Pyetje: Kam një pyetje në lidhje me faktin nëse diçka më bën hipokrit apo jo. Edhe pse jam larg të qenit musliman i mirë dhe nuk jam në pozitë që të gjykoj askënd, e gjej veten duke i gjykuar të tjerët për mëkatet e tyre, ndërkohë që vetë kam vështirësi me faljen e namazit, një çështje të cilën shpresoj ta përmirësoj. Cila sëmundje e zemrës më bën të mos jem aq i interesuar për mëkatet e mia, por të ndihem i pikëlluar për mëkatet e të tjerëve?
Kur dëgjoj se të tjerët kryejnë vepra që nuk e kënaqin Allahun, ndiej zemërim dhe pikëllim, sepse Allahu i Madhëruar e meriton më shumë se kaq. Kur shoh të tjerët duke e kundërshtuar Allahun, diçka brenda meje dëshiron të bëjë të kundërtën, por unë vetë e gjej veten duke rënë pre e veseve të mia. Ju lutem, më këshilloni se si mund t’i kapërcej këto mangësi dhe si të mos ndikohem nga veprat e të tjerëve.
Përgjigje: Të gjitha lavdërimet dhe falënderimet e përsosura i takojnë Allahut, Zotit të botëve…
Nuk kërkohet prej jush që të mos ndiheni të lënduar nga mëkatet e njerëzve. Përkundrazi, të ndihesh i lënduar dhe i pikëlluar kur njerëzit e kundërshtojnë Allahun, i Cili meriton t’i bindemi dhe të mos e kundërshtojmë, të cilin duhet ta falënderojmë dhe të mos jemi mosmirënjohës ndaj Tij, janë ndjenja të mira për të cilat do të shpërbleheni. Kjo është pjesë e madhërimit të riteve të Allahut të Madhëruar. Allahu thotë, sipas kuptimit të ajetit:
“Kështu është! E kush i madhëron simbolet e Allahut, kjo është, pa dyshim, prej devotshmërisë së zemrave.” [Kurani, 22:32]
Megjithatë, ajo që kërkohet prej jush është të ndiheni më të lënduar për shkak të mëkateve tuaja sesa për shkak të mëkateve të të tjerëve, sepse mëkatet tuaja ju dëmtojnë juve dhe për to do të jepni llogari.
Prandaj, duhet ta forconi vetëdijen se Allahu ju vëzhgon, të ndieni madhështinë e Tij dhe t’i frikësoheni zemërimit të Tij dhe ndëshkimit të Tij të rëndë.
Njohja e dëmit dhe e pasojave të këqija të mëkateve do t’ju ndihmojë ta kuptoni seriozitetin dhe rrezikun e tyre, si në këtë jetë, ashtu edhe në Ahiret.
Mëkatet shkaktojnë ngushtim të furnizimit, vështirësi dhe një jetë të mjerueshme. Gjithashtu, çdo e keqe që i bie njeriut në këtë botë shkaktohet nga mëkatet dhe mosbindja ndaj Allahut. Allahu thotë, sipas kuptimit të ajetit:
“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është për shkak të asaj që kanë bërë duart tuaja, por Ai fal shumë.” [Kurani, 42:30]
Nëse vazhdoni t’i mbani parasysh këto çështje, do t’i shihni mëkatet tuaja si gjëra të rënda. Në të vërtetë, një nga shenjat e besimit është që njeriu t’i konsiderojë mëkatet si çështje shumë serioze.
Besimtari i vërtetë i sheh mëkatet e tij sikur të ishte ulur në rrëzë të një mali dhe të kishte frikë se mali do të shembet mbi të. Ndërsa hipokriti i sheh mëkatet e tij si një mizë që i ulet në hundë dhe të cilën thjesht e largon me dorë.
Ndër shenjat e besimit të plotë është që njeriu ta konsiderojë mëkatin e vet si një çështje shumë të rëndë. Nga ana tjetër, ndër shenjat e mungesës së besimit, të sëmundjes së zemrës dhe të depërtimit të tipareve të hipokrizisë në të, është moskonsiderimi i mëkatit si diçka serioze dhe nënvlerësimi i tij.
Prandaj, ruhuni nga kjo dhe pendohuni gjithmonë sinqerisht tek Allahu sa herë që bini në mëkat.
Duhet t’i kërkoni shpesh falje Allahut të Madhëruar dhe t’i frikësoheni ndëshkimit të Tij të rëndë. Në të njëjtën kohë, duhet të mendoni mirë për Të, të shpresoni në mirësinë dhe bujarinë e Tij dhe të dini se shpëtimi juaj është me mëshirën e Tij.
Së fundi, ju këshillojmë të lexoni librin e Ibn el-Kajjimit, me titull Ed-Da’u ued-Deua’ (Sëmundja dhe ilaçi), sepse ai përmban shumë shpjegime mbi pasojat e mëkateve. Nëse njeriu mediton rreth tyre, do t’i konsiderojë mëkatet që ka kryer si shumë të rënda dhe do të pendohet menjëherë për to.
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamweb.net / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net




