Pyetja:

Cila është vlera që islami ua ka caktuar prindërve?

***

Përgjigjja:

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, familjen e tij, shokët e tij dhe gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Me të vërtetë respektimi i prindërve është një obligim shumë me rëndësi. Allahu e ka krahasuar respektimin dhe dëgjimin e prindërve me dëgjimin dhe respektimin e Tij.

1. Allahu thotë: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë respektive e bamirëse ndaj prindërve.” (Isra: 23)
Allahu në këtë ajet e ka krahasuar mosrespektimin e prindërve me shirkun. Gjithashtu, Allahu  thotë: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet.” (Llukman: 14)

2. Allahu na ka urdhëruar që të sillemi mirë me ta dhe t’i respektojmë edhe nësë janë qafira(pabesimtarë) ku thotë: “E nëse ata të dy të urdhërojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos iu bind atyre, por në çështjet e jetës së kësaj bote të keshë mirëkuptim dhe respekt ndaj tyre.” (Llukman: 15)

Transmetohet nga Esmaja, e bija e Ebu Bekrit, se ka thënë: “Ka ardhur tek unë nëna ime e cila në atë kohë ishte mushrike (idhujtare), dhe e pyeta Pejgamberin ﷺ duke i thënë: ‘O i Dërguar i Allahut, më ka ardhur nëna e cila e urren gjendjen time në të cilën jam (Islamin e saj), pra a ta vizitoj nënën time?’ Pejgamberi ﷺ i tha: “Po vizitoje nënën tënde.” [1]

3. Gjithashtu respektimi i prindërve konsiderohet Xhihad, sakrificë. Abdullah ibn Amri (r.a.) ka thënë: “Ka ardhur një person tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ka kërkuar leje nga Pejgamberi (ﷺ që të merr pjesë në Xhihad. Pejgamberi ﷺ e pyeti: ‘A i ke të gjallë prindërit?’ Ai iu përgjigj: ‘Po.’ Pejgamberi ﷺ i tha: ‘Xhihadi yt është tek ta.’ Sakrifiko për ta.” [2]

Transmetohet nga Enesi (r.a.) se ka thënë: “Ka ardhur një person tek Pejgamberi ﷺ dhe i tha: ‘Me të vërtetë unë kam dëshirë për të luftuar (për Xhihad), mirëpo nuk po kam mundësi.’ Pejgamberi ﷺ i tha: ‘A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?’ Ai tha: ‘Po, e kam nënën time.’ Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: ‘Ndreqni marrëdhëniet me Allahun duke i respektuar prindërit. Nëse e bën një gjë të tillë (nëse i respekton prindërit) atëherë ti ke bërë Haxhin, Umren dhe Xhihadin.’” [3]

Në disa hadithe Pejgamberi ﷺ i ka dhënë përparësi respektimit të prindërve ndaj Xhihadit. Transmetohet se Abdullah ibn Mesudi (r.a.) ka thënë: “E kam pyetur Pejgamberin ﷺ se cila vepër është më e mira? Pejgamberi (s.a.vs.) u përgjigj: ‘Falja e Namazit në kohën e vet.’ I thash: ‘Pastaj cila?’ Tha: ‘Respektimi i prindërve.’ I thash: ‘Pastaj cila?’ Tha: Xhihadi në rrugën e Allahut.” [4]

4. Respektimi i prindërve është shkak për hyrje në Xhenet. Transmeton Ebu Darda (r.a.) se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Prindërit janë dera e mesme e Xhenetit, pra nëse dëshiron humbe atë derë ose fitoje atë.” [5]

Kushejri ka thënë: “..dera e mesme e Xhenetit,’ ka për qëllim, derën më të mirë të Xhenetit.”

Transmetohet nga Muavija ibn Xhahime, se Xhahime ka ardhur tek Pejgamberi (s.a.v.s) dhe e ka pyetur: “O i Dërguar i Allahut, unë kam dëshirë që të luftoj në rrugën e Allahut, dhe kam ardhur tek ti që të konsultohem.” Pejgamberi ﷺ i tha: “A e ke gjallë nënën?” Tha: “o,” Pejgamberi ﷺ i tha: “Kryej nevojat e nënës tënde, se me të vërtetë Xheneti është tek këmbët e saja.” [6]

Në një transmetim tjetër qëndron se Pejgamberi ﷺ e ka pyetur: “A i ke prindërit gjallë?” I thashë: “Po.” Pejgamberi ﷺ tha: “Kryej nevojat e tyre, se me të vërtetë Xheneti është nën këmbët e tyre.” [7]

5. Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve. Transmeton Abdullah ibn Amri (r.a.) se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve, dhe pakënaqësia e Allahut është në pakënaqësinë e prindërve.” [8]

6. Respektimi i prindërve është shkak për faljen e mëkateve. Transmeton Ibn Omeri (r.a.), se një njeri ka ardhur tek Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i dërguar i Allahut, unë kam bërë një mëkat të madh, a ka pendim për mua?” Pejgamberi ﷺ i tha: “A ke nënë?” Ai i tha: “Jo,” Pejgamberi (s.a.v.s) i tha: “A ke teze?” Iu përgjigj: “Po.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Pra respektoje (dëgjoje) atë.” [9]
Pra kjo tregon se respektimi i prindërve është shkaktar për shlyerjen e mëkateve, pasi që Pejgamberi (s.a.v.s) iu përgjigj këtij mëkatari duke e pyetur se a ka nënë që ta respektoj dhe ta dëgjoj atë, kështu që t’i shlyejë mëkatet me respektimin e saj.

Gjithashtu Malik ibn Amri transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai i cili e liron një rob musliman, do të jetë shkaktarë për shpëtimin e tij nga Zjarri, kurse ai i cili e ka njërin prej prindërve të gjallë dhe ata nuk ia falin atij (nuk ia bëjnë hallall), Allahu [xh.sh.] do ta largojë atë shumë larg (do ta mallkojë)” [10]

7. Respektimi i prindërve është edhe shkak për largimin e ndonjë fatkeqësie .Argument për këtë është ngjarja e tre personave që kanë hyrë në shpellë dhe një gurë i madh ka rënë dhe ua ka mbyllur daljen. Në këtë gjendje, secili prej tyre e ka lutur Allahun [xh.sh.] me punët që ka bërë për hir të Tij dhe njëri prej tyre e ka lutur Allahun [xh.sh.] me respektimin e prindërve, duke thënë: “O Allah nëse këtë vepër e kam bërë për Hirin Tënd, largona neve këtë shkëmb që të mund të dalim”. Allahu [xh.sh.] ia largoi shkëmbin dhe dolën nga shpella. [11]

8. Transmeton Ebu Hurejra (r.a.) se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka mundësi fëmija t’ia kthejë hakun prindit të tij, përveç nëse e sheh prindin e tij se është zënë rob, pastaj blenë atë dhe e liron.” [12]

9. Mosrespektimi i prindërve është nga mëkatet më të mëdha. Transmeton Ebu Bekre (r.a.) se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj për mëkatet më të mëdha?” Këtë e përsëriti tri herë. Ne i thamë: “Po, o i Dërguar i Allahut.” Pejgamberi ﷺ tha: “T’i bësh shirk (shok) Allahut dhe mosrespektimi i prindërve…” [13]

O vëlla i dashur, pasi e kuptove rëndësinë e respektimit të prindërvedhe dënimin e atij që nuk i respekton prindërit, shpejto dhe respektoji ata, dëgjoji ata (përvec nëse të urdhërojnë në mëkate), mos i thuaj atyre as “uf” dhe lute Allahun që t’i mëshirojë ata. Allahu thotë: “Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: ‘Zoti im! Mëshiroji ata të dy, sikurse më edukuan dhe me mëshiruan mua kur isha i vogël.” (Isra: 24)

Emerim Koçi

——————————-

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Buhariu dhe Muslimi

[3] Taberaniu

[4] Buhariu dhe Muslimi

[5] Tirmidhiu

[6] Ahmedi

[7] Taberaniu

[8] Tirmidhiu

[9] Tirmidhiu

[10] Ahmedi

[11] Buhariu dhe Muslimi

[12] Muslimi

[13] Buhariu dhe Muslimi