Pyetja:

Nëse të kap magjia a është e lejueshme të kërkosh ndihmë nga hoxha edhe a mund ta mbash hajmali që ai ta jep edhe nëse ndodh që hoxha shikon me letra edhe aty e sheh që ti ke probleme me magjit a mund të kërkosh ndihmë nga ai?

***

Përgjigja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Lus Allahun, Zotin e Gjithësisë, t’ia lehtësojë hallet çdo muslimani dhe myslimaneje, sidomos ata që janë të sprovuar me magji apo me mësysh, e padyshim se në këtë kohë janë shtuar shumë sprova të tilla.

Të kërkosh ndihmë nga krijesat në ato gjëra që kanë mundësi të bëjnë dhe në hallall është e lejuar, madje ndonjëherë e pëlqyer e ndonjëherë obligim, varet nga gjendja dhe pozicioni i atij që ka nevojë. Argumentet për këtë i ke në Kuran e vetë Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka kërkuar ndihmë prej njerëzve ose ka orientuar për këtë dhe gjykimi për këtë është unanim.

Ndërsa në lidhje me pyetjen tuaj se nëse ky hoxhë punon me Kuran dhe me traditën e Profetit ﷺ ose me atë që kanë bërë të parët tanë të mirë, ose me atë që ka dhënë efekte pozitive prej mjekësie apo mjekësisë alternative, është e lejuar dhe s’ka asgjë. Gjykuesi për këtë është sheriati, nëse veprimet e hoxhës nuk bien ndesh me fenë apo që të ketë diçka që e ndalon, bëhet i lejuar.

Në lidhje me hajmalitë, gjykimi më i drejtë është të ndalohen edhe nëse janë me Kuran, pavarësisht se ka prej dijetarëve që e lejojnë. E gjithë kjo për t’ia mbyllur edhe një herë e mirë rrugën të keqes dhe duke iu përmbajtur tekstit.

Ndërsa në lidhje, pikërisht, me hoxhën në fjalë dhe me konkretisht me pyetjen tuaj, nuk bën. Është e ndaluar të shkosh tek ky hoxhë në asnjë mënyrë. Oj motër, ai nuk qenka tjetër vetëm se një mashtrues dhe fallxhor, ruhu prej tij!

Ju interesohuni për njerëz që janë kompetent për këtë punë, që kanë mbaruar shkollën dhe të jenë diplomuar me të lartën, të paktën që të gjeni zgjidhje për problemet tuaja.

Lus Allahun, Zotin e Gjithësisë, t’ia lehtësojë hallet çdo muslimani dhe myslimaneje, sidomos ata që janë të sprovuar me magji apo me mësysh,  e padyshim se në këtë kohë janë shtuar shumë sprova të tilla.

Imam Dr. Ahmed Kalaja