Pyetja:

A janë pengesë për namaz djersitja dhe njollat e papastërtisë në rrobat e brendshme? Ngase unë jam një person që djersitem shumë, sidomos në ditët e nxehta. Kur djersitem, i tërë trupi më djersitet, përfshirë dhe anusin, dhe djersa kalon nga anusi në rrobat e mia të brendshme. Kur rrobat e brendshme më mbërthehen në lagështinë e anusit, kjo më shkakton problem, meqë nganjëherë djersitja bëhet me ngjyrë si të papastërtisë – bojë kafe -, ndonëse e zbehtë, dhe mund të shihet vetëm nën dritë. Ka edhe dhe një erë, po ashtu, por nganjëherë s’ka erë, pra vetëm djersë. Dhe nganjëherë mbetet vetëm ngjyra, edhe pasi të pastrohen rrobat. Kështu, unë jam i ngatërruar paksa, dhe nuk di nëse bën të falem, kur të
djersitem kësisoj. Apo duhet të kontrollojë rrobat e mia (të brendshmet), edhe pse kjo nuk më duket me vend. Ju lutem, kini parasysh që anusi mund të djersitet për shkak të gjërave të vogla, siç është ecja, bartja e gjërave, apo dhe qëndrimi në diell. A e zhvlerëson namazin tim kjo? Si po mbetet puna e namazit që kam falur deri tani (në këtë gjendje)? Ju lutem, kini parasysh se unë ndihem i turpëruar dhe e ndërpres namazin tim për t’i kontrolluar rrobat pasi vërej se po djersitem. Nganjëherë, madje, i ndërroj rrobat më shumë se një herë në ditë.

***

Përgjigjja:

Lavdi i takon Allahut. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.

Së pari, ajo që mbërrin në rrobat e brendshme nga gjurmët dhe era e papastërtisë (nexhase), për shkak të djersitjes, zakonisht është e pakët dhe nuk merret parasysh, dhe ky është qëndrimi i hanefive dhe i shumë dijetarëve.
El-Kasani tha: “Sepse një sasi e pakët e papastërtisë s’mund të evitohet krejtësisht. Mizat prekin ndonjë gjë të papastër, pastaj prekin edhe teshat e adhuruesit dhe padyshim që do të ketë një sasi (sado e pakët) në krahët dhe këmbët e tyre (mizave). Nëse do ta merrnim këtë parasysh, njerëzve do t’u vështirësohej.” [1]
Shejhul-Islam ibn Tejmije tha: “Sasia e pakët e papastërtisë mund të mos merret parasysh, madje dhe jashtëqitjet e miut dhe të ngjashmet që bien në ushqim. Ky është qëndrimi i medhhebit të Ahmedit. Nëse e dini sigurt se balta në rrugë është e papastër (nexhis), sasia e pakët e saj mund të mos merret parasysh, sepse është tepër vështirë t’i shmangesh krejtësisht kësaj.” [2]

Shejh ibn Uthejmin tha: “Qëndrimi i saktë është ai i Ebu Hanifes dhe i Shejhul-Islamit … Në sasinë e pakët të papastërtisë që nuk merret parasysh për shkakun se është tepër vështirë t’i shmangesh krejtësisht bëjnë pjesë edhe gjurmët e vogla të urinës te ai që vuan nga rrjedhja e vazhdueshme e urinës pasi të ketë bërë çfarë ka pasur mundësi të mbrohet nga kjo.” [3]

Së dyti, ajo që mund ta bëjë më fleksibile çështjen që përmendet është fakti se Islami e lejon njeriun të pastrohet (pas jashtëqitjes) me gurë apo me guralecë. Është e mirënjohur se gurët nuk e pastrojnë krejtësisht vendin, kështu që gjithsesi do të mbeten gjurmë të papastërtisë, të cilat s’duhet të merren parasysh.
Ibn Kudame tha: “Gjurmët e papastërtisë nga urinimi dhe nga jashtëqitja mund të mos merrenparasysh nga vijnë në tri raste; njëra prej tyre është istinxha (pastrimi pas jashtëqitjes). Gjurmët e mbetura pas pastrimit të vetvetes me gurë në mënyrën e urdhëruar mund të mos merren parasysh, dhe, me sa di unë, lidhur me këtë s’ka dallim qëndrimesh te mes dijetarëve.” [4]
El-Kerraafi tha: “Nëse personi djersitet në teshat e tij pasi të pastrohet me gurë, kjo nuk
merret parasysh, sepse me këtë problem përballet secili. Dhe ngaqë sahabët pastroheshin (pas jashtëqitjes) me gurë dhe ata, po ashtu, djersiteshin.” [5]

Ibn el-Kajjim tha: “Shumica e Sahabëve nuk e pastroheshin me ujë (pas jashtëqitjes), por ata përdornin gurë si në verë, si në dimër. Zakonisht, njeriu djersitet në rrobat e tij të brendshme, megjithatë Pejgamberi ﷺ nuk i instruktoi ata ta lanin atë (rrobën), ndonëse ai ishte i vetëdijshëm për situatën; dhe ata nuk e bënë këtë, ndonëse qenë gjenerata më e mirë dhe më së shumti i frikësoheshin Allahut.” [6]

Shihaab ed-Din er-Ramli esh-Shaa’fei u pyet rreth një personi që pastrohet me gurë dhe më pas maja e penisit të tij prek një pikë të lagësht në trupin e tij ndërsa ai fal namazin – a e prish kjo namazin e tij dhe a do duhej që ai të pastrohej me ujë dhe të lajë pjesën ku penisi prek?
Ai u përgjigj: “Kjo nuk e prish namazin e tij, dhe ai s’ka nevojë të pastrohet me ujë apo të lajë çfarëdo që ka ndodhur në pjesën që u pastrua me gurë, sepse ata (dijetarët) thanë: Gjurmë e mbetura pas pastrimit (tahretit) me gurë, nuk merren parasysh, edhe nëse personi djersitet në atë vend dhe një ndotje e vogël prek ndonjë pjesë tjetër.” [7]

Shejh Muhamed Mukhtar esh-Shinkîti tha: “Njëherë pasi të vërtetohet se një sasi e vogël e papastërtisë në anus apo në majën e penisit mund të mos merret parasysh atëherë kur personi të jetë pastruar me gurë e më pas të djersitet, djersa pashmangshëm do të mbërrijë atë vend. Nëse vendi pranë tij djersitet dhe kjo djersë mbërrin rrobën apo pantallonat afër asaj pike, kjo nuk merret parasysh, sepse, sikur të merrnin vendim që kjo është papastërti (që duhet hequr), kjo do t’u shkaktonte vështirësi njerëzve deri në atë masë sa vetëm Allahu e di.” [8]

Përmbledhtas: Kjo gjurmë e vogël që rezulton nga djersa, nuk merret parasysh, dhe namazi juaj është në rregull. Krejt çfarë duhet të bësh është të sigurohesh se je pastruar si duhet pas jashtëqitjes, dhe më pas të mos e kesh për dert këtë, në mënyrë që të mos biesh në vesvese. Allahu e di më së miri.

islamqa.info

——————————–

[1] Bedaa’i es-Sanaa’i 1/79.

[2] El-Fetaawa el-Kubra 5/1331.

[3] Esh-Sherh el-Mumti 1/447.

[4] El-Mugni 2/486.

[5] Edh-Dhekhirat 1/211.

[6] Bedaa’i el-Fewaa’id 4/1490.

[7] Fetaawa er-Ramli 1/33.

[8] Sherh Zaad el-Mustekni 23/4.