Pyetja:

Jetoj në New York dhe merrem me ndërtimtari. E di që kredit kartelat janë të ndaluara, mirëpo këtu është një kompani që ofron kredit, quhet “American Express” po ajo nuk përmban kamatë edhe në qoftë se nuk e paguan me kohë, pagesa e saj kryhet në fund të muajit. Aq sa ke harxhuar, duhet të paguhet në fund të muajit, p.sh. ke harxhuar $1000, po aq paguan në fund. Ju lutem më tregoni a është e lejuar që ta përdor këtë kartelë.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fillimisht ju njoftojmë se jo të gjitha kartelat e kreditit janë të ndaluara, pasi ato janë disa llojesh. Më të njohurat janë kartelat e thjeshta, të cilat ia jep banka klientit që ka llogari bankare të hapur. Qëllimi i kësaj kartele është lehtësimi për qasje të menjëhershme te llogaria bankare që ai posedon. Kjo bëhet ose nëpërmjet aparateve elektronike, që janë të vendosura në pika të ndryshme, ose gjatë blerjes me transferim direkt të parave nga llogaria e klientit në llogarinë e shitësit.
Përdorimi i këtyre kartelave është i lejuar pasi nuk ka ndonjë pengesë që e ndalon.

Kurse për llojin që ju pyesni, ato quhen kartela huadhënëse dhe kartela me aftësi pagimi. Kemi disa lloje të tyre, sikurse: “VISA”, “MASTER”, “AMERICAN EXPRES”, etj.

Sido që të jetë, për zotërimin e kësaj kartele bartësi nuk është i kushtëzuar të ketë llogari bankare te banka e cila ia jep atë, por në fakt gjatë blerjes banka huazon një shumë për të dhe kjo në gjuhën e tyre emërtohet si “linjë kreditore”. Banka (burimi i kartelës) me këtë rast kërkon nga bartësi i saj pagimin e llogarisë tërheqëse brenda një periudhe kohore jo më shumë se një muaj në shumicën e rasteve. Në rast zvarritjeje, burimi (banka) fillon kërkimin e tij, anulon kartelën dhe e obligon me kamatë shtesë për vonesën.

Duke pasur parasysh se gjatë kontratës për marrjen e kësaj kartele obligohemi që në rast të vonimit të pagesës të japim kamatë dhe disa kushtëzime të tjera, atëherë kjo e tëra nënkupton se ka përzierje me kamatë, prandaj nuk lejohet që ta përdorim këtë lloj kartelash. Megjithëkëtë, ju mund të pyesni se si janë kushtëzimet atje gjatë marrjes së kësaj kartele. Nëse ka kamatë, atëherë ju duhet t’i largoheni, por nëse është ndonjë lloj tjetër, që nuk ka kushtëzime të këtilla, atëherë mund ta përdorni. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
18.01.2009