[ad_1]

Download PDF

Lëndët ushqimore që përmbajnë përqindje alkooli

Parashtrimi i çështjes:

Konsumimi i lëndëve ushqimore që kanë në përmbajtje të tyre përqindje të ulët alkooli. Me alkool këtu është për qëllim ai lëng që avullon shpejt, që nuk ka ngjyrë, që ka shije djegëse dhe aromë të njohur; ai përdoret në industrinë ushqimore si lëndë konservuese, larguese e lagështirës, tretëse e disa lëndëve alkaline dhe yndyrore dhe si rezistencë ndaj mpiksjes.

Dispozita e çështjes:

Dijetarët janë të një mendje se është i ndaluar (haram), çdo ushqim (dhe pije) të cilit i janë shtuar lëndë dehëse (alkoolike) si qëllim në vetvete, aq sa përmendet me emrin e saj dhe tregtohet mbi këtë bazë edhe nëse përqindja është e pakët, siç është rasti me disa lloje çokollatash (me liker), pijesh freskuese (dhe energjike) ose tortash, ku gjatë konsumimit të tyre shija dhe aroma e këtyre lëndëve alkoolike është e ndjeshme. Për të tilla ushqime dijetarët nuk kanë mospajtime mes tyre se janë të ndaluara të konsumohen.

Dijetarët nuk janë të një mendje rreth përdorimit të alkoolit në disa produkte ushqimore, kur ai përdoret si tretës i disa lëndëve yndyrore, ose si rezistencë ndaj ngrirjes ose mpiksjes së lëndëve të tjera dhe përdoret në sasi tepër të vogla dhe jo si qëllim në vetvete (që të shijohet) dhe as si pije dehëse. Dijetarët bashkëkohorë për këtë rast janë të ndarë në dy mendime:

Opinioni i parë: lejohet konsumimi i ushqimeve që përmbajnë përqindje të pakët të alkoolit. Ky është rekomandimi i Konferencës Mjekësore i Organizatës Islame të Shkencave Mjekësore, të cilët thonë:

“Lëndët ushqimore në përgatitjen e të cilave përdoret një përqindje e vogël alkooli, si tretës i disa lëndëve, siç janë ngjyruesit, konservuesit, etj. të cilët nuk treten me ujë, lejohet të konsumohen, për shkak të përhapjes së tyre të madhe dhe vështirësisë për t’iu shmangur (umum el-belua) dhe për shkak se pjesa më e madhe e alkoolit të shtuar në to avullon gjatë prodhimit të ushqimit.”[1]

I njëjti opinion kuptohet edhe nga fetvaja e Komisionit të Përhershëm të Fetvasë dhe Studimeve Akademike të Arabisë Saudite, në të cilën thuhet:

“Nëse provohet se disa lëndë ushqimore ose pije përmbajnë alkool që mbetet dhe ndikon te këto lëndë ushqimore, atëherë nuk i lejohet muslimanit t’i konsumojë ato si ushqim dhe pije si dhe për çdo përdorim tjetër. Kjo sepse Allahu i Lartësuar e ka ndaluar pijen dehëse, qoftë në sasi të vogël ose të madhe. Nga Xhabiri përcillet se ka thënë: “Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: Ajo që të deh me shumicë është haram edhe me pakicë.”[2]

Nga kjo kuptohet se, nëse alkooli i shtohet produkteve ushqimore dhe nuk mbetet në to dhe as lë ndikim, atëherë ai nuk ndikon në gjykimin e ushqimit (si i ndaluar).

Argumenti i këtij opinioni:

Sasia e pakët e alkoolit që gjendet në ushqim tretet duke u përzier në një lëng që është në sasi më të madhe, ku nuk ngelet as shije, as ngjyrë dhe as erë prej tij. Me tretje (istihlak) kemi për qëllim faktin që lënda e ndaluar dhe e pisët nëse tretet në ujë ose lëng me sasi më të madhe, aq sa nuk i ngelet as shije, ngjyrë ose aromë, në këtë mënyrë ajo bëhet hallall, siç tregojnë për këtë një pjesë e juristëve islam (fukahave).

 

Opinioni i dytë: nuk lejohet të konsumohen ushqimet dhe pijet, ku gjatë përgatitjes së tyre është përdorur çfarëdo sasie alkooli.

Argumentet e këtij opinioni:

  1. Hadithi që përcjell Xhabiri se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Ajo që të deh me shumicë është haram edhe me pakicë.”[3]
  2. Nga Aishja përcillet se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Nëse sasia e një fereku[4] të deh atëherë edhe një grusht prej asaj pije është haram.”[5]
  3. Përdorimi i alkoolit për tretjen e këtyre vajrave që i japin shije dhe aromë ushqimit është i panevojshëm, sepse ka alternativa të tjera që nuk janë haram, siç e përmendin këtë specialistët.

 

Referencat:

  • Fetvatë e Komisionit të Përhershëm, Fetvaja nr. 20811 (22/153).
  • El-Meuad el-Muharremeh ue nexhise fil Gidha ue deua, Dr. Nezih Hamad.
  • Konferenca Juridike Islame Mjekësore e tetë e Organizatës Islame të Shkencave Mjekësore, e mbledhur në Kuvajt në datat 22-24 /05/1995.
  • En-Neuazil fil et-Imeh, Bedrije el-Harithi, fq. 981-988.

 

Burimi: Enciklopedia e Çështjeve Bashkëkohore (pjesa e ushqimeve, veshjes dhe zbukurimeve) fq. 47-49.

 

[1] Rekomandimet e Konferencës së tetë dhe të dhjetë.

[2] Tirmidhi nr. 1865.

[3] Tirmidhi nr. 1865.

[4] Enë që zë rreth 9.3 litra.

[5] Muslimi nr. 3687, Tirmidhi nr. 1865.

Share

[ad_2]

Burimi