Pyetja:

A lejohet shkuarja në haxhillëk për dikë tjetër, si p.sh. për të vdekurin apo për të gjallin e paaftë?

***

Përgjigjja:

Haxhi për dikë tjetër bëhet në dy raste: nëse personi është i vdekur dhe kur është i gjallë.

Rasti i parë: Nëse personi i cili e ka pasur obligim haxhin nuk ka shkuar vetë në haxh sa ka qenë gjallë, për çfarëdo shkaku qoftë, e pastaj vdes pa e bërë haxhin, atëherë familja e tij nuk e kanë obligim për ta bërë haxhin me bedel për të, përpos nëse ua lë testament para se të vdesë. Në këtë rast shkohet në haxh me paratë e të vdekurit, para se të ndahet pasuria e tij.

Mirëpo nëse të afërmit duan që nga vullneti i lirë dhe dëshira e tyre t’ia kryejnë haxhin dikujt nga të afërmit e tyre të vdekur, për të shkuar bedel për të, mund ta bëjnë pa kurrfarë problemi. E nëse i vdekuri e ka pasur obligim haxhin, por nuk ka shkuar, është e preferuar që të shkohet bedel për të dhe inshaAllah haxhi për të pranohet, ndërsa për të gjallin shënohet sevap dhe respekt për prindin, gjegjësisht të afërmin.

Por duhet pasur parasysh se personi që shkon bedel për dikë tjetër paraprakisht duhet ta ketë kryer haxhin për vete, e pastaj të mund të shkojë bedel për dikë tjetër.

Transmetohet nga Ibën Abbasi r.a. se një grua nga fisi Xhuhejne erdhi te Pejgamberi ﷺ  dhe i tha: “Nëna ime u zotua që ta kryejë haxhin, mirëpo vdiq pa e kryer haxhin. A mund ta kryej unë haxhin për të?” (Pejgamberi ﷺ) Tha: “Po, kryeje haxhin për të! Çka mendon sikur nënës t’i kishte mbetur ndonjë borxh, a do t’ia kishe paguar? Kryeni obligimet ndaj Allahut, se me të vërtetë Allahu është më meritori për plotësimin e obligimeve (ndaj Tij).” [1]

Ndërsa në rastin e dytë, sa i përket shkuarjes në haxhillëk për të gjallin, këtu kushtëzohet që personi për të cilin kryhet haxhi të jetë i paaftë për ta kryer haxhin vetë, si p.sh. njeriu që vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, apo personi i paralizuar që nuk ka shpresë se do të shërohet në të ardhmen, si sëmundja e pleqërisë dhe nuk mund të ecë, nuk mund të qëndrojë ulur etj..

Përcillet nga Abdullah bin Abbasi r.a., i cili thotë: “Fadl bin Abbasi kishte hipur pas shpinës së të Dërguarit të Allahut ﷺ në të njëjtën deve. Në këtë moment erdhi një grua nga fisi Hath’am. Fadli filloi ta shikonte, por edhe ajo e shikonte atë, ndërsa Pejgamberi ﷺ ia kthente Fadlit fytyrën në anën tjetër. Ajo (gruaja) tha:

-O i Dërguar i Allahut! Allahu ua ka bërë haxhin obligim robërve të Vet, kurse babai im është në pleqëri të thellë dhe nuk mund të qëndrojë mbi kafshë, prandaj a mund ta kryej unë haxhin për të? (Pejgamberi ﷺ) Tha: “Po”. Kjo ka qenë në Haxhin e Lamtumirës.” [2]

Në bazë të këtij hadithi mund të konstatojmë se njerëzit që  vuajnë nga sëmundje kronike, si diabeti, tensioni i gjakut, sëmundjet e reumatizmit apo sëmundje të tjera, të cilat nuk ndikojnë drejtpërsëdrejti në fuqinë fizike, por me një mundim dhe angazhim më të madh dhe me ndihmën e vogël të të tjerëve kanë mundësi t’i kryejnë obligimet kryesore të haxhit, ata nuk e kanë të lejuar të dërgojnë bedel për t’ua kryer haxhin.

Në situata të këtilla themi se ka nevojë të bëhet konsultim me hoxhallarë sepse parimisht besimtarët për të gjitha çështjet e fesë duhet të marrin përgjigje prej dijetarëve kompetentë dhe jo të japin vetë mendime e të marrin vendime të pabazuara.

Pra, bedel për të vdekurit bën të shkohet pa problem dhe pa kurrfarë dyshimi, ndërsa për të gjallët vetëm nëse është i paaftë. E nëse është i aftë, ai e ka obligim të shkojë vetë në haxh.

Dijetarët madje kanë thënë se nëse personi është i verbër dhe ka mundësi ta paguajë dikë për shoqërues, apo gjen një shoqërues që e mban për dore, ai e ka borxh të shkojë vetë në haxh. Por nëse nuk mund të lëvizë, atëherë nuk e ka borxh të shkojë vetë në haxh sepse është e rëndë dhe nuk ka mundësi që dikush ta mbajë mbi shpinë tërë kohën.

Desha ta sqaroj këtë sepse jo rrallëherë kemi hasur në njerëz të cilët e kanë kryer haxhin bedel për të afërmit e tyre të gjallë, që në realitet nuk kanë pasur të drejtë, sepse i afërmi i tyre ka qenë në gjendje ta bëjë haxhin vetë, ani pse ndoshta pak me vështirësi, por thjesht pse ka qenë pak i sëmurë, kanë menduar se bën të bëhet haxhi bedel për të. E vërteta është se personi i tillë nuk është bërë haxhi fare dhe se atij i obligohet të shkojë vetë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 1852.

[2] Buhariu, nr. 1513; Muslimi, nr. (1334) 407.