Pyetja:

A më lejohet ta fali ikindinë kaza për shkak të punës?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij, ﷺ.

Falja e namazit është obligim në kohë të caktuar dhe nuk lejohet të ik koha pa e falur. Allahu i Madhëruar thotë: “.. namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët.” (Nisa: 103)

Përcillet nga Ibn Omeri se i Dërguari i Allahut, ﷺ ka thënë: “Kujt i kalon namazi i ikindisë (pa e falur) është njëlloj sikur t’i jetë këputur familja dhe pasuria.” [1]

Dalja e kohës së namazit është mëkat i madh, e mëkati rëndohet nëse kjo ndodh shpesh. Andaj, sipas nesh më e udhës ta braktisësh punën aktuale dhe të kërkosh punë tjetër.

Pejgamberi ﷺ në një hadith ka thënë: ”Me të vërtetë ti nuk e lë diçka për hirë të Allahut, veçse ta zëvendëson atë Allahu me diçka që është më e mirë për ty se ajo që ke lënë.” [2]

Dijetari Ibn Kajimi, ka thënë:
“Sa herë që Allahu i Lartësuar e privon robin e Tij besimtar nga diçka prej kësaj jete, Ai do t’i dhurojë atij diçka që është më e mirë dhe më e dobishme për të. Duhet të theksohet se kjo u jepet vetëm besimtarëve.” [3]

Hoxhë Zejd Haziri

—————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Ahmedi

[3] El Feuaid