Pyetja:

Numri i vogël i pasuesve. I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Asnjë pejgamber ndër pejgamberët s’do të ketë më shumë pasues se unë. Vërtet, midis pejgamberëve do të jetë edhe ai që askush nuk i ka besuar përveç një njeriu”. [1]

***

Përgjigjja:

Imam Muhamed Nasirudin el-Albani e komentoi këtë hadith duke thënë: “Në këtë hadith ka dëshmi të qartë se pasuesit e shumtë apo të pakët s’është kriter vlerësimi që tregon nëse thirrësi është në të vërtetën apo në pavërtetësi. Edhe nëse thirrja e këtyre pejgamberëve (paqja qoftë mbi ta) qe e njëjtë dhe feja e tyre qe një, ata dalluan për sa i përket numrit të pasuesve të tyre. Disa prej tyre patën shumë dhe disa patën pakë, deri në atë masë saqë ndonjëri nuk pati asnjeri që i kishte besuar përveç një njeriu. Madje, ka patur midis tyre që s’kanë patur as një pasues të vetëm!

Ky është një mësim kuptimplotë për thirrësit dhe ata që po thirren në këtë kohë tonën.
Është obligim për thirrësin që ta kujtojë këtë realitet. Ai duhet të qëndrojë një kohë të
gjatë në rrugën e të thirrurit për tek Allahu i lartësuar, dhe nuk duhet t’i kushtojë
vëmendje rrallësisë së atyre që i përgjigjen, ngaqë ai s’ka përgjegjësi përveçse ta përcjellë
qartë porosinë. Dhe, ai ka shembullin më të mirë në pejgamberët e kaluar, të cilët nuk
patën ndokënd me vete përveç një apo dy vetave!

Pra, ai, të cilit i adresohet thirrja, nuk bën të dëshpërohet për shkak të rrallësisë së atyre
që i përgjigjen thirrjes, dhe ai s’bën ta marrë këtë si arsye për të dyshuar në thirrjen për
tek e vërteta dhe kështu ta braktisë besimin në të, e lërë më që ai ta marrë këtë si tregues
për pavërtetësinë e thirrjes me argumentin se askush nuk po e pason këtë thirrës, apo se
vetëm disa njerëz po e pasojnë. Nëse thirrja e tij do të kishte qenë e vërtetë/sinqertë,
shumica e njerëzve nuk do ta pasonin! Allahu i Madhërishëm dhe i Fuqishëm ka thënë:
“Shumica e njerëzve nuk do të besojnë edhe nëse ti e dëshiron këtë”. (Jusuf, 103)

—————

Muslim 1/130