Pyetja:

Kisha një pyetje rreth asaj që marrim ne mësysh se si duhet te ruhemi prej syrit të keq.  A keni mundësi ndonjë këshillë apo udhëzim?

 

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut,Muhamedin ﷺ,mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nuk ka dyshim se marrja mësysh është realitet. Shumë njerëz i kap syri i keq, i cili sigurisht është një prej sprovave të cilat Allahu ka vendosur të jetë prezent mes njerëzve për urtësi të cilat i di Allahu, sepse në çdo gjë që ka lejuar Allahu të ekzistoje ka urtësi. Megjithatë nga mirësia e Allahut për robërit e Tij dhe nga mëshira që Ai tregon për ta është dhe fakti se Ai ka vendosur për çdo shqetësim, rrugëdalje, për çdo problem zgjidhje dhe për çdo sëmundje shërim.

Profeti ﷺ ka thënë: “Kurohuni, sepse Allahu për çdo sëmundje ka vendosur ilaç, me përjashtim të një sëmundjeje e cila është pleqëria”.[1]
Meqenëse sëmundjet janë trupore dhe shpirtërore, të tilla janë dhe ilaçet dhe mënyra e kurimit.

Kështu që sëmundja nga syri i keq është sëmundje shpirtërore dhe ilaçin e ka të tillë, ndaj dhe ilaçi më i mirë shpirtëror është fjala e Allahut (Kurani) dhe lutjet profetike. Kështu që nëse dikush vuan nga pasojat e syrit të keq ai duhet ta kurojë veten me Kuran dhe lutje profetike. Allahu thotë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët“. (Isra: 82).

Ai që është marrë mësysh lexon suren Fatiha shtatë herë, lexon nga tri herë suren Ihlas, Felek dhe Nas, dy ajetet e fundit të sures Bekare. Po ashtu, nëse e di se kush të ka marrë mësysh, kërkon prej tij që të marrë abdes dhe këtë ujë e mbledh e me të lahesh komplet.

Por, mënyra dhe metoda më e mirë është parandalimi i këtyre sëmundjeve, sepse kjo është më e mirë se kurimi. Një gjë e tille arrihet duke treguar kujdes për dhikrin e mëngjesit, mbrëmjes, lutjet kur del nga shtëpia e kështu me radhë.
Allahun e lusim të na ruaj nga çdo e keqe! Amin!

Bledar Haxhiu

———————-

[1] Ebu Davudi