Pyetja:

A është basti hallall apo haram?

***

Përgjigjja:

Nëse basti është i detyruar vetëm në njërën palë, atëherë kësaj i referohet si shpërblim dhe kjo s’prish punë. Për shembull, një person i thotë tjetrit: Unë dhe ti do të garojmë dhe nëse më mund, do të të jap këtë e këtë. Mirëpo, nëse unë të mund ty, atëherë nuk më ke borxh gjë. Njëlloj, nëse shpërblimi jepet nga pala e tretë, atëherë kjo po ashtu është hallall. Mirëpo,
nëse basti është i detyruar për të dyja palët, atëherë shumica e dijetarëve e konsiderojnë
këtë të jetë haram dhe formë kumari. Shejhul-Islam Ibn Tejmije dhe studenti i tij, ndërkaq, kanë bërë një përjashtim në këtë rregull, duke lënë jashtë llojin e bastit që ndihmon në xhihad apo ndihmon për të shtuar dijen personale. Ibnul-Kajjim ka thënë: “Kalorësia është dy llojesh: kalorësia e shpatës dhe kalorësia e dijes. Kushdo që nuk merr pjesë në ndonjërën nga këto forma të kalorësisë apo nuk ndihmon ata që janë të angazhuar në këtë, ai është barrë për njerëzimin.” Kështu, Ibnul-Kajjim dhe shejhul islam Ibn Tejmije thonë që është e lejueshme që dy palë të vejnë bast me njëra-tjetrën në çështjet e dijes që janë të qarta dhe të bazuara në Kuran dhe Sunet, si dhe çështjet që forcojnë trupin për sa i përket xhihadit, dhe argumentet e tyre janë mjaft të fortë. Ata cituan si dëshmi të lejueshmërisë që dy palët të vejnë bast mes tyre në lidhje me një çështje që forcon trupin për xhihad, rrëfenjën e Pejgamberit ﷺ dhe Rukanes. Ai (Rukane) qe një njeri i fuqishëm, të cilin asnjeri s’mund ta mposhte në duel mundjeje. Kështu që një ditë prej ditësh, ai takoi të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe i tha: “A do që të kacafytesh me mua?” Pejgamberi ﷺ tha: “Po, do të kacafytem me ty.” Dhe ai tha: “Pra, kushdo që fiton, do të merr një dele.” Pejgamberi ﷺ tha: “Pranoj (sfidën).” Kështu Pejgamberi ﷺ u kacafyt me të dhe fitoi herën e parë, të dytën dhe të tretën. [1]
Prej këtu, shejhul-Islam Ibn Tejmije dhe Ibnul-Kajjim thanë që, të vësh bast në çështjet që ndihmojnë njeriun në xhihad, siç është ushtrimi për të qëlluar objektin dhe ajo që forcon trupin, është e lejueshme. Njëlloj, të garosh në çështjet që kanë të bëjnë me parimet themelore po ashtu është e lejueshme, dhe ata cituan si dëshmi të tyren bastin që Ebu Bekr es-Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bëri me Kurejshitët se kush do të jetë fitimtar. Kështu ai vuri bast që Romakët do t’i mposhtin Persianët në një periudhë tre vjeçare. Kur dëgjoi Pejgamberi ﷺ për këtë, i tha atij: “Përse nuk shton edhe disa vite (dmth në bast)? Ngaqë Ai, më i Larti, tha: “Ata (dmth Romakët), pas disfatës së tyre, do të jenë fitimtarë brenda pesë vjetësh…” (Rrum, 14) [2] Dhe fjalë ‘bid (disa) qëndron kudo mes tre dhe nëntë. Shejhul-Islam Ibn Tejmije veç kësaj tha që ky hadithi (i të vënit bast) s’është shfuqizuar siç pohojnë disa. Kështu, është e lejueshme për dy palë të vejnë bast në atë që forcon trupin dhe apo çel mendjen për çështjet e dijes, dhe çfarë është veç kësaj s’është e lejueshme të vihet bast në të.
Një dobi shtesë, Ibnul-Kajjim qe burgosur nga Subki, Allahu e faltë, për shkak të opinionit të tij rreth kësaj çështjeje. Kështu që ai shkroi një libër voluminoz të titulluar “el-Furusijetul-Kubra” (Kalorësia Madhështore) dhe përmendi në të më shumë se
njëqind dëshmi, të cilat përmendin tërthorazi vlefshmërinë e opinionit të tij.

Shejh Mesh’hur Hasan Selman

——————————–

[1] Shejh el-Albani e gradoi këtë hadith si hasen në librin e tij, “Ghjajetel-Meram” [f.378].

[2] Sahih et-Tirmidhi nr.2551