1. Llogaritja e zekatit sipas kalendarit hënor

  • Zekati duhet të llogaritet sipas kalendarit hënor.
  • Nëse nuk ka mundësi, llogaritja sipas kalendarit diellor bëhet me normën 2.577%.

2. Vlerësimi i mallit për zekat

  • Pa marrë parasysh nëse shitet me pakicë apo shumicë, vlerësimi bëhet me çmimin e tregut në ditën e zekatit, duke llogaritur vlerën e të gjithë mallit përnjëherë.

3. Zekati për mallrat tregtare

  • Pasi të ketë arritur nisabin (vlerën e 85g ar 24k), zekati jepet 2.5% për çdo vit, edhe nëse është dhënë vitin e kaluar, njësoj si për kursimet.

4. Koha e qëndrimit të mallit për zekat

  • Kushti i qëndrimit një vit për mallrat tregtare nuk vlen, pasi ato qarkullojnë gjatë vitit, konvertohen në para dhe anasjelltas.
  • E rëndësishme është që vlera e pasurisë të qëndrojë një vit.

5. Forma e dhënies së zekatit

  • Lejohet dhënia e zekatit edhe në formën e mallrave tregtare, por vetëm prej atyre kategorive që janë të dobishme për ata që kanë të drejtë të marrin zekat, si:
    • Ushqime
    • Rroba
    • Barna
    • Vegla pune
    • Pajisje shtëpiake për të varfrit
    • Material për xhami, etj.

6. Zekati i të ardhurave periodike

  • Për rrogat, qeratë, projektet etj., pasi të plotësohet nisabi, zekati duhet të jepet për tërë shumën e poseduar në datën e zekatit, sipas Imam Ebu Hanifes.
  • Kjo metodë është më e rekomanduar dhe më e praktikuar në botën islame.
  • Sipas disa dijetarëve të tjerë, për çdo të hyrë zekati jepet vetëm pasi t’i kalojë asaj shume një vit i plotë, por kjo metodë është më e vështirë për kalkulim dhe jo praktike.

7. Zekati për stolitë

  • Zekati jepet vetëm për atë sasi të arit që nuk bartet shpesh dhe ruhet si thesar, qoftë ai monedha ari apo ar i vjetër i thyer.
  • Ari 14k, 18k etj. duhet të konvertohet në vlerën e 24k për të llogaritur nisabin.
  • Për formulën e konvertimit, shiko artikullin e hoxhës Almedin Ejupi: “Përqindja e arit gjatë llogaritjes së zekatit”.

8. Borxhet e dhëna dhe zekati

  • Borxhet që na i kanë të tjerët:
    • Nëse janë të sigurta dhe të mira, përfshihen në llogaritjen e zekatit.
    • Nëse janë të pasigurta ose të këqija, nuk llogariten për zekat.

9. Borxhet që kemi ndaj të tjerëve

  • Borxhet që kemi ndaj të tjerëve minusohen nga pasuria për zekat, por vetëm ato që do të paguhen brenda vitit zekator, e jo këstet shumvjeçare.

10. Falja e borxheve dhe zekati

  • Nuk lejohet falja e borxheve (sidomos ato tregtare) në emër të zekatit, sipas shumicës së dijetarëve, sepse zekati është dhënie, jo falje.

Hoxhë Llokman ef. Hoxha