Pyetja:
Nëse një thesar i fshehur është i mbyllur me amanet si mund të hapet pa u dëmtuar personi i cili do që ta marrë atë dhe pa u dëmtuar edhe thesari gjatë marrjes? Është gjetur një thesar i fshehur në shpellë dhe mendohet se është thesar i vjetër i lënë nga turqit, domethënë që nuk e dimë se kush është pronari. Ky thesar nuk mund të merret dot sepse është i lënë me amanet dhe kush hyn brenda (shpellës së thesarit) del i keqtrajtuar/i masakruar. Kush janë këta që e masakrojnë njeriun që hyn brenda shpellës së thesarit?
Përgjigja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Vetë shprehjet “mbyllja e thesarit të fshehur… në shpellë… me amanet të fortë të lënë prej shumë vitesh… që bëhet në një mënyrë të fshehtë (sekrete)”, “hapja/thyerja/nxjerrja e këtyre thesareve pa u dëmtuar nxjerrësi dhe thesari… sepse kush e tenton këtë del i masakruar… nga ata që mund të jenë xhindet ruajtës/përvetësues të thesarit” dhe ngjashëm me këto; janë një pistë e fortë për mendimin se në këtë rast kemi të bëjmë me botën e errët dhe blasfemike të magjisë së zezë. Muslimani/ja jo vetëm që e ka të ndaluar të kërkojë hollësira mbi botën e magjistarëve/magjisë si p.sh. që të kontaktojë dhe mësoj sesi bëhen/thyhen këto të ashtuquajtura “amanete” të zeza dhe sesi mund të bëhet pakt me xhindet për t’i marrë pa u dëmtuar këto thesare, sidomos nëse me këtë nënkuptohet dorëzimi tek formulat/bota e zezë e xhindëve e magjistarëve dhe bashkëpunimi me to), por për më tepër nuk duhet t’u besojë dhe as jap vëmendje atyre, porse duhet që t’i përgënjeshtrojë ata.
Po kështu, në parim, bazuar në një prej mendimeve të mirëargumentuara të dijetarëve muslimanë, thesari i gjetur (dhe ngjashëm me të prej gjërave të gjetura) në një tokë që nuk ka pronar të caktuar prej njerëzve, i takon pa problem gjetësit të tij, por për këtë thesar duhet të nxirret përpjesa e caktuar.
Ky mendim bazohet në thënien kuranore: “Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë.” dhe në thënien profetike: “Në thesarin e gjetur (paraislamik) keni detyrim të nxirrni 1/5-stën”; ku nga kjo thënie profetike faktohet se Ligjvënësi e ka obliguar gjetësin e thesarit ta nxjerrë 1/5-tën e këtij të fundit, gjë e cila lë të kuptohet se përvetësimi i këtij thesari është i lejuar, me aryetimin se “përderisa Ligjvënësi e ka lejuar përvetësimin e thesarit në fjalë, nuk ka problem që një thesar i tillë të nxirret dhe të pronësohet”.
Po në këtë kontekst, sa i përket thesareve që në gojët e njerëzve qarkullojnë si thesare të përvetësuara nga xhindet dhe të mbrojtura prej këtyre të fundit, në një formë të tillë që ata e sulmojnë ashpër këdo që orvatet t’i marrë këto thesare; është e pakapërdishme që të hiqet dorë prej këtyre thesareve, përderisa Ligjvënësi e ka lejuar përvetësimin e tyre. Por, nëse nxjerrësi i një thesari të këtillë, druhet se në këto thesare gjenden krijesa të dëmshme prej xhindeve, në këtë rast le të bëhet mbrojtja prej xhindeve përmes përmendjeve të Allahut të Lartësuar mbrojtëse nga ligësia e xhindeve dhe duke u bërë shkaqet e domosdoshme të përzënies së tyre (xhindeve).
– Së fundi, do donim të tërhiqnim vërejtjen se:
a. Ndalohet rreptësisht që thesaret e fshehura të groposura, të nxirren përmes përdorimit të xhindeve, muslimanë apo jomuslimanë qofshin këta të fundit, sidomos përmes personave që përdorin formula sekrete (të shkruara apo lexuara) për sjelljen dhe vënien e xhindeve në shërbim të përftimit të këtyre thesareve…
b. Nalohet rreptësisht therja e bagëtive që bëjnë ca njerëz në vendin e thesarit që synohet të nxirret, me qëllim që t’i largojnë (apo të mos dëmtohen nga) xhindet, pasi kjo përbën një haram (veprim të ndëshkueshëm të paligjshëm) të rëndë, i cili mund të arrijë madje deri në rënie në idhujtari!
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi