Pyetja: Kam një qen të vogël në banesë. Po mendoj t’ia jap dikujt, por kam dëgjuar se edhe kjo është e ndaluar, sepse po i bartim haramin dikujt tjetër. Si duhet të veproj? Nëse ia jap dikujt është gjynah, nëse e mbaj në shtëpi është gjynah cila është më e rëndë?

Përgjigjja: Ekziston edhe një opsion i tretë që nuk është përmendur. Fillimisht, duhet të dimë se qeni nuk bën të blihet. Qeni nuk lejohet të blihet me para sepse nuk konsiderohet mall për t’u tregtuar apo kafshë për të cilën lejohet të shpenzohen para.

Përjashtim bëjnë vetëm qentë që Sheriati ka lejuar të përdoren për punë konkrete, si:

  • Qeni i gjuetisë
  • Qeni i rojës
  • Qentë e policisë ose shërbimeve të ngjashme

Për këto kategori që i kryejnë shërbim të drejtpërdrejtë njeriut, dijetarët kanë diskutuar rreth shitblerjes së tyre. Mirëpo, përveç këtyre rasteve, qeni nuk lejohet të blhet apo të tregtohet. Edhe nëse është blerë me para, ai sërish nuk konsiderohet mall sipas Sheriatit.

A lejohet mbajtja e qenit brenda në shtëpi?

Qeni nuk lejohet të mbahet brenda në shtëpi apo në banesë. Edhe nëse kemi nevojë për të ruajtur shtëpinë (si në fshat apo oborr), ai nuk futet brenda. Qeni duhet ta ketë vendin e vet jashtë, në oborr, ku i ndërtohet një shtëpizë apo kolibë. Kështu është mbajtur qeni historikisht nga myslimanët që kanë pasur nevojë për të.

Pejgamberi ﷺ ka thënë se atij që mban qen në shtëpi (pa nevojë të lejuar), çdo ditë i pakësohet nga një kirat prej sevapeve ku një kirat është llogaritur sa madhësia e malit të Uhudit me shpërblime. Gjithashtu, në shtëpinë ku ka qen nuk hyjnë engjëjt.

Si të veprohet me qenin që e kemi në banesë?

Veprimi varet nga lloji dhe qëllimi i mbajtjes së qenit:

  1. Nëse është qen pune apo roje: Nëse qeni është i stërvitur për të ruajtur apo për të kryer një punë të lejuar, por ne nuk kemi nevojë për të (pasi jemi në banesë), lejohet t’ia japim dikujt që ka nevojë dhe që përfiton prej tij.
  2. Nëse është qen thjesht për qejf apo modë: Nëse mbajtur vetëm për dëshirë, dekor apo trend, atëherë nuk bën as ta mbajmë për vete dhe as t’ia japim dikujt tjetër për të njëjtin qëllim.

Çfarë duhet bërë në këtë rast?

  • Dërgimi në strehimore apo zonë të përshtatshme: Qeni mund të dërgohet në një strehimore kafshësh ose të lihet në një zonë ku ka qen të tjerë (larg vendbanimeve nëse paraqet rrezik), ku mund të jetojë natyrshëm me qentë e tjerë.
  • Ndalimi i mbytjes: Nuk lejohet mbytja e qenit nëse ai nuk është i dëmshëm apo i rrezikshëm për njerëzit. Kafshët nuk mbyten, me përjashtim të pesë kafshëve të dëmshme që janë përmendur në hadith (si qeni i zi tërësisht apo qeni sulmues/armiqësor që paraqet rrezik). Një qen i zakonshëm nuk vritet veç pse është qen.

Strehimi ose lënia e tij në një mjedis të përshtatshëm me qentë tjerë është zgjidhja e drejtë: në këtë mënyrë as nuk bëjmë gjynah duke e mbytur, e as nuk bëjmë gjynah duke ia bartur haramin dikujt tjetër.

Hoxhë Dr. Rasim Haxha

Përgjigjja në video