Pyetja:

Pasi që femra merr pjesë në të gjitha fushat e punës, puna e saj kërkon që ajo të barazohet me mashkullin. Në këtë shekull femra garon me mashkullin në punë. Ajo, pasi që është bashkëpjesëmarrëse në punë, ka të drejtë të kërkojë barazi në të gjitha çështjet. A nuk është kjo në kundërshtim me ajetin kuranor, në të cilin Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe meshkujt kanë shkallë më të lartë mbi ta (femrat).” Po ashtu edhe në ajetin tjetër: “Meshkujt janë më të fuqishëm dhe më parësorë se femrat, në atë çka i ka vlerësuar Allahu, disa prej tyre mbi të tjerët, dhe në atë çka shpërndajnë ata prej pasurisë së tyre”.

***

Përgjigjja:

Bashkëshortja thotë: Do të punoj me qëllim që burrit tim t’ia lehtësojë vështirësitë. Mirëpo, përkundrazi, ajo ia shton vështirësitë atij, ashtu qysh ia shton vështirësitë vetes. Ajo nuk i ka lehtësuar atij asgjë, ai nuk e ka reduktuar përgjysmë orarin e punës së tij, por ai punon me orar të plotë.

Si mundet që ajo t’ia lehtësojë burrit të saj, kur ai punon pandërprerë dhe me orar të plotë! Njeriu duhet, pikësëpari, ta shikojë punën e tij, ta dijë kufirin e punës dhe të aftësisë së tij, e pastaj të angazhohet si të dojë, ndërsa pas kësaj e përcakton standardin e jetës së tij në bazë të të ardhurave të tij. Mirëpo, nëse e përcakton kufirin se sa dëshiron të ketë të hyra për të jetuar, por ato nuk mund t’i realizojë, atëherë ai orientohet në çështje tjera, për rrjedhojë mund të lakojë e të mëkatojë, kështu që korruptohet dhe jep ryshfet me qëllim që ta arrijë atë standard. Ndërkaq, ne themi: Jo, standardi nuk përcaktohet derisa të mos e dish fuqinë dhe aftësinë tënde në punë. Me fjalë të tjera, derisa ta dish sasinë e të hyrave të tua dhe nivelin e jetës tënde, ndërsa pastaj e përcakton sasinë e nevojave të tua.

Nëse femra dëshiron ta ngrejë nivelin e jetës së saj, me atë që nuk e largon nga roli i saj si bashkëshorte e nga roli i saj si nënë, e cila përkujdeset për fëmijën e saj dhe nuk e largon prej fushës së natyrës së saj, ajo ka të drejtë të punojë, por brenda aftësive të saj.

Femra duhet ta dijë llojin e punës së saj dhe mos të kalojë mbi aftësitë e saja. Kurani na tregon rastin e Musait me dy vajzat e pejgamberit Shuajb. Tregim, i cili përcakton domosdoshmërinë e punës së saj brenda kufijve: “Dhe babai ynë është shumë plak”. Kjo ka qenë domosdoshmëri që i ka shtyrë ato të punojnë, por brenda kufirit të tyre: “Nuk mund t’i jap ujë bagëtisë derisa të shkojnë barinjtë”. Ndërsa detyrë e shoqërisë është: “Dhe u ka ndihmuar atyre që bagëtia të pijë ujë”. Pastaj, për të ardhur gjërat në vend: “O babai ynë, shpërbleje atë”. Babai i tyre e ka fejuar njërën vajzë me Musain për siguri, për shpagim të punës dhe për plotësimin e ndjenjës së vajzës së saj: “Vërtet unë dëshiroj të të martoj me njërën prej këtyre dy vajzave të mia”.

Muhamed Muteveli Sharavi (Shqipëroi: Musli Verbani)

Marrë nga: Libri “Fetfat e Sharavit”, Editor: Fondacioni i Rinisë Islame

Burimi