Mbajtja e qenit në shtëpi

199. I nderuar hoxhë! A lejohet të mbahet qeni në shtëpi (jo brenda)?

Përgjigjja: Në parim i ndalohet muslimanit mbajtja e qenit në shtëpi, me përjashtim të atyre rasteve që e lejon Ligjvënësi. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kush mban qen, përveç qenit që është për gjueti apo për të ruajtur bagëtinë, çdo ditë atij i pakësohen dy kirate prej shpërblimeve.”[1]

Dijetarët nuk kanë dhënë një përkufizim të caktuar të kiratit, por në një hadith tjetër thuhet se një kirat është sa mali i Uhudit, një prej maleve në afërsi të Medinës. Me rëndësi është se kirat është diçka e madhe, sasi e madhe. Hadithi ka për qëllim se humb shumë sevape.

Mbajtja e qenve nuk është kulturë apo përparim, siç mendojnë disa muslimanë, të cilët mundohen të imitojnë verbërisht jobesimtarët, sepse qeni është një kafshë e papastër. Pejgamberi [sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka urdhëruar që ena ku ka pirë qeni duhet të lahet shtatë herë me ujë dhe një herë me dhe.

Andaj themi se mbajtja e qenit edhe në oborrin e shtëpisë është e ndaluar nëse nuk ka arsye. Arsyet që e lejojnë mbajtjen e qenve janë përmendur në hadithin e lartpërmendur dhe në hadithe të tjera, e ato janë:

– për gjueti;

– për ruajtjen e bagëtisë;

– për ruajtjen e kullosave dhe të mbjellave.

Këtyre tre rasteve u shtohen edhe raste të ngjashme me këto që kanë nevojë të ruhen prej vjedhjes, si ruajtja e shtëpisë, e depove të mallrave, përdorimi i tyre nga ana e organeve të sigurisë në luftimin e kriminelëve, për gjetjen e lëndëve narkotike, etj..

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 5481; Muslimi, nr. (1576) 61.