Pyetja:

Babai im vdiq duke thënë La ilahe il-lAllah, duke i ndihmuar nga gruaja e axhës tim, dmth., nga kunata e tij. Çfarë do të thotë kjo për babain tim?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi Profetin e Tij, Muhamedin, mbi shokët dhe ndjekësit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Përmendja e shehadetit në prani të njeriut që po jep shpirt është një vepër e pëlqyeshme (mustehab), në mënyrë që ai ta mbyllë jetën e tij me fjalën La ilahe il-lAllah dhe që ajo të jetë fjala e tij e fundit pasi të ndahet me këtë botë. Përcillet nga Ebu Seid El-Hudriu se Profeti ﷺ, ka thënë: “Përmendjani të vdekurve tuaj fjalën La ilahe il-lAllah” [1]

Përcillet nga Muadh bin Xhebeli se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Kush e ka fjalën La ilahe il-lAllah fjalën e tij të fundit, domosdo që do të futet në Xhenet.” [2]

Përkujtimi i shehadetit lejohet edhe për njeriun jobesimtar që është në prag të vdekjes, sepse nëse e shqipton atë përpara se të japë shpirt, ajo i bën dobi, edhe nëse ndëshkohet për gjynahet e bëra. Përcillet nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Përmendjani të vdekurve tuaj fjalën La ilahe il-lallah, sepse kush e ka fjalën La ilahe il-lAllah fjalën e tij të fundit, do të futet në Xhenet një ditë, edhe nëse përpara kësaj ka bërë atë që ka bërë.” [3]

Këtë qëndrim e mbështet edhe historia e Profetit ﷺ me xhaxhain e tij Ebu Talibin dhe me djalin e vogël çifut.

Fakti që babai juaj -Allahu e mëshiroftë!- e ka mbyllur jetën me këtë fjalë, tregon se ai ka vdekur besimtar dhe në gjykimin tonë ai meriton të trajtohet si një musliman, pavarësisht veprave që mund të ketë bërë përpara dhe të shpresojmë e të lutemi që Allahu ta bëjë prej banorëve të xhenetit.

Fakti që në prezencë të tij ka qenë kunata e tij, nuk ka asgjë të keqe, madje kjo është një vepër e pëlqyeshme, sepse njeriu që përjeton daljen e shpirtit nuk logjikon dhe nuk i përjeton gjërat si një njeri normal. Rregulli i fikhut thotë: “Kur gjërat vështirësohen, ato tolerohen”, pra në këtë situatë të vështirë që përjeton i vdekuri, prania e kunatës së tij është e tolerueshme, madje ka qenë e domosdoshme kur bëhet fjalë për mbylljen e jetës me fjalën e Teuhidit.

Allahu e di më së miri dhe falënderimet i takojnë vetëm Atij.

Irfan Tota

———————–

[1] Muslimi 916

[2] Ahmedi (21529), Ebu Davudi (3116)

[3] Ibn Hibani dhe Albani e ka vlerësuar të saktë në “Sahih El- Xhamiu”.