Pyetja:
Kush ishte Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të)?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!): Lindi në vitin 23 para-hixhrik / 600 diellor dhe ndërroi jetë në vitin 40 hixhrik / 661 diellor; bën pjesë tek “Shtresa e Parë” e transmetuesve të Islamit dhe prej tij janë transmetuar 586 hadithe (transmetime profetike).
Emri i tij është (عَلِيُّ بْنُ أَبِي طَالِبٍ بْنِ عَبْدِ الْمُطَّلِبِ) Ali Ibn Ebi Talib Ibn Abdulmutalib, Ebu El-Hasen, nga fisi Hashimi i Kurejshëv, Prijësi i Besimtarëve, kalifi (kryeqeverisësi) i katërt prej Katër Kalifëve të Drejtë të Udhëzuar, dijetari i madh, poeti, hafëzi, njëri prej Dhjetë të Përgëzuarve me Xhenet dhe njëri prej Gjashtëshes Këshillimore që caktoi Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), për Kalifin (Kryeqeveritarin e Shtetit Islam), duke bërë me dije se Profeti ﷺ kishte ndërruar jetë duke qenë i kënaqur me ata të gjashtë.
Ai është dhëndri i Profetit ﷺ (bashkëshorti i bijës së tij Fatimes) dhe bashkë me dy djemtë e tij (Hasanin dhe Husejnin) gëzojnë prestigjin e Ehlu Bejtit, heroi dhe trimi, prej lektorëve më të shquar dhe dijetarëve më të mëdhenj të gjyqësorit, asket i madh dhe i pari person që pranoi Islamin (në ditën e dytë pas Shpalljes, teksa ishte në moshën afërsisht nëntë vjeçare) menjëherë pas nënës së besimtarëve Hadixhes (gruas së Profetit ﷺ).
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e mori udhëheqjen e kalifatit pasi u vra Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në vitin 35 hixhrik. Disa nga sahabët (shokët e Profetit ﷺ) u ngritën në kërkim të kapjes dhe ekzekutimit të vrasësve të Uthmanit, por Aliu iu frikësua trazirës, ndaj e vonoi këtë çështje. Kjo gjë bëri që nëna e besimtarëve Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të mërzitet shumë, e cila u përkrah në këtë qëndrim të saj nga një numër i madh personash përfshirë sahabët (shokët e Profetit ﷺ), ku ndër përkrahësit më kryesorë ishin Talha dhe Zubejri. Konflikti midis këtyre dy kampeve u acarua aq sa midis tyre ngjau Ndodhia e El-Xhemel (në vitin 36 hixhrik).
Rezidenca e kalifatit të Aliut ishte në Kufe (kryeqendrën e Irakut), deri kur ai (në moshën rreth gjashtëdhjetë vjeçare) u vra nga Abdurahman Ibn Mulxhem El-Muradiu (që ishte nga Hauarixhët) me 17 Ramazan të vitit 40 hixhrik në Kufe. Qeverisja e tij zgjati pesë vjet pa tre muaj. Namazin e xhenazes ia fali djali i tij El-Haseni (Hasani), i cili e varrosi atë natën dhe e mbajti të fshehtë vendodhjen e varrit të tij, prandaj varri i Aliut nuk dihet me siguri (nuk ka konsensus mes historianëve muslimanë) se ku ndodhet, por thuhet se ai është në një prej tre vendeve: në Kufe, në Nexhf ose në Taj (qytete të Irakut).
Sa i përket paraqitjes së Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ai ishte ezmer, me sy të mëdhenj dhe me trup e bark të bëshëm, me shtat mesatar që anonte paksa nga shkurtësia, me flokë të dendur paksa të rënë në pjesën sipër ballit dhe me një mjekër që mbushte dy anët e supeve. Atij i lindën 28 fëmijë, 11 djem dhe 17 vajza. Për personalitetin e tij janë shkruar përpilime të shumta.
Allahu qoftë i kënaqur me Aliun!
Allahu e di më mirë.
Dr. Bashkim Aliu