e përcjell kërkesën te personi përgjegjës, i cili në shumicën e rasteve e plotëson atë. Ky është tevessuli që njihej te arabët që në kohët e vjetra, i cili vazhdon ende Kur njëri prej tyre thotë: “Nëpërmjet dikujt unë i kërkova filanit”, nënkupton që ka shkuar te ndërmjetësi dhe i ka treguar hallin e tij, e ky ia ka paraqitur filanit, duke i kërkuar që t’ia plotësojë. Sikurse nga kjo nuk kuptohet që të ketë shkuar te personi përgjegjës dhe ti ketë thënë, për hatrin e filanit (ndërmjetësuesit) dhe pozitës që ai gëzon te ti, ma plotëso këtë nevojë!

Kështu që lutja (tevessuli) që i drejtohet Allahut nëpërmjet besimtarit të mirë, nuk nënkupton lutjen nëpërmjet qënies, pozitës dhe hatrit të besimtarit të mirë, por përkundrazi është lutje nëpërmjet lutjes së tij, që ndërmjetësuesi ia drejton Allahut të Lavdëruar. Për pasojë, ky është edhe kuptimi i fjalës së Omerit(r.a.): “O Zoti ynë! (Më parë) ne të luteshim Ty nëpërmjet Profetit tonë dhe Ti na lëshoje shi..”, që do të thotë: që kur bënte thatësirë, shkonin te i Dërguari i Allahut dhe i kërkonim atij që t’i lutej Allahut për ne.

3- Këtë e konfirmon dhe e qartëson fundi i fjalës së Omerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): “(ndërsa tani) ne të lutemi Ty nëpërmjet xhaxhait të Profetit tonë, prandaj na lësho shi!”, që do të thotë se: pas vdekjes së Profetit tonë, ne sollëm Abasin, xhaxhain e Profetit dhe i kërkuam atij t’i lutej Zotit për ne që të na zbriste shi.

A e mendoni pse Omeri nuk u lut nëpërmjet Profetit, por nëpërmjet Abasit, duke e ditur që Abasi sado të kishte pozitë të lartë, nuk mund të krahasohej me pozitën e Profetit? Sipas opinionit tonë, përgjigjja është kjo: sepse tevessuli (lutja) nëpërmjet Profetit pas vdekjes së tij është e pamundur, prandaj, si mund të shkonin te varri i tij dhe t’i sqaronin situatën në të cilën ndodheshin, t’i kërkonin që të lutej për ta, të bënin “Amin” pas lutjes së tij, ndërkohë që ai kishte kaluar për te shoqëria e lartë në Xhenet, kishte kaluar në një gjendje që ndryshonte nga gjendja dhe kushtet e jetës së dynjasë, të cilën askush tjetër përveç Allahut nuk e njihte? Atëherë, si mund të shpresonin ata te lutja dhe shefati (ndërmjetësimi) i Profetit (alejhissalatu uesselam), kur ndërmjet tyre dhe atij ka një ndarëse, ashtu siç thotë Allahu: “Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë-berzeh) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.”( El-Mu’minun; 100)?

Për këtë arsye, Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) që ishte edhe arab i kulluar, që e kishte shoqëruar Profetin në të shumtën e kohës dhe të ngjarjeve, e njihte më së miri atë, e kishte kuptuar fenë e tij ashtu siç duhej dhe që Kurani në disa raste e kishte aprovuar atë, iu drejtua tevessulit të mundshëm, prandaj edhe zgjodhi Abasin, për shkak të afërsisë farefisnore me Profetin nga njëra anë dhe të besimit e përkushtimit të tij nga ana tjetër. E kështu, ai kërkoi prej tij që të lutej për rënien e shiut. Nuk i takonte Omerit dhe askujt tjetër që të linin tevessulin (lutjen) nëpërmjet Profetit dhe t’i drejtoheshin tevessulit nëpërmjet Abasit apo nëpëmrjet dikujt tjetër nëse tevessuli nëpërmjet Profetit do të ishte i mundur. Kurrë nuk do të ishte e llogjikshme që sahabet ta aprovonin Omerin në këtë veprim, sepse kalimi nga tevessuli nëpërmjet Profetit për te tevessuli nëpërmjet dikujt tjetër, nuk do të ishte tjetër vetëm se si largimi nga ndjekja e Profetit në namaz (bie fjala) për te ndjekja e dikujt tjetër. Kjo sepse sahabet e njihnin vlerën dhe pozitën e Profetit të tyre, deri në atë masë sa askush tjetër nuk mund t’i konkuronte. Këtë të vërtetë e shikojmë qartë te hadithi që e transmeton Sehl bin Sa’d es-Saidij, se Profeti (alejhissalatu uesselam) shkoi te fisi beni Amr bin Auf që t’i pajtonte ndërmjet veti, ndërkohë koha e namazit hyri dhe muezini shkoi te Ebu Bekri e i tha: A do falesh si imam për njerëzit, që ta thirr ikametin? Atëherë Ebu Bekri filloi të falej si imam. Ndërkohë që njerëzit ishin në namaz, i Dërguari i Allahut , erdhi dhe doli mënjanë derisa u fut në rresht. Njerëzit filluan të përplasnin shuplakat e duarve, porse Ebu Bekri ishte i atillë, që nuk e kthente asnjëherë kokën në namaz. Vetëm se kur përplasja e shuplakave të duarve u shtua, ai e ktheu kokën dhe pa të Dërguarin e Allahut cili i bëri me shenjë që të qëndronte në vend dhe Ebu Bekri ngriti duart lart dhe falënderoi Allahun e Madhëruar për atë çfarë e urdhëroi i Dërguari i Allahut, më pas u spostua dhe u fut në rresht e i Dërguari i Allahut doli imam derisa e mbaroi namazin. Pastaj, Profeti tha: “O ebu Bekër! Çfarë të pengoi ty që kur të urdhërova, ti të qëndroje në vend?” Ebu Bekri u përgjigj: “nuk i takon djalit të Ebu Kuhafes që të falet (imam) para të Dërguarit të Allahut.”[3] Pra, vërehet se sahabet nuk pranuan që të vazhdonin faljen pas ebu Bekrit, ndërkohë që erdhi i dërguari i Allahut, po ashtu edhe Ebu Bekri, nuk ia lejoi vetes që të qëndronte në atë vend, edhe pse Profeti e urdhëroi për këtë. Atëherë, pse vepruan kështu? Për shkak të respektit për Profetin e tyre dhe edukimit të tyre në këtë formë, si edhe për shkak se ata ia njihnin vlerën dhe gradën. Kur shokët e Profetit nuk ishin të kënaqur që të faleshin pas dikujt tjetër veçse pas të Dërguarit të Allahut, në një kohë që kjo ishte e mundur dhe se ata e kishin nisur tashmë namazin në mungesë të tij, atëherë si mund të braktisnin tevessulin (lutjen) nëpërmjet tij, pas vdekjes së tij nëse kjo do të ishte e mundur dhe t’i drejtoheshin tevessulit (lutjes) nëpërmjet dikujt tjetër? Po ashtu, sikurse edhe Ebu Bekri nuk pranoi të falej imam për njerëzit, po ashtu është e qartë që edhe Abasi do ta refuzonte që njerëzit të luteshin nëpërmjet tij. Ai do të kërkonte që lutja të bëhej nëpërmjet Profetit, gjithmonë nëse kjo do të ishte e mundur.

Vërejtje: Nga njëra anë tjetër, kjo tregon të menduarit e dobët të atyre që pretendojnë se Profeti është i gjallë në varrin e vet, njëlloj siç ka qenë i gjallë edhe në jetën e dynjasë, sepse po të kishte qenë kështu, atëherë nuk do të ishte e pranueshme që ata ta falnin namazit pas dikujt tjetër, që nuk i afrohet aspak Profeti a.s. për nga vlera dhe pozita. Askujt nuk i takon të bie ndesh për çfarë thashë, për arsyen se na është përcjellë hadithi nga i dërguari i Allahut që ka thënë: “Në varr unë jam i gjallë dhe i freskët; kush më hedh selam, (edhe) unë i jap selam.[4] Prej kësaj përftohet se Profeti na qenka i gjallë si në jetën e dynjasë dhe se kur lutesh nëpërmjet tij, ai na dëgjon dhe na përgjigjet, kështu që arrihet qëllimi ynë dhe plotësohen dëshirat tona, gjithashtu edhe nuk paska dallim ndërmjet gjendjes së tij gjatë kohës që ishte gjallë dhe asaj pas vdekjes!? Askush nuk duhet të kundërshtojë nëpërmjet kësaj që u tha më lart, sepse është e papranueshme nga dy drejtime:

E para, nga ana e shkencës së hadithit, që në mënyrë të përmbledhur hadithi i lartpërmendur është hadithi i pabazë sa i përket mënyrës në të cilën është përcjellë. Sikurse edhe fjala (i freskët – i njomë) nuk ekziston absolutisht në asnjë nga librat e haditheve, por kuptimi i saj është përcjellë në disa hadithe autentike, si për shembull: “Dita më e mirë e juaja është dita e premte(xhuma). Në atë ditë është krijuar Ademi, në atë ditë ka vdekur, në atë ditë i fryhet Surit, në atë ditë bëhet Es-Sai’ka (fryrja e parë me të cilën vdesin krijesat), prandaj shtoni salavatet për mua në këtë ditë, sepse ato më përcillen mua!”. Të pranishmit thanë: “O i dërguari i Allahut! Si do të të përcillen ty salavatet tona, kur ti je i tretur? Tha: “Allahu ia ka ndaluar tokës që të tresë trupat e profetëve.[5]. Gjithashtu, fjala e Profetit: “Profetët janë të gjallë në varret e tyre duke u falur.[6] si edhe: “Natën e Israsë kalova nga Musai që po falej në varrin e tij.[7] si edhe: “Allahu ka engjëj që qarkullojnë, të cilët m’i përcjellin selamet që muslimanëtm’i dërgojnë mua.”[8]

E dyta, përgjigjja e kësaj është edhe juridike (fik’hije), se jeta e Profetit pas vdekjes së tij nuk është njëlloj me jetën e tij para vdekjes, sepse jeta e berzahut (e varrit) është pjesë e botës së fshehtë (gajb), të cilës vetëm Allahu ia di esencën. Por që dihet dhe është e vërtetuar se ajo ndryshon nga jeta e dynjasë dhe nuk i nënshtrohet ligjeve të saj, sepse njeriu në jetën e dynjasë han dhe pin, merr frymë, martohet, lëviz, kryen nevojat personale, sëmuret, flet dhe askush nuk mund ta vërtetojë që dikush pas vdekjes, qoftë edhe për Profetët, ku në rradhë të parë edhe Profeti ynë, pas vdekjes i paraqiten gjëra të tilla. Ajo që e konfirmon këtë, është fakti se sahabet nuk përputheshin me njëri tjetrin në shumë çështje pas vdekjes së Profetit, por asnjërit prej tyre nuk i erdhi ndërmend që të shkonte te varri i Profetit dhe të këshillohej me të e as t’i kërkonte atij se cili qëndrim ishte i drejti në lidhje me këto çështje. Pse nuk vepruan kështu?! Përgjigjja është shumë e qartë, sepse që të gjithë sahabet e dinin se Profeti ishte shkëputur nga jeta e dynjasë dhe jeta e tij nuk përputhej me realitetin dhe ligjet e jetës së dynjasë. I Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam ) është i gjallë pas vdekjes së tij, i gjallë me jetën më të plotë që njeriu mund të kalojë në jetën e berzahut, por kjo nuk ngjason me jetën e dynjasë. Ndoshta, ajo që na drejton te ky përfundim është edhe fjala e Profetit: “Gjithkush që të ma hedhi selamin, Allahu ma kthen shpirtin derisa t’ia kthej atij selamin.”[9] Sido që të jetë, realitetin e botës së (berzahut) nuk e di askush tjetër përveç Allahut të Lartësuar, për këtë arsye, nuk lejohet krahasimi i jetës së berzahut apo i jetës së botës tjetër duke u bazuar në jetën e dynjasë. Ashtu sikurse nuk lejohet që njërën prej tyre ta gjykosh me rregullat e jetës tjetër, por përkundrazi, çdonjëra ka formë të veçantë dhe gjykim të caktuar, që përngjasojnë vetëm në emër, kurse realitetin e di vetëm Allahu.

Pas kësaj vërejtjeje, kthehemi aty ku ishim, te kundërpërgjigjja ndaj atyre që kundërshtojnë në hadithin e tevessulit të Omerit nëpërmjet Abasit, prandaj themi:

Arsyetimi që ata sjellin në lidhje me lënien nga Omeri r.a të tevessulit nëpërmjet Profetit (alejhissalatu uesselam ) dhe kalimin për te tevessuli nëpërmjet Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), duke u shprehur se Omeri ka patur për qëllim të bërjë të qartë lejimit e tevessulit nëpërmjet dikujt që ndodhet në pozitë më të ulët në prezencën e atij që gëzon një pozitë më të lartë, ky një arsyetim është qesharak dhe i habitshëm. Si është e mundur që Omeri apo ndonjë sahab tjetër i nderuar t’i shkonte nëpër mend ky detaj juridik dhe devotshmërie i vonuar, ndërkohë që i shikonte njerëzit në gjendje të vështirë, të dhimbshme dhe të mjerueshme, sa gati nuk vdisnin nga uria dhe etja nga mungesa e ujit dhe ngordhja e bagëtisë, nga mungesa e të mbjellave të tokës, aq sa ai vit u quajt edhe viti i ”remade-s” (i hirit)? Si mund ti vinte atij nëpër mend kjo filozofi juridike në këtë situatë të vështirë dhe të braktiste instrumentin e madh në lutjen e tij që ishte tevessuli nëpërmjet Profetit më të madh( alejhissalatu uesselam)? Duke supozuar që do të ishte e lejuar, përse duhet të përdorte ndërmjetësimin e vogë, që ishte tevessuli nëpërmjet Abasit dhe që nuk krahasohet me ndërmjetësimin e parë, pra me atë të Profetit a.s.?! Përse? (Sipas tyre), vetëm e vetëm për t’ia bërë të qartë njerëzve se u lejohet tevessuli nëpërmjet dikujt që ndodhet në pozitë të poshtme në prezencën e atij që është në pozitë më të lartë!!

Është fakt i ditur dhe i dëshmuar se kur njeriut i bie ndonjë fatkeqësi, ai i drejtohet mjetit më të fortë dhe më frytdhënës për të larguar fatkeqësinë, ndërsa mjetet e tjera i lë për një kohë tjetër të rehatshme. Pikërisht, kështu e kishin kuptuar edhe vetë injorantët idhujtarë, kur i luteshin idhujt e tyre në kohë rehatie, por që i braktisnin ata në kohë vështirësie dhe luteshin Allahut, që thotë: {Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i veshin Atij ortakë (në adhurim)}[10].

Prandaj, nga kjo kuptojmë se njeriu e ka nga natyra e vet që në kohë vështirësie të kërkojë ndihmë nga forca më e madhe dhe nëpërmjet mjeteve më të forta, ndërkohë që në kohë sigurie dhe lehtësie, mund t’i drejtohet mjeteve më pak të forta. Një çështje tjetër, të cilën e themi si kundërpërgjigje ndaj paqartësisë së tyre, është se po supozojmë që Omerit i shkoi nëpër mend që ta sqarojë këtë rregull juridik (fikhij) të pretenduar, por a nuk i shkoi nëpër mend edhe Muavijes dhe Dehak bin Kajsit kur u lutën(me tevessul) nëpërmjet tabi’init të nderuar Jezid bin el-Es’ued el-Xhureshi? Nuk ka dyshim se ky është një preteks dhe mbingarkesë për tu mos u patur zili.

E treta: Te hadithi i lutjes së Omerit nëpërmjet Abasit për rënien e shiut (që e transmeton Enesi), ne vërejmë një detaj që ia vlen t’i kushtosh vëmendje, pikërisht te fjala e tij: “Kur bënte thatësirë, Umer bin Hatab lutej për zbritjen e shiut nëpërmjet Abas bin AbduMutalibit”; ku tregohet se për rënien e shiut, Omeri në mënyrë të vazhdueshme, lutej nëpërmjet duasë (lutjes) së Abasit. Kjo do të thotë se ky është një argument i fortë kundra atyre që e komentojnë veprimin e Omerit se ai nuk u lut nëpërmjet të Dërguarit të Allahut, por nëpërmjet Abasit, për të bërë të qartë se lejohet tevessuli nëpërmjet dikujt që ndodhet në pozitë më të ulët në prezencën e atij që është në pozitë më të lartë. Prandaj, themi se po të kishte qenë kështu, atëherë Omeri do ta vepronte këtë gjë vetëm një herë të vetme dhe nuk do të vazhdonte ta vepronte sa herë që lutej për shi. Kjo është mjaft e qartë dhe me lejen e Allahut nuk mund t’i shpëtojë dijetarëve.

E katërta: Disa transmetime të vërteta të hadithit, kur e përcjellin duanë e Abasit, e komentojnë atë si aprovim ndaj kërkesës së Omerit. Një prej këtyre haditheve është ai që e shënon Ibn Haxher el-Askelani (Allahu e mëshiroftë), të cilin e përcjell në “Fet’h” (3/150) duke thënë: “Në “el-Ensab” Zubejr bin Bekar e sqaron formën e lutjes së Abasit në këtë situatë, po ashtu edhe kohën kur ka ndodhur kjo ngjarje, ku me një zinxhir të tij transmetimi, ai na tregon se kur Omeri u lut për shi nëpërmjet Abasit, ai (Abasi) tha: “O Allah! Nuk ka zbritur ndonjë fatkeqësi, vetëm se prej ndonjë gjynahu dhe nuk është larguar (fatkeqësia), vetëm se me pendim! Nëpërmjet meje, njerëzit të janë drejtuar Ty për shkak të pozitës që unë kam te Profeti; këto janë duart tona që me gjynahe të janë drejtuar Ty dhe balluket tona me pendesë, prandaj na zbrit shi!” Ai tha: “Ra një shi aq i madh sa toka mbiu dhe njerëzit jetuan.”[11]

 

Nga ky hadith kuptohet:

1– Se tevessuli ka qenë nëpërmjet lutjes së Abasit dhe jo thjesht nëpërmjet prezencës fizike të tij, sikurse e kanë sqaruar Zubejr bin Bekar e të tjerë. Kjo është një përgjigje e qartë ndaj atyre që pretendojnë se tevessuli i Omerit u krye duke përdorur vetëm prezencën fizike të Abasit dhe jo duanë e tij. Por po të kishte qenë kështu sikur ata pretendojnë, nuk do të ishte e nevojshme që Abasi të ngrihej dhe të lutej me dua tjetër pas duasë së Omerit.

2– Omeri e thotë qartë, se më parë ata luteshin nëpërmjet Profetit kur ishte gjallë, ndërsa në këtë ngjarje, ai lutet nëpërmjet Abasit, xhaxhait të Profetit. Gjithashtu nuk ka dyshim se të dy këto lutje, si tevessuli nëpërmjet Profetit, ashtu edhe ai nëpërmjet Abasit, kanë qenë të një lloji të vetëm. Në kohën që lexuesit i bëhet e qartë se tevessuli i sahabeve nëpërmjet Profetit ka qenë tevessul nëpërmjet duasë së tij, atëherë si rezultat i kësaj del se edhe tevessuli i tyre nëpërmjet Abasit ka qenë po ashtu nëpërmjet duasë së tij, pra të një lloji. Argumentimi për tevessulin nëpërmjet Profetit, se ka qenë vetëm nëpërmjet duasë së tij e mbështet edhe transmetimi i El-Ismailit (në Mustehrexhin e tij të Sahihut) të këtij hadithi me shprehjen: “Kur bënte thatësirë në kohën e Profetit, ata luteshin nëpërmjet tij për zbritjen e shiut. Ai lutej për ta që të zbriste shi dhe shiu u zbriste. Ndërsa kur halife ishte Omeri, ….)[12] . Hadithin[13] e kam përcjellur nga “el-Fet’h”(2/399), kurse te fjala e tij: “Ai lutej për ta që të zbriste shi” është e drejtëpërdrejtë që Profeti kërkonte për ta prej Allahut që t’iu zbriste shi.

Në “En-Nihaje” të Ibn Ethirit thuhet: “(el-Isitiska’) është kërkimi i shiut. D.m.th. kërkimi i zbritjes së tij nëpër vende dhe njerëz. Thuhet: “Allahu i zbriti njerëzve shiun dhe i furnizoi ata me ujë. ..” Kur kjo është e qartë, atëherë fjala e tij në këtë transmetim: (ata për zbritjen e shiut luteshin nëpërmjet tij) do të thotë: nëpërmjet duasë së tij. Gjithashtu edhe fjalët e tij në transmetimin e parë: (të luteshim Ty nëpërmjet Profetit tonë) do të thotë: nëpërmjet duasë së tij, nuk ka mundësi që nga i gjithë transmetimi të kuptohet gjë tjetër përveç kësaj. Gjë të cilën e mbështet edhe pika më poshtë:

3– Sikur tevessuli i Omerit të kishte qenë nëpërmjet prezencës fizike të Abasit, apo pozitës së tij te Allahu, Omeri nuk do ta braktiste tevessulin nëpërmjet Profetit me këtë kuptim, nëse kjo do të kishte qenë e lejuar. Atëherë, lënia e kësaj nga Omeri dhe kalimi për te tevessuli nëpërmjet duasë së Abasit, është argumenti më i fortë se Omeri dhe sahabet që ishin me të, nuk ishin të mendimit për tevessulin nëpërmjet qenies së profetit. Në këtë drejtim vazhdoi edhe rruga e selefëve pas tyre, sikurse e pe vetë edhe tevessulin e Muavije bin ebi Sufjanit dhe ed-Dehak bin Kajsit nëpërmjet Jezid bin el-Es’uedel-Xhureshi. Në këto dy raste, duaja e tij ishte e qartë dhe e hapur. Prandaj, a është e mundur që të gjithë ata bashkarisht të braktisnin tevessulin nëpërmjet qenies së Profetit nëse kjo do të kishte qenë e lejuar, e aq më tepër që ata që kundërshtojnë pretendojnë se kjo është më e mirë se tevessuli nëpërmjet duasë së Abasit dhe të tjerëve përveç tij? Kjo nuk ka dyshim se as nuk është e lejueshme e as e llogjikshme. Por përkundrazi, unanimiteti i sahabeve është argumenti më i fortë se tevessuli i lartëpërmendur nuk ka qenë i lejuar, sepse ata (sahabet) ishin ata që më së shumti nuk e ndërronin atë që është më e mirë me atë që është më e dobët.

 

Një kundërshtim dhe kundërpërgjigjja ndaj tij

 

Përgjigjja e dhënë nga autori i librit “Misbah ez-zuxhaxhe fi feuaid kada’ el-haxhe”(fq 25) për lënien e Omerit të tevessulit nëpërmjet qenies së Profetit, ku thotë: “Omerit nuk i kishte mbërritur hadithi i tevessulit të ‘Ed-derir’ (i të verbërit), sepse po ta dinte, ai do të lutej nëpërmjet qenies së profetit” është një përgjigje e pavlefshme nga disa aspekte:

1- Hadithi i të verbërit tregon për vetë atë që tregon edhe tevessuli i Omerit, tevessulin nëpërmjet duasë dhe jo nëpërmjet trupit.

2- Tevessuli i Omerit nuk u bë fshehtas, por përkundrazi u bë haptas në sy të njerëzve, ku në mesin e tyre ndodheshin edhe sahabet e mëdhenj prej muhaxhirëve dhe ensarëve. Nëse hadithi i të verbërit qenka e mundur që Omerit t’ii ketë shpëtuar, por a mund t’i shpëtonte të gjithë sahabeve të pranishëm?!

3- Omeri e përsëriste këtë formë lutjeje (tevessuli) sa herë që banorëve të Medinës i vinte ndonjë rrezik, ose sa herë ishte e nevojshme që të luteshin për zbritjen e shiut, sikurse e tregon edhe shprehja e Enesit në hadithin e larpërmendur me fjalët: (sa herë që bënte thatësirë, Omeri lutej për shi nëpërmjet Abasit)[14]. Po ashtu edhe Ibn Abasi e ka transmetuar prej Omerit, siç e tregon edhe Ibn Abdulberri në “El-Istij’ab”(3/98). Atëherë, kur lejohet që Omerit kjo gjë mund ti ketë shpëtuar herën e parë, a lejohet që të ketë vazhduar në padituri rreth kësaj çështjeje sa herë që lutej nëpërmjet Abasit për zbritjen e shiut, në një kohë që bashkë me të ndodheshin edhe muhaxhirët edhe ensarët e ata të mos flisnin e të mos i tregonin që kishin dijeni për hadithin e të verbërit?! O Zot! Kjo do të nënkuptonte akuzimin ndaj gjithë atyre sahabeve se ata absolutisht nuk e dinin hadithin e i të verbërit, ose të paktën në të kundërt ata kishin kuptuar nga hadithi se ai nuk fliste për tevessulin me fizikun dhe qënien e dikujt. Sa për të parën (që ata nuk e dinin hadithin), kjo është një e pavërtetë që kuptohet qartazi, ndërsa e dyta (që ata e kishin kuptuar hadithin në atë mënyrë që nuk tregonte për tevessulin nëpërmjet fizikut dhe qenies së dikujt), kjo është e vërtetë, sepse sahabet po ta dinin se hadithi i të verbërit tregonte për tevessulin e pretenduar, nuk do ta linin tevessulin nëpërmjet qenies së Profetit dhe të kalonin te tevessuli nëpërmjet Abasit, sikurse u fol më lart.

4- Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) nuk është ai i vetmi që nuk iu drejtua tevessulit nëpërmjet qenies së Profetit, për të kaluar te tevessuli nëpërmjet duasë, por përkundrazi, në këtë rrugë, atë e ndoqi edhe Muavija bin ebi Sufjan, i cili iu drejtua tevessulit nëpërmjet Jezid bin el-Es’ued dhe nuk iu drejtua tevessulit nëpërmjet qenies së Profetit (alejhissalatu uesselam ), ndërkohë që bashkë me të ishin prezentë edhe një grup sahabesh si edhe më të nderuarit e tabiinëve. A mund të thuhet përsëri se Muavija dhe ata që ishin bashkë me të, nuk e dinin hadithin e të verbërit?! E njëjta pyetje gjithashtu bëhet edhe për tevessulin që bëri Ed-Dehak bin Kajs nëpërmjet Jezid bin el-Es’ued.

Pastaj, autori i “El-Misbah” vjen me një përgjigje tjetër, i ndjekur prej fanatikëve dhe mos-aprovuesve, ku thotë: “Me tevessulin nëpërmjet Abasit, Omeri ka dashur të ndjekë shembullin e Profetit në nderimin dhe respektimin e Abasit. Kjo gjë ka ardhur qartazi nga Omeri: transmeton Ez-Zubejr bin Bekar në (el-En’sab), nëpërmjet Daud bin Ata’, nga Zejd bin Eslem, nga Ibn Omeri se ka thënë: “Në vitin e Ramades, Omeri u lut për zbritjen e shiut nëpërmjet Abas bin Abdulmutalibit dhe iu drejtua njerëzve: I dërguari i Allahut ( alejhissalatu uesselam) e respektonte dhe e nderonte Abasin si fëmija babain e vet, prandaj edhe ju o njerëz, ndiqni shembullin e tij dhe merreni atë (Abasin) si mjet për tu afruar te Allahu ..!” “. E transmeton el-Beladhuriju nga Hisham bin Sa’d, nga Zejd bin Eslem, nga babai i tij.[15]

Përgjigjja jepet nga disa drejtime:

1-Mospranimi idesë se ky transmetim është i saktë, për arsye se ai përcillet nga ana e Daud bin Ata-së’, që është nga Medina dhe është i dobët siç thuhet në “Takrib”, si edhe nga ana e Ez-Zubejr bin Bekar, siç e përcjell Hakimi (3/334) dhe nuk ka folur për të. Ndërsa Dhehebiu shton duke thënë: “Daudi është krejtësisht i papranueshëm …., ndërsa transmetuesi prej tij është Saide bin Ubejdilah el-Muzeni, për të cilin nuk kam parë dikë që të flasë për biografinë e tij. Pastaj, në zinxhirin transmetues ka çrregullim dhe mospërputhje.[16]

 

2- Edhe sikur ky transmetim të ishte i saktë, ai tregon pikërisht shkakun për të cilin Omeri u lut nëpërmjet Abasit dhe jo nëpërmjet sahabeve të tjerë që në këtë kohë ishin të pranishëm. Por që ky transmetim të tregojë se lejohet ta evitosh tevessulin nëpërmjet qenies së Profetit – nëse kjo do të kishte qenë e lejuar te sahabet – për të kaluar te tevessuli nëpërmjet prezencës së Abasit, nuk është e mundur jo që jo, sepse ne e kuptojmë me intuitë dhe nga nevoja – siç edhe vetë ata thonë– se nëse një grup njerëzish iu bie thatësirë e madhe dhe do të luteshin nëpërmjet ndonjërit nga mesi i tyre, nuk do të mundeshin ta evitonin atë njeri që lutjen e kishte më të pranueshme dhe më afër mëshirës së Allahut. Nëse një njeri do të pësonte ndonjë fatkeqësi të rëndë dhe përpara vetes do të kishte dikë që është një profet dhe një tjetër që nuk është profet, nëse do të kërkonte lutjen e njërit prej tyre, atëherë do ta kërkonte vetëm nga Profeti. Nëse do ta kërkonte lutjen prej atij që nuk është profet, duke lënë mënjanë Profetin, ai do të llogaritej gjynahqar dhe i paditur. Atëherë, si mund të mendohet kjo për Omerin dhe sahabet që gjendeshin bashkë me të, që të evitonin tevessulin nëpërmjet Profetit (alejhissalatu uesselam) dhe të kalonin te tevessuli nëpërmjet dikujt tjetër, nëse tevessuli nëpërmjet qenies së Profetit a.s. do të kishte qenë i lejuar? Si mundet kjo, kur tevessuli nëpërmjet Profetit te këta që kundërshtojnë është më i mirë se tevessuli nëpërmjet duasë së Abasit dhe tjetër kujt prej besimtarëve të mirë?! Aq më tepër që kjo lutje është përsëritur prej tyre disa herë, ata nuk janë lutur nëpërmjet Profetit qoftë edhe një herë të vetme. Kjo formë vazhdoi në këtë mënyrë dhe nga asnjëri prej tyre nuk është transmetuar e kundërta e asaj që Omeri veproi. Përkundrazi, nga Muavija dhe ata që ishin bashkë me të, është vërtetuar ajo që përputhet me veprimin e Omerit, ku ata u lutën nëpërmjet duasë së Jezid bin el-Es’ued, i cili është një tabiin i nderuar. Atëherë, a është e drejtë që të thuhet se tevessuli nëpërmjet tij ka qenë sipas shembullit të Profetit?!

E vërteta është se në kohën e vështirësive, rruga që sahabet ndiqnin nuk ka qenë tevessuli nëpërmjet qënies së Profetit. Ndërkohë që ata, gjatë jetës së tij nuk luteshin nëpërmjet askujt tjetër përveç tij -lëvdatat dhe bekimet e Allahut qofshin për të. Ky është një nga argumentet më të fortë dhe të qartë që tevessuli nëpërmjet qenies së Profetit nuk është e ligjëruar, sepse përndryshe, kjo do të përcillej prej tyre në drejtime të shumta dhe në ngjarje të ndryshme. A nuk i shikoni ata që ndjekin rrugën e kundërt se si apasionohen pas tevessulit me qënien e Profetit në rastin më të vogël, për shkak të hamendjes së tyre se kjo është e lejuar. Po të kishte qenë ashtu, një shembull i tij do të na përcillej nga sahabet, duke ditur që ata e respektonin dhe e donin Profetin më shumë se këta. Atëherë, si ka mundësi që nuk është përcjellur kjo, qoftë edhe një herë të vetme, por përkundrazi është vërtetuar largimi i tyre nga kjo, për të kaluar te tevessuli nëpërmjet duasë së besimtarëve të mirë?!

Vijon me …

Paqartësia e dytë: Hadith i të verbërit

 

Burimi:  https://dorar.net/aqadia/1578

[1]Buhariu nr 1000.

[2]Ebu Daudi nr 1173; Hakimi 1/476) ; Bejhekiu në “Sunenel-Kubra”3/349; ebuDaudi ka thënë se ky hadith është hadith garib me zinxhir transmetimi të mirë; neveviu thotë në “Edhkar”nr 230: zinxhiri është i vërtetë; Ibn Mulekin e ka konsideruar të vërtetë në “Bedr el-Munir”5/151; Ibn Haxheri thotë në “Bulug el-Muram”nr 143: Zinxhiri është i mirë; Albani e ka konsideruar të mirë në “Sahin Sunen Ebi Daud”.

[3]Buhariu nr 684; Muslimi nr 421.

[4]Hadithi nuk ka ardhur në këtë formë, por kuptimi i tij ka ardhur në disa hadithe të vërteta, si edhe një pjesë prej tij ka ardhur në këtë tekst, kurse një pjesë tjetër në atë që transmeton Ebu Ja’la në “Musned”(2/173) nga hadithi i Abdurrahman bin Aufit “..kur më pe që hyra poshtë palmës, unë takova Xhibrilin, i cili më tha: “Të përgëzoj me lajmin e mirë se Allahu ka thënë: “Kush të jep selam ty, edhe Unë i jap selam atij, ndërsa kush lutet për ty (me salavat), edhe Unë e shpërblej atë.”; Dhehebiu thotë në “Mudhehheb”(2/796): zinxhiri i transmetimit është i mirë në pamje të parë, por është me kleçka të padukshme që e bëjnë të dobët (ma’lul).” Ibn Mulekkin në “Bedr el-Munir” ka thënë: “Është i vërtetë sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, por ata nuk e kanë transmetuar.”

[5]EbuDaudi nr 1047; IbnMaxhe nr1636 ; Nesaiu (1/91); Ahmedi( 4/8), (16207); Hakimi (1/413); EbuDaudi nuk ka gjykuar për hadithin, kurse Hakimi ka thënë se hadithi është i vërtetë sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, por ata nuk e kanë transmetuar. Dhehebiu e ka aprovuar, ndërsa Neveviu ka thënë në “El-Hulase”(1/441): se zinxhiri i transmetimit është i vërtetë. Albani e ka konsideruar të vërtetë në “Sahih Ebi Daud”.

[6]Ebu Ja’la(6/147) prej hadithit të Enes bin Malik; Hejthemiu në “Mexhmeaez-Zeuaid”(8/214) ka thënë: transmetuesit që sjell Ebu Ja’la janë të besueshëm; ibnHaxher në “Fet’hel-Barij”(6/561) ka thënë: “Aty ndodhet Jahja bin ebi Kethir, që është nga transmetuesit e saktë që përcjell nga Mustelem bin Said, që sipas Ahmedit dhe Ibn Hibanit është i besueshëm kur transmeton prej Haxhaxh el-Es’ued. Ai është Ibn ebi Zija del-Basri, të cilin Ahmedi e konsideron të besueshëm, si edhe Ibn Muin prej një të besuari të tij. Albani e ka konsideruar të vërtetë në “Sahihel-Xhamia”.

[7]Muslimi nr 2375 prej hadithit të Enes bin Malikut.

[8]Nesaiu(3/43); Ibn Hiban(3/195); Taberani(10/220); Hakimi(2/456) prej hadithit të Abdullah bin Mesud; Hakimi ka thënë se isnadi është i saktë, ndërkaq Buhariu dhe Muslimi nuk e kanë transmetuar e ndërsa Dhehebiu e ka aprovuar. Ibn Kajimi në “Xhela’ el-Ef’ham” (120) ka thënë: “Zinxhiri transmetues është i saktë”. Hejthemiu në “Mexhmea’ez-Zeuaid”(9/27) ka thënë: “Transmetuesit janë të besueshëm”. Albani e ka konsideruar të vërtetë në “Sahihen-Nesai”

[9]Ebu Daud nr 2041; Ahemdi (2/527), (10827); Bejhekiu në “es-Sunen el-Kubra”(5/245) nga hadithi i Ebu Hurejres; ndërsa Ebu Daudi nuk e ka gjykuar hadithin; Ibn Mulekkini në “el-Bedr el-Munir”(6/299) ka thënë: Isnadi është i mirë; el-Iraki në “Tahrixhel-Ihja’”(1/409) ka thënë: “Zinxhiri transmetues është i mirë”. Ibn Haxheri te “el-Futuhatel-Islamije”(5/31) e ka konsideruar hadith hasen, kurse Albani e ka aprovuar te “Sahih Sunen Ebi Daud”.

[10] EL-‘ANKEBÛT 65

[11]Fet’h el-Bari” i Ibn Haxherit (3/443).

[12]Ibn Hibban (7/110); Ibn Haxher e ka përmendur te “Fet’h el-Barij” (2/495).

[13]Buhariu(1010).

[14]Buhariu (1010).

[15]Taberani në “ed-Dua”(5/427); Hakim(3/377); Ibn Asakir ka thënë në “Mu’xhem esh-Shujuh”(2/711): Ez-Zubejr bin Bekar është veçuar me këtë nëpërmjet Saide.; Ed-Dhehebiu në”SijerEa’lamen-Nubala’”(2/92) ka thënë: (Në të ndodhet) Daudi që është i dobët.; Ibn Mulekkin në “El_Bedr el-Munir”(5/174) ka thënë: : (Në të ndodhet) Daud bin Ata’ el-Medeni që është krejtësisht i papranushëm si transmetues ; Albani në “Ir’uael-Galil”(3/139) ka thënë: Shumë i dobët.

[16] Sikurse e shikoni, e transmeton Hisham bin Sa’d nga Zejd bin Eslem që thotë: “(Nga babai i tij) në vend të Ibn Omerit, por Hishami është më i besueshëm se Daudi, vetëm se ne nuk kemi ndaluar te fjala e tij, që a ka kundërshtim me fjalën e Daudit apo jo? Gjithashtu, mos u josh nga fjala e tyre në “El-Misbah” në fund të këtij isnadi: (me atë) që tregon se fjala është e njëjta, porse baza mbi të cilën e transmetoi nga el-Beladhuriji, është vetëm “Fet’h el-Barij” që nuk ka thënë: (me atë). Shiko “el-Fet’h”(2/399).

Share

[ad_2]

Burimi