Përgjigjet: Hoxhë Dr. Rasim Haxha
Pyetje: Selam alejkum ue rahmetullah! A lejohet që të kemi dekore të ndryshme në shtëpi, për shembull ndonjë ajet kuranor, emra të Allahut, dhikër e të tjera?
Përgjigje: Ue alejkumus-selam!
Shumica e dijetarëve, pothuajse të katër medhhebet e fikhut, thonë se është mekruh (e papëlqyeshme) të varen ajete kuranore, dhikre dhe emra të Allahut nëpër mure.
Ky është gjithashtu rregulli i përgjithshëm i Sheriatit, sipas të cilit nuk është mirë që muret të zbukurohen së tepërmi – pavarësisht se sot njerëzit jetojnë në luks të madh. Bëhen fasada dhe zbukurime të ndryshme, madje për zbukurimin e mureve sot njerëzit shpenzojnë me mijëra euro; saqë kam dëgjuar se ndonjëherë shifra i kalon edhe 3.000 deri në 4.000 euro vetëm për fasadën, pra për zbukurimet. Në hadithe ka ardhur porosi që të mos zbukurohen muret, sepse as Pejgamberi (alejhis-salatu ues-selam) nuk e ka preferuar zbukurimin e tyre.
Dallimi mes të papëlqyeshmes (mekruh) dhe të ndaluarës (haram)
Edhe dhikri bën pjesë këtu, prandaj dijetarët thonë se varja e tij është mekruh – domethënë nuk është e pëlqyeshme, por nuk është haram. Megjithatë, meqë nuk është e pëlqyeshme, më e mira për myslimanin është që të mos varë dhikër, të mos ngjisë ajete në mur dhe të mos gdhendë ajete kuranore, dhikre apo emra të Allahut nëpër mure.
Kur bën përjashtim ky rregull?
Përjashtim bën vetëm një rast: kur ato vendosen përkohësisht në letër, për shembull në një vend ku sa herë që ulesh ose sa herë që hyn në shtëpi apo në dhomë, i sheh për t’i mësuar më lehtë. Në këtë rast, po, lejohet.
Përndryshe, varja e tyre vetëm sa për dekor – që emrat e Allahut, dhikri apo ajetet kuranore të mbeten thjesht si zbukurim – nuk është pëlqyer nga dijetarët, dhe pikërisht kështu (të thjeshta) duhet të jenë muret e myslimanëve.
Qëndrimi ndaj trendeve të sotme të dekorimit
Mirëpo, nëse dikush vendos ndonjë ajet apo diçka të ngjashme duke qenë se tashmë është bërë trend zbukurimi i mureve, ku disa i zbukurojnë me pamje kafshësh, natyre apo gjëra të tjera, ndërsa dikush që është mysliman praktikant dëshiron t’i zbukurojë me Ajetul Kursinë ose me diçka tjetër atëherë nuk bën haram dhe nuk bën gjynah. Megjithatë, më mirë do të ishte të mos e bënte këtë.




