Pyetja:

Çfarë të bëj me paratë e kamatës?

***

Përgjigjja:

Nga gjërat për të cilat ka konsensus (ixhma) te dijetarët islamë në përgjithësi është ndalimi i kamatës dhe se kjo vepër llogaritet nga mëkatet e mëdha. Prandaj ty nuk të lejohet të përfitosh nga ajo pasuri që në realitet është kamatë.
Kurse ajo se çfarë të bëni ju me ato para (kamata e përfituar nga vonesa) kemi mendime nga dijetarët, disa janë më rigorozë dhe thonë se nuk lejohet tërheqja e atyre parave në asnjë formë, por ato lihen aty dhe ju merrni vetëm shumën që ju takoi në esencë.
Kurse një grup tjetër dijetarësh janë të qëndrimit se nuk është e qëlluar lënia e atyre parave aty, pasi me këtë përfitojnë jobesimtarët dhe kjo në një formë është ndihmesë e atyre që të përfitojnë nga ne. Prandaj ata thonë se ato para tërhiqen duke mos pretenduar ndonjë përfitim personal nga ato. Eliminimi i këtyre parave dhe lirimi nga to bëhet duke i shpenzuar në gjërat që janë në interes publik. Me fjalë të tjera, shpenzimi i tyre bëhet në gjërat për të cilat nuk ka dobi ndonjë person i caktuar, por se nga ato kanë dobi shoqëria muslimane në përgjithësi. Dhe e tërë kjo duke mos shpresuar në shpërblim prej Allahut të Lartësuar nga kjo vepër. Si shembull mund të përmendim ndërtimin e WC-ve publike, qoftë edhe nëpër xhami, ose ndërtimin e rrugëve, rregullimin e çezmave publike në rrugë, etj.. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi