Pyetësi: Pasi që hytba e xhumasë nuk është pjesë përbërëse e namazit, a është patjetër që ajo të thuhet në gjuhën arabe?

Dr. Naik: Përveç imam Malikut, të gjithë dijetarët sikurse Ebu Hanife, Shafiu, Ahmedi dhe të tjerë, mëshira e Allahut qoftë mbi ta, pajtohen me mendimin se hytba e xhumasë mund të bëhet në cilëndo gjuhë, nëse njerëzit nuk e kuptojnë gjuhën arabe. Mirëpo, falënderimi i Allahut, salavatet mbi Muhamedin sal-lallahu alejhi ue sel-lem dhe ajetet e Kur’anit duhet të jenë në gjuhën arabe. Nuk ekziston hadith autentik në të cilin i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem thotë se hytba e xhumasë nuk guxon të bëhet në ndonjë gjuhë tjetër. I Dërguari i Allahut e mbante hytben në gjuhën arabe, për shkak se njerëzit përreth tij e kuptonin vetëm gjuhën arabe. Qëllimi i hytbes është që njerëzit të njihen me urdhrat e Allahut dhe me urdhrat e Pejgamberit të Tij dhe ta dëgjojnë të vërtetën për ngjarjet aktuale në rrethinën e tyre. Xhumaja është mënyrë e informimit të ummetit islam. Është jologjike që të informohen njerëzit në gjuhën të cilën nuk e kuptojnë. Në shumicën e xhamive në botë, hytba mbahet në gjuhët lokale. Para do kohe isha në Kuvajt. Atje shumica e njerëzve e flasin gjuhën arabe, mirëpo nëpër disa xhami, hytba mbahet në gjuhën angleze, urdu dhe në gjuhë tjera. Qeveria e Kuvajtit atyre xhamive u ka dhënë status të veçantë, me qëllim që jokuvajtianët të informohen në gjuhën të cilën e kuptojnë.

Dr. Zakir Naik