Pyetja:

Allahu i lartësuar thotë në Kuran: “Atë që Allahu e udhëzon ai është i udhëzuari dhe atë që Allahu e lë në humbje (nuk e udhëzon) për të nuk do të gjesh ndonjë mik udhëzues.” (Kehf, 17).
A tregon kjo se është Allahu që i devijon njerëzit dhe ata nuk kanë asnjë mundësi që të pranojnë udhëzimin, apo ka edhe ndonjë mundësi që robi të zgjedhë udhën e drejtë?! Deri ku shkon mundësia e robit për të arritur udhëzimin?!

***

Përgjigjja:

I lavdëruar qoftë Allahu i urtë dhe i gjithëdijshëm, paqja bekimet dhe mirësitë e Zotit qofshin për më të mirin e të gjithë profetëve dhe vulën e tyre, Muhamedin, familjen e tij, shokët dhe të gjithë ata që pasuan rrugën e tij me sinqeritet deri në ditën e gjykimit!

Nuk ka dyshim se Allahu i madhërishëm është Krijuesi dhe sunduesi i krijesave. Nuk ndodh asgjë në qiell dhe në tokë pa lejen dhe përcaktimin e tij të urtë dhe të drejtë. Nuk ka dyshim, gjithashtu, edhe se udhëzimi është dhurata më e mirë që i Gjithëmëshirshmi u ka dhuruar njerëzve. Udhëzimi është dhuratë e të Madhërishmit të cilën Ai e dhuron i bazuar në dijen e Tij absolute dhe urtësinë e tij hyjnore. Thotë i Urti: “...është Allahu, Ai që jua bëri të dashur besimin dhe ua zbukuroi atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, ua bëri që t’i urreni. Këta janë ata që gjetën rrugën e drejtë. Kjo është dhuratë dhe begati prej Allahut. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Huxhurat: 78
Ai e di më mirë se kush e meriton udhëzimin e tij dhe kush jo.

Allahu i lartësuar askujt nuk i bën padrejtësi dhe është e papranueshme që, dikush të dojë rrugën e drejtë dhe i Gjithëmëshirshmi ta devijojë atë nga rruga e drejtë. Por i madhërishmi është i drejtë dhe nuk është e pranueshme që Ai të gjykojë njëlloj si te mirënjohësit e bindur ndaj Tij me përbuzësit e mirësive që shkelin dhe shpërfillin kufijtë e Tij. Thotë i lartësuari: ”A mos do t’i barazojmë ata që besuan dhe bënë vepra të mira me ata që bënë shkatërrime në tokë, apo do t’i konsiderojmë njësoj si të ruajturit prej të këqijave, si ata që janë mëkatarë?!” (Sad: 28)

Dhe thotë: “Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë tek Zoti i tyre kopshte të begatshme. A do t’i konsiderojmë kriminelët të barabartë me muslimanët?! Ç’është me ju, si gjykoni ashtu?! A mos keni ndonjë libër, e prej tij mësoni?! (Vallë ku po mësoni) Se ju do të keni atje çka të dëshironi?! A mos keni ndonjë zotim të fortë prej Nesh që vazhdon deri në kiamet, se do ta arrini atë që gjykoni dhe dëshironi?!” (Kalem: 3439)

Allahu i lartësuar me urtësinë dhe drejtësinë e Tij absolute na ka njoftuar se pengesë për udhëzimin e plotë janë disa gjëra. Për ne është detyrë që të ruhemi prej tyre që të mos bëhemi shkak dhe pengesë që Ai të na dhurojë udhëzimin e Tij të plotë.
Prej këtyre shkaqeve ndër më të rëndësishme janë: dhulmi (padrejtësia) e të gjitha llojeve të saj; fisku shfrenimi dhe shkelja e kufijve të Zotit; shpërfillja e ftesës së Allahut dhe porosive të Tij.

Për këto i madhëruari thotë: “Allahu nuk e udhëzon në udhën e drejtë një popull të pa drejtë” (dhulmi).

Thotë gjithashtu: “Allahu nuk e udhëzon në udhën e drejtë një popull të shfrenuar (që shkel kufijtë e Zotit)”.

Dhe thotë i lartësuari: “Por kur ata u shmangën (nga e vërteta), Allahu ua largoi zemrat e tyre (nga besimi). Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë (të pa bindur, të pa nënshtruar)”. (Saf: 5)

Allahu i lartësuar ka përcaktuar si udhëzues Kuranin famëlartë dhe na ka njoftuar se vetëm ai që e mori udhëzimin dhe dritën prej tij është i udhëzuar në rrugën e drejtë. Ai e ka lehtësuar këtë Kuran për të marrë mësim, por jo të gjithë përfitojnë prej udhëzimit të tij.

I lartësuari, duke përshkruar këtë Kuran, në suren Bekare thotë se ai është huden lil mut-tekin /udhëzim për të devotshmit. Le të qëndrojmë pak në shpjegimin e këtij ajeti. Shejh Sa’di thotë:

Hudel-lil mut-tekin

Udhëzim për të devotshmit.

Fjala (Huda) që në shqip përkthehet udhëzim, nënkupton gjithçka me anë të së cilës dallohet rruga e drejtë nga e gabuara, dallohet dija e sigurt nga dyshimi dhe mëdyshjet. (Huda) Udhëzim quhet gjithçka që është tregues dhe qartësues i rrugëve të dobishme që duhet të ndjekë robi në këtë jetë (nga të pa dobishmet).

Një moment shumë i këndshëm që nuk mund të lihet pa u përmendur, është edhe fakti se Allahu i madhëruar ka përdorur fjalën (Huda) pra (udhëzim), fjalë kjo, e cila është në trajtën e pa shquar.
Pra, nuk e ka përcaktuar se për çfarë drejtimi apo sfere është udhëzim ky libër. Ai nuk ka thënë: ”Udhëzim për të arritur këtë apo atë gjë të dobishme. Vetëkuptohet që kjo bëhet për efekt të përfshirjes se një hapësire të pafund mirësish.
Pra, kur i Lartësuari thotë që ky libër është “Udhëzim për të devotshmit”, kjo do të thotë që ai është udhëzim për të zbuluar dhe ndjekur të gjitha rrugët e mirësive, të dynjasë e të ahiretit.
Zbulues i mirësive themelore dhe degëzimeve. Ai është qartësues i së vërtetës nga e kota, së saktës nga e pasakta. Është sqarues i rrugëve të humbjes dhe kërcënues për t’u larguar prej tyre. Ai është tregues i të gjitha mundësive të shpëtimit. Tregues i rrugëve të lumturisë së kësaj jete dhe të jetës tjetër.

Në këtë ajet, përmendet se ky Kuran është udhëzim për (mutekinet) të devotshmit, çka të jep të kuptosh një lloj posaçërimi të udhëzimit vetëm për ta. Pra, nga ky ajet kuptohet që ky Kuran është udhëzim vetëm për të devotshmit.
Ndërsa në një vend tjetër në Kuran, Allahu i madhëruar pohon (thotë) që ky Kuran është: “Udhëzim për të gjithë njerëzit”. Sepse Kurani, në vetvete përmban udhëzim për të gjitha krijesat. Por, të mjerët e fatzinjtë nuk përfituan nga ky udhëzim i përgjithshëm dhe nuk e pranuan udhëzimin “e plotë” të Allahut.
Nga ky udhëzim i përgjithshëm nuk ndryshoi asgjë, veç faktit që, justifikimi i tyre para Krijuesit, skadoi (ata nuk mund të thonë: ”O Zot nuk dinim, nuk u lajmëruam.” Ky skadim e bën të meritueshëm ndëshkimin prej Allahut Krenar dhe të drejtë.)

Ndërsa (mutekunët) të devotshmit, të cilët dhanë maksimumin për të merituar udhëzimin e “plotë” që ndodhet në Kuran, ata, dhe vetëm ata e merituan këtë udhëzim ”të vërtetë”, (që sikur do t’ju sqarojmë më poshtë presupozon dhënien sukses nga Allahu për të kryer çdo punë të mirë e të dobishme dhe për t’u larguar nga çdo punë e keqe dhe e dëmshme).

Të japësh maksimumin për të merituar udhëzimin e “vërtetë” do të thotë: të pajisesh me takua (devotshmëri ). Takua-ja (devotshmëria) është mburoja që të mbron e të ruan nga zemërimi i Allahut dhe nga ndëshkimi i Tij.
Ajo nuk realizohet veçse duke kryer urdhëresat dhe duke iu larguar ndalesave të Allahut [të sqaruara nëpërmjet profetit të Tij dhe sheriatit të zbritur. Këto urdhra dhe ndalesa, duhet pasur parasysh që të merren në konsideratë duke u nisur nga madhërimi dhe dashuria për Krijuesin dhe duke shprehur frikë-respekt dhe shpresë për shpërblimin e Tij dhe jo sepse janë, thjesht, punë që duhen kryer apo duhet t’u largohesh.
Me fjalë të tjera: Takua (devotshmëri) do të thotë të kryesh urdhrat e t’u largohesh ndalesave të Allahut të lartësuar, të cilat i ka sqaruar në librin e Tij, Kuranin dhe në traditën autentike të profetit alejhi selam i motivuar nga Madhërimi i Tij dhe dashuria për Të.] sh.p.

Me këtë këndvështrim, është shumë e qartë se të vetmit që përfitojnë “vërtet” udhëzimin “e plotë” nga argumentet, (ajetet e Kuranit dhe argumentet e shfaqura në gjithësi), janë (mutekinët) të devotshmit.

Për të sqaruar dhe shtjelluar edhe më shumë këtë çështje themi se udhëzimi i Allahut për krijesat është dy llojesh:

1. “Hidajetul bejan” – Udhëzimi i qartësimit (të së vërtetës).

2. “Hidajetu et-teufik” Udhëzimi i dhënies sukses.

Pra, udhëzimi apo dhënia sukses (inspirimi) për të kryer ato punë të mira, e për t’u larguar nga ato punë të këqija, që të çojnë në zemërimin e Allahut dhe ndëshkimin e Tij. (punë të mira, apo të këqija janë ato të cilat i ka konsideruar si të tilla Allahu i madhëruar dhe i ka përcaktuar në Kuran dhe në traditën profetike – sh.p).

Të devotshmit i patën të dyja llojet e udhëzimit pra u dha mundësia të shijojnë udhëzimin e qartësimit dhe udhëzimin e dhënies sukses. Ndërsa të tjerët nuk pranuan veçse udhëzimin e qartësimit (udhëzimin e përgjithshëm).
Por, vetëm qartësimi i rrugës së drejtë pa t’u dhënë mundësia dhe suksesi për të punuar me të, nuk është udhëzim “i vërtetë” dhe i mjaftueshëm. Udhëzimi “i vërtetë” është dija e saktë (e vërtetë) dhe vënia e saj në zbatim (“ç’duhet bërë për të merituar të dytën ?).

Tefsiri i Sadit vëll.I / 5.

Kështu pra, udhëzimi i Allahut të lartësuar për krijesat është dy llojesh: udhëzim i përgjithshëm dhe udhëzim i posaçëm.

Për sa i përket udhëzimit të përgjithshëm Allahu i lartësuar atë ua ka ofruar të gjithëve, ndërsa udhëzimin e posaçëm nuk ia dhuron veçse atyre të cilët i përzgjodhi mes krijesave të Tij, i përzgjodhi me dijen e tij absolute dhe urtësinë e tij hyjnore.
Për të fituar udhëzimin e plotë apo të posaçëm Allahu i lartësuar na ka mësuar se si të lutemi dhe këtë lutje e ka bërë të detyrueshme në çdo namaz. Ajo është lutja në zemër të sures Fatiha.
Në varësi të çiltërsisë, sinqeritetit dhe përkushtimit të robit në këtë lutje do të jetë edhe suksesi që Zoti do t’i japë atij dhe Zoti i madhërishëm është shumë më Bujar se lutjet tona. Kjo pra është pjesa e robit: lutje e sinqertë për të fituar udhëzimin e posaçëm ashtu sikurse të mësoi Krijuesi të lutesh.

Allahu i lartësuar thotë në një hadith kudsij: “O robërit e mi! Të gjithë ju jeni të humbur përveç atyre që unë i kam udhëzuar. Kërkojeni udhëzimin prej meje, që t’ju udhëzoj.”

E pra, Allahu i lartësuar të gjithëve u ka dhënë mundësinë dhe aftësinë që të luten dhe të kërkojnë prej Tij. Por dikush kërkon të mirën dhe udhëzimin dikush tjetër kërkon këtë dynja dhe plotësimin e dëshirave të tij ne të. Allahu askujt nuk i bën padrejtësi, por janë krijesat që me injorancën dhe nxitimin e tyre kërkojnë padrejtësinë.

Le të sjellim këtu një fjalë të imam Ibnu Tejmije rreth rëndësisë së kësaj lutjeje dhe nevojës së robit për të.

Ai thotë: “Ajo dua që është bërë e detyrueshme gjithmonë në çdo namaz, madje në çdo rekat namazi, farz apo nafile qoftë ai, është pikërisht duaja brenda Fatihasë, nënës së Kuranit. Allahu i lartësuar na mëson që të lutemi dhe të themi:

“Na udhëzo ne rrugën e drejtë.

Në rrugën e atyre të cilët i begatove,

jo në rrugën e atyre që merituan zemërimin

dhe as në rrugën e të humburve.”

Ai na udhëzon dhe porosit që të lutemi me këtë lutje, sepse çdonjëri, çdo rob, është i varfër dhe ka nevojë të domosdoshme për atë që synon të realizojë kjo dua, pra për udhëzimin në rrugën e drejtë. Nuk mund të shpëtosh nga ndëshkimi dhe trishtimi veçse nëpërmjet kësaj duaje dhe nuk mund të arrish lumturinë veçse nëpërmjet saj. Ai të cilit i shpëtoi ky udhëzim do të jetë ose nga ata që merituan zemërimin e Zotit, ose nga ata që humbën rrugën dhe devijuan larg së vërtetës.

Ky udhëzim nuk mund të ekzistojë veç nëse e mundëson dhe e dhuron Allahu i urtë dhe i gjithëdijshëm.
Thotë i lartësuari duke e vërtetuar këtë fakt: “Atë që Allahu e udhëzon ai është i udhëzuari dhe atë që Allahu e lë në humbje (nuk e udhëzon) për të nuk do të gjesh ndonjë mik udhëzues.” Kehf, 17. Në këtë ajet ka argument të qartë që hedh poshtë medhhebin e ķaderijeve të cilët pretendojnë se robi nuk ka nevojë për këtë udhëzim që e jep vetëm Zoti. Ata pretendojnë se robi mund të udhëzojë vetveten pa pasur nevojë për udhëzimin e Allahut të lartësuar.
Pra, robi sipas tyre është i plotpushtetshëm për të arritur edhe bindjen ndaj Zotit edhe për të mos iu bindur Atij dhe për këtë nuk ka asnjë nevojë që Zoti ta udhëzojë. Sipas tyre të gjithë janë njëlloj për sa i përket udhëzimit që marrin prej Zotit dhe Ai nuk i ka dalluar besimtarët me ndonjë udhëzim të posaçëm vetëm për ta. Por këtë temë e kemi shtjelluar në tjetër vend.

Këtu kemi si qëllim të vërtetojmë faktin se çdo rob është gjithmonë i varfër dhe nevojtar që t’i ofrohet dhe mundësohet ky lloj udhëzimi. Disa thonë: “Besimtarët që Zoti i udhëzoi të besojnë nuk kanë më nevojë që të kërkojnë udhëzimin prej Tij.
Të tjerë i përgjigjen kësaj duke thënë: ‘Kur lutemi për udhëzim, ne në të vërtetë, thjesht kërkojmë forcimin e këtij udhëzimi të dhënë nga Zoti’. Por si pyetja dhe përgjigja nuk janë të drejta dhe të plota. Si përgjigja ashtu edhe pyetja tregojnë për paditurinë e tyre për gjendjen e njeriut dhe asaj me çfarë është urdhëruar.

Siratul mustekim – rruga e drejtë shfaqet apo interpretohet duke kryer në çdo kohë dhe moment të jetës ato vepra dhe për të folur ato fjalë, për të cilat je urdhëruar dhe të largohesh nga çdo punë e fjalë prej së cilave je ndaluar. Rruga e drejtë nuk mund të realizohet derisa robit t’i lindë një dëshirë e fortë për të punuar ato për të cilat urdhërohet dhe t’i lindë një urrejtje e fortë e mjaftueshme për t’u larguar nga ato prej të cilave ndalohet. Kjo është ajo dija e shtjelluar dhe dëshira për të vepruar.
Por, kjo dije dhe kjo dëshirë nuk mund të përfytyrohet që të ndodhë përnjëherësh dhe në një moment të vetëm. Madje në çdo moment robi ka nevojë që Allahu i lartësuar të vendosë në zemrën e tij ato lloj njohurish dhe dëshirash (ambicie) për të zbatuar dhe punuar me atë dije në atë moment.

Po. Është e vërtetë që me pranimin e Islamit ai ka arritur një nivel udhëzimi të përgjithshëm dhe dije të përgjithshme rreth faktit që Kurani është hak, feja islame është hak, profeti i Islamit është hak etj., si këto çështje të përgjithshme.
Por, ky udhëzim (dije dhe ambicie) i përgjithshëm shpesh herë nuk është i mjaftueshëm nëse atij nuk i dhurohet një udhëzim i shtjelluar në çdo çështje që atij i del para në jetën e tij, çështje në të cilat shumë krijesa devijojnë dhe çoroditen.
Nëse nuk të ofrohet udhëzimi (dija dhe ambicia) i posaçëm do të mbizotërohesh nga epshet (dëshirat e shfrenuar dhe të devijuara) dhe dyshimet.
Sepse dyshimet dhe epshet (dëshirat e shfrenuara) e mbizotërojnë zemrën e robit dhe kjo është natyra e tij gabimtare. Njeriu u krijua dhalumen xhehula – i padrejtë dhe i paditur [1].
Pra, ai është i orientuar dhe i pirur që të jetë i paditur dhe të anojë drejt plotësimit me çdo kusht të dëshirave, qoftë edhe sikur të jenë të orientuara drejt së keqes (sherrit).
Pra, duke qenë me një natyrë të tillë ai gjithmonë ka nevojë për një udhëzim të posaçëm që të largojë paditurinë e tij, si dhe për një ambicie dhe dëshirë të fortë për drejtësi, që të ekuilibrojë ndjenjat dhe veprimet e tij, të vendosë një raport të drejtë mes dashurisë dhe urrejtjes, kënaqësisë dhe zemërimit, veprimit dhe lënies (mos veprimit), dhënies dhe mos dhënies.
Madje ai ka nevojë për një rregullator që ta ekuilibrojë atë në gjithçka që duhet të flasë dhe veprojë në këtë jetë dhe ta shpëtojë nga tendenca shumë e fuqishme e tij drejt dhulmit padrejtësisë.
Nëse Allahu i urtë dhe i gjithëdijshëm nuk e pajis atë me dije dhe drejtësi të posaçme dhe të detajuar, në çdo moment të jetës së tij, ai pakthyeshmërisht do të anojë drejt natyrës së tij të padrejtë dhe të paditur dhe kjo do ta largojë nga siratul mustekim – rruga e drejtë.

Mendoni pak në fjalën e të Madhëruarit në suren Fet’h 1-3: “Ne ty të dhamë (vendosëm për) një fitore të sigurt.
Që Allahu të t’i mbulojë ty ato që kaluan prej gabimeve të tua (para profecisë), edhe ato të mëvonshmet; që ta plotësojë mirësinë e Tij ndaj teje dhe të të udhëzojë ty në një rrugë të drejtë; që Allahu të të ndihmojë ty me një ndihmë të fortë.”

Kur profeti alejhi selam ka nevojë për fitoren e dhuruar prej Allahut, faljen e gjynaheve, plotësimin e mirësive, udhëzimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë në rrugën e drejtë dhe për ndihmën e tij të fortë, atëherë çfarë duhet të mendojmë për ata që janë nën të prej krijesave?! Pa dyshim, ata janë më të nevojshëm për këtë udhëzim të posaçëm dhe të vazhdueshëm.

Për sa i përket fjalës siratal mustekim – rrugë e drejtë, dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme se çfarë nënkupton ajo. Disa janë të mendimit se ajo është Kurani, të tjerë thonë se ajo është Islami, të tjerë thonë rrugët e shumta të adhurimit.
Të gjitha këto shpjegime për këtë fjalë janë të vërteta, të sakta dhe të pranueshme. Siratul mustekim përfshin atë që u përmend dhe shumë gjëra të tjera.
evoja e njeriut për këtë lloj udhëzimi (të posaçëm, të vazhdueshëm) është jetike dhe e domosdoshme që ai të arrijë lumturinë dhe shpëtimin madje më e madhe se nevoja e tij për rrësk dhe ndihmë. Allahu i lartësuar e furnizon njeriun.
Nëse Ai ia ndalon rrëskun njeriu vdes dhe vdekja është diçka e pashmangshme për të. Ajo do të vijë në mos shpejt vonë. Por nëse atij i është dhënë udhëzimi i posaçëm ai do të jetë i lumtur pas vdekjes së tij.
Vdekja është për të porta që u hap dhe i mundësoi që të përjetojë mirësitë e përgatitura dhe të premtuara për të. Vdekja është porta drejt lumturisë së përjetshme të pa ndërprerë dhe si e tillë ajo është shprehje e mëshirës për të dhe jo diçka e keqe. Po kështu thuhet edhe për ndihmën dhe fitoren që kërkojmë prej Zotit. Ajo nuk është më e rëndësishme se sa udhëzimi.
Sepse nëse njeriu nëse është prej të udhëzuarit dhe të përqendruarit në rrugën e drejtë, edhe nëse Zoti nuk i dhuron fitoren në betejë kundër armikut dhe ai vritet në luftë, ai konsiderohet shehid dhe kjo pa dyshim që është një mirësi e madhe e dhuruar prej Zotit të tij.
Pra, kjo tregon për nevojën e domosdoshme të robit për hidajen (udhëzimin e Zotit të tij) dhe për faktin se nevoja e tij për udhëzim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë është më e madhe se nevoja e tij për rrësk dhe fitore. Madje as që mund të mendojmë ndonjë krahasim mes tyre.
Pikërisht për këtë rëndësi të madhe kjo dua është bërë e detyrueshme për ta.

Pastaj, kjo dua sjell me vete edhe rrëskun dhe fitoren, sepse nëse robit i dhurohet udhëzimi i vazhdueshëm dhe është inkuadruar në siratul mustekim – rrugën e drejtë ai është bërë prej mut-tekinëve (të devotshmëve të cilët i ruajtën kufijtë e Zotit) dhe për ta Zoti ka premtuar: “Kush u përmbahet dispozitave të Allahut (duke u pajisur me takua devotshmëri), Ai i jep atij rrugëzgjidhje për gjithçka dhe e furnizon atë prej nga nuk e llogarit.” (Talak: 23)

Nëse robit i dhurohet udhëzimi i vazhdueshëm dhe është inkuadruar në siratul mustekim – rrugën e drejtë ai është bërë prej muteuek-kilin-ëve; pra prej atyre që i mbështeten Allahut të lartësuar për gjithçka dhe për ta Allahu ka premtuar: “Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin). (Talak: 3)

Nëse robit i dhurohet udhëzimi i vazhdueshëm dhe është inkuadruar në siratul mustekim – rrugën e drejtë ai është bërë prej atyre që ndihmojnë Profetin e Allahut dhe rrugën e tij dhe dihet shumë mirë se ai që ndihmon rrugën e Allahut, Allahu e ndihmon dhe i dhuron atij fitoren, [2] sepse ai është ushtar i Allahut dhe i madhëruari na ka njoftuar se ushtria e tij gjithmonë do të dalin fitimtarë. [3]

Kështu pra udhëzimi i plotë dhe i vazhdueshëm i sjell robit me shumë se thjesht rrëskun dhe fitoren. Më këtë qartësohet se nëpërmjet kësaj duaje arrihet çdo qëllim dhe çdo e mirë si dhe largohet çdo e keqe dhe e dëmshme. Prandaj edhe është bërë farz për robin që të lutet në namaz me të.
Kjo tregon se asgjë nuk mund të zërë vendin e Fatihasë.
Dobia e Fatihasë është shumë më e madhe se sa vlera e sexhdes dhe rukusë, kundrejt veprave të tjera të përuljes dhe nënshtrimit.
Kështu pra, nëse rukuja dhe sexhdeja janë të detyrueshme dhe të pa zëvendësueshme në namaz, atëherë edhe Fatihaja, për më tepër duhet të jetë e tillë. Hamdi qoftë për Allahun Zotin e botëve dhe salauatet dhe selami qoftë për profetin tonë, familjen dhe shokët e tij.

“Mexhmuatul fetaua” vëll. XXII.

Për ta përmbyllur, mund të themi se vërtet atë që Allahu e udhëzon në rrugën e drejtë ai është i udhëzuari, Allahu nuk i bën padrejtësi askujt dhe nëse i lutesh të përgjigjet.

Uthman Agolli