Pyetja:

A lejohet bashkëpunimi në tregti (hallall) me ithtarët e librit (të krishterët, çifutët) dhe të feve të tjera?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Bashkëpunimi në tregti hallall me ithtarët e librit dhe me të tjerët është i lejuar në përgjithësi. Kjo vërtetohet nga praktika e Muhamedit ﷺ dhe nga praktika e vazhdueshme e muslimanëve që nga koha e sahabëve.
Buhariu dhe Muslimi në koleksionet e tyre shënojnë se Muhamedi ﷺ, kur vdiq, e kishte lënë peng mburojën (gjoksoren që përdorej gjatë betejave) te një çifut. Këtë e kishte bërë pasi kishte blerë ushqim nga ai, por nuk kishte para që t`i jepte dhe kishte lënë mburojën si peng deri në afatin e pagesës. Gjithashtu, në dy koleksionet e lartpërmendura vërtetohet sa ai ka bërë tregti me të mbjellat e banorëve të Hajberit, të cilët ishin çifutë.
Kemi shumë hadithe që vërtetojnë lejimin e bashkëpunimit tregtar, madje kemi hadithe në të cilat vërtetohet se Muhamedi ﷺ nuk ka refuzuar edhe dhuratat nga jobesimtarët. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
16.05.2008