Pyetja:

Ne mërgimtarët që e kemi nijet dikur me u kthyer në shtëpitë tona në Shqipëri, a përfitojmë nga lehtësimet e udhëtarit apo jo?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi gjithë ata që e pasojnë atë deri në Ditën e Gjykimit.

Ata të cilët janë emigrantë në vende të ndryshme të botës themi se i lejohet atyre që të përfitojnë nga lehtësimet e udhëtarit siç është shkurtimi i namazit, mosagjërimi etj, përderisa ata nuk janë të pajisur me leje qëndrimi dhe me vendbanim, pra janë të pastabilizuar edhe nëse zgjat kjo kohë.

Argumentet për këtë janë të shumta, ndër to:

1. Hadithi i Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë se dolëm me Profetin ﷺ, nga Medina për në Mekë dhe i falte namazet 2 rekate, 2 rekate (namazet që ishin katër rekatëshe) derisa u kthye në Medine. [1]

2. Profeti ﷺ, qëndroi në Tebuk 20 ditë duke e shkurtuar namazin. [2]

3. Profeti ﷺ, qëndroi në Mekë vitin e çlirimit të Mekës 19 ditë duke e shkurtuar namazin. [3]

4. Transmeton Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se shokët e Profetit ﷺ, qëndruan në Ramehurmuz 19 muaj duke e shkurtuar namazin. [4]

5. Është transmetuar nga Ibn Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ka qëndruar në Azerbajxhan 6 muaj duke e shkurtuar namazin, duke falur 2 rekate. [5]

Përfitohet nga hadithet e lartpërmendura se shkurtimi i namazit ka qenë për shkak se ata kanë qenë udhëtarë dhe nuk kanë patur  vendbanim atje dhe kanë qenë të pastabilizuar. Edhe vëllezërit që janë në vende të ndryshme të botës  përfitojnë nga lehtësimet e udhëtarit përderisa janë të pastabilizuar pra nuk kanë leje qëndrimi dhe vendbanim.

Ndërsa ata të cilët janë pajisur me leje qëndrimi dhe me vendbanim nuk përfitojnë nga lehtësimet e udhëtarit, pra nuk futen në gjykimin e udhëtarit; kështu që, nuk e shkurtojnë namazin dhe agjërojnë etj.

Duke ditur që përsa i përket kësaj çështjeje ka shumë mendime në librat e fikhut: disa dijetarë e kanë kufizuar me ditë si: 4, 15, 19 ditë dhe nëse i kalon këto ditë duhet ta falë namazin e plotë dhe të agjërojë. Ndërsa disa dijetarë të tjerë nuk e kanë kufizuar me ditë, por mjafton fakti që ai është udhëtar në një vend dhe e shkurton namazin pa shikuar pajisjen me leje qëndrimi dhe vendbanimin.

Pas studimeve të mendimeve dhe argumenteve të dijetarëve arrita në përfundimin e mendimit që dhashë.

Allahu e di më së miri.

Hariz Allkoçi

————————–

[1] Buhariu, Muslimi

[2] Silsileh Sahiha

[3] Buhariu

[4] Bejhekiu

[5] Ahmedi, Bejhekiu