Përdorimi i shprehjes “Vallahi” dhe betimi në Islam

Pyetje: Gjatë bisedave shpeshherë përdor fjalën “vallahi” (për Zotin). A konsiderohet kjo si betim dhe çfarë duhet të bëj nëse nuk e përmbush atë?

Përgjigje: Nëse një musliman i rritur betohet duke thënë “vallahi” me qëllim për të përforcuar ose theksuar kryerjen ose lënien e diçkaje, si p.sh., “Vallahi nuk do ta vizitoj filanin” ose “Vallahi do ta vizitoj filanin”, dhe më pas nuk e përmbush atë betim, ai duhet të bëjë njërën nga gjërat e mëposhtme:

  1. Lirimi i një skllavi(robi) – Meqenëse në kohën e sotme nuk ka skllevër, kaloni tek opsioni tjetër.
  2. Ushqyerja ose veshja e dhjetë të varfërve – Sasia e ushqimit për çdo të varfër duhet të jetë rreth 1,5 kg nga ushqimi më i zakonshëm në vend, si p.sh. orizi, hurmat, etj. Për veshjen, mjafton një rrobë me të cilën lejohet falja e namazit, si një palë pantallona dhe një këmishë, ose një fustan që mbulon gjithë trupin.
  3. Agjërimi i tre ditëve – Nëse nuk është në gjendje të kryejë asnjë nga opsionet e mësipërme, atëherë duhet të agjërojë tre ditë.

Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ju kërkon llogari (dënon) për betimet tuaja të paqëllimta, por ju kërkon llogari për ato gjëra për të cilat jeni zotuar qëllimisht. E shlyerja tij (betimit të thyer) është ushqimi i dhjetë të varfërve me ushqimin mesatar me të cilin ushqeni familjen tuaj, ose veshja e tyre, ose çlirimi i një skllavi. E kush nuk ka mundësi, le të agjërojë tre ditë. Kjo është shlyerja e betimeve tuaja kur të betoheni (d.m.th. kur t’i theni) dhe ruajini betimet tuaja (mos u betoni shpesh).”  (Kuran, 5:89)

Nëse betohet pa qëllim të qartë për t’u betuar, ky betim nuk konsiderohet si i tillë, dhe nuk ka nevojë për shlyerje. Allahu thotë: “Allahu nuk ju kërkon llogari për betimet tuaja të paqëllimta.”

Nëse betimi përsëritet më shumë se një herë për të njëjtën çështje, mjafton një shlyerje e vetme. Por nëse betimi është për veprime të ndryshme, atëherë duhet bërë shlyerje për secilin veprim. Për shembull, nëse thoni “Vallahi nuk do ta vizitoj filanin”, “Vallahi nuk do t’i flas filanit”, dhe “Vallahi do ta rrah filanin”, dhe nuk i përmbushni asnjërin prej tyre, atëherë duhet t’i shlyeni të gjitha veç e veç.

Shejh Bazi