Pyetje: Para njëfarë kohe pashë në ëndërr veten duke iu lutur Allahut, të Madhëruarit, me një dua të çuditshme dhe të pakuptueshme, dhe përgjigjja erdhi menjëherë dhe, subhanAllah, doli se ajo ishte e vërtetë. Për më tepër, ajo që pashë më preku shumë, kështu që pyeta një nga vëllezërit dhe ai më pohoi se ekziston një emër më i madh i Allahut, nëpërmjet të cilit Allahu bën që të ndodhin gjëra të jashtëzakonshme për atë që i lutet Atij me të, por ai më tha se kjo është diçka që u përket vetëm evlijave të devotshëm dhe nuk është për të gjithë. Ajo që tha më zhgënjeu, sepse prej njëfarë kohe i kam kërkuar Allahut të më mundësojë ta mësoj këtë emër të madh. Prandaj pyetjet e mia janë:
1. A ekziston vërtet një emër më i madh i Allahut me të cilin, nëse i lutet Atij, Ai do të përgjigjet menjëherë?
2. A është ky emri hyjnor nëpërmjet të cilit Allahu do të bëjë që të ndodhin gjëra të jashtëzakonshme për atë që i lutet Atij me të?
3. A u përket vetëm evlijave apo është për të gjithë njerëzit?
4. A më lejohet t’i kërkoj Allahut të më mundësojë ta mësoj këtë emër?
Përgjigje: Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, dhe bekimet dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut:
1. Po, ndër emrat e Allahut, të Madhëruarit, është emri i Tij më i madh, me të cilin, nëse i lutet Atij, Ai përgjigjet dhe nëse i kërkohet me të, Ai jep.
Për këtë janë transmetuar një numër hadithesh autentike (sahih), të cilat i kemi cituar në përgjigjen e pyetjes nr. [146569](https://islamqa.info/en/answers/146569 “The Greatest Name of Allah”).
Dijetarët e Komisionit të Përhershëm për Fetva thanë:
Allahu, i Madhëruari, thotë: “Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj lutjuni Atij me ta dhe largohuni prej atyre që i shtrembërojnë emrat e Tij. Ata do të shpërblehen për atë që veprojnë.” [el-A’raf 7:180].
Dhe Profeti ﷺ ka thënë: “Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra. Kush i mëson ata, do të hyjë në Xhenet.” Njëri prej tyre është emri më i madh, me të cilin, nëse i lutet Atij, Ai përgjigjet dhe nëse i kërkohet me të, Ai jep. Askush nuk e di numrin e vërtetë të emrave të Allahut përveç Tij, të Madhëruarit dhe të Lartësuarit, dhe të gjithë ata janë të bukur.
Përfundon citimi nga Fetvatë e Komisionit të Përhershëm, 2/413.
2. Dijetarët kanë mospajtime lidhur me atë se cili emër i Allahut është më i madhi dhe janë katërmbëdhjetë mendime, të cilat el-Hafidh Ibn Haxheri i ka renditur në Fat-hul-Bari.
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se “Allah” është emri më i madh, siç e kemi përmendur në përgjigjen e referuar më sipër. Kjo është ajo që ka më shumë gjasa të jetë e saktë, e pasuar nga “el-Hajj el-Kajjum” (i Gjalli, i Vetëqëndrueshmi dhe Mbajtësi i gjithçkaje).
Shejkh Ibn Uthejmini, rahimehullah, ka thënë:
Emrat e Allahut, të Madhëruarit, përfshijnë “el-Hajj el-Kajjum” (i Gjalli, i Vetëqëndrueshmi dhe Mbajtësi i gjithçkaje), i cili është emri më i madh i Allahut, me të cilin, nëse i lutet Atij, Ai përgjigjet dhe nëse i kërkohet me të, Ai jep.
Përfundon citimi nga Mexhmu’u Fetaua ue Resail el-Uthejmin, 6/170.
3. E lartpërmendura nuk do të thotë se thjesht duke e ditur emrin më të madh të Allahut dhe duke iu lutur Atij me të, Ai do të bëjë që të ndodhin gjëra të jashtëzakonshme, do të sjellë gjëra të pamundura e kështu me radhë. Përkundrazi, qëllimi është t’i inkurajojë njerëzit t’i kërkojnë Allahut, të Madhëruarit, nëpërmjet emrave të Tij të bukur dhe veçanërisht nëpërmjet emrit i cili përfshin të gjithë emrat e Tij të tjerë.
Prandaj Ibnul-Kajjimi, rahimehullah, ka thënë:
Emri “Allah” përfshin kuptimet e të gjithë emrave të bukur dhe cilësive të larta në tri mënyra.
Përfundon citimi nga Medarixhus-Salikin, 1/32.
Këto tri mënyra janë: përputhja, përfshirja dhe domosdoshmëria.
Meqenëse emri “Allah” është i tillë, lutja drejtuar Atij me këtë emër është më e përshtatshme dhe ka më shumë gjasa të sjellë përgjigje. Pastaj kjo varet nga duaja e lutësit, nga mënyra se si ai e bën atë dhe nga rrethanat e duasë, si për shembull nëse ajo bëhet me sinqeritet dhe përqendrim, nëse nuk e tepron në dua dhe nëse këmbëngul në duan e tij, si dhe nga shkaqe të tjera që sjellin përgjigjen ose pengesa që e parandalojnë atë.
Shih përgjigjen e pyetjes nr. [5113](https://islamqa.info/en/answers/5113 “Why Doesn’t Allah Answer Your Dua?”) për të mësuar më shumë rreth shkaqeve që sjellin përgjigjen e duasë ose pengesave që e parandalojnë atë.
Përgjigjja ndaj duasë mund të jetë vetëm njëra nga tri gjëra: ose Allahu do të shpejtojë t’i japë personit atë që kërkon, ose do t’i ruajë atij një të mirë të barasvlershme me të, ose do t’i largojë prej tij një të keqe të barasvlershme me të.
Shprehja “nëse i lutet Atij me të, Ai do të përgjigjet” nuk do të thotë se lutësit do t’i jepet menjëherë ajo që ka kërkuar. Përkundrazi, çështja është siç u përmend më sipër: ose do t’i jepet ajo që ka kërkuar, ose do t’i ruhet ndonjë e mirë, ose do t’i largohet ndonjë e keqe.
4. Njohja e emrit më të madh të Allahut nuk është vetëm për elitën e evlijave dhe të devotshmëve prej robërve të Tij. Përkundrazi, Allahu mund t’i ndihmojë njerëzit e zakonshëm që të arrijnë dije dhe mund t’u mundësojë disa besimtarëve të veçantë ose njerëzve të tjerë të zakonshëm që të afrohen me Të nëpërmjet kësaj dijeje.
Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk ka mbetur asgjë që t’ju afrojë më pranë Xhenetit ose t’ju largojë nga Zjarri, përveçse ju është shpjeguar.” E transmeton et-Taberaniu në El-Mu’xhem el-Kebir, 1647. E ka klasifikuar si sahih el-Albani në Es-Silsiletus-Sahihah, 1803.
Prandaj, muslimani duhet t’i kërkojë Allahut atë për të cilën ka nevojë, të këmbëngulë në kërkimin prej Tij, të mendojë mirë për Të, të marrë masat që çojnë drejt përgjigjes, të mbështetet tek Zoti i tij dhe të jetë i kënaqur me atë që Ai ka caktuar për të.
Nuk ka asgjë të keqe që personi t’i lutet Zotit të tij dhe t’i kërkojë Atij t’i japë një pjesë të dijes dhe t’i mundësojë t’i lutet Atij me emrin e Tij më të madh dhe t’ia pranojë atë, edhe pse ai duhet gjithashtu t’i lutet Allahut me të gjithë emrat e Tij të bukur dhe të zgjedhë emrat që janë të përshtatshëm për atë që po i kërkon Atij.
Allahu, i Madhëruari, thotë: “Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj lutjuni Atij me ta.” [el-A’raf 7:180]
Dhe: “Thuaj: ‘Lutjuni Allahut ose lutjuni të Gjithëmëshirshmit (er-Rrahman). Me cilindo emër që ta thërrisni Atë, Atij i përkasin emrat më të bukur.’” [El-Isra 17:110]
Es-Sa’diu ka thënë:
Këtu Allahu, i Madhëruari, u thotë robërve të Tij: “Lutjuni Allahut ose lutjuni të Gjithëmëshirshmit (er-Rrahman)”, domethënë, cilindo emër që të zgjidhni, sepse “Me cilindo emër që ta thërrisni Atë, Atij i përkasin emrat më të bukur”, domethënë, Ai nuk ka asnjë emër që të mos jetë i bukur, në mënyrë të tillë që të mos lejohej t’i luteshit Atij me të. Përkundrazi, cilido emër me të cilin i luteni Atij do ta përmbushë qëllimin. Ajo që duhet bërë është t’i luteni Atij për çfarëdo që kërkohet, duke përdorur emrin që është i përshtatshëm për atë nevojë.
Përfundon citimi nga Tefsiri i es-Sa’diut, f. 468.
Prandaj, përqendrohuni në dua, këmbëngulni në kërkim dhe afrohuni tek Allahu nëpërmjet bindjes ndaj Tij dhe përmendjes së Tij. Merrni masat që çojnë drejt përgjigjes dhe shmangni pengesat që e parandalojnë atë. Lutjuni Allahut me emrat dhe cilësitë e Tij dhe Ai do t’i përgjigjet duasë suaj me lejen e Tij dhe do t’ju japë atë që i kërkoni.
Dhe Allahu e di më së miri.
Burimi: islamqa.info / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net




