Pyetja:
A të jetojmë me shpresë?
***
Përgjigja:
Shpresa është besim me plot dëlirësi e pastërti i njeriut në bujarinë e Allahut. Ai, me gjuhën e Profetit që e dërgoi si mëshirë për botët, na e bën kështu të njohur bujarinë e Vet: “O robi im! Për sa kohë që më adhuron Mua, që ke shpresë tek Unë dhe nuk më shoqëron kurrfarë ortaku në adhurim, Unë t’i fal gabimet dhe mëkatet. Edhe në më ardhsh me gabime e mëkate plot sa krejt toka, Unë të pres me falje në po ato përmasa, tregoj mëshirë dhe nuk shqetësohem.” [1]
Allahu thotë se në jetën e besimtarit nuk ka vend për mungesë shprese: “Ty të dhamë sihariqin e së vërtetës, mos u bëj ndër të pashpresët”, thanë. Dhe ai tha: “Përveç të zvetënuarve, kush tjetër e pret shpresën nga mëshira e Zotit?” (Hixhr, 55–56) “Thuaj: O robërit e Mi, që veten e keni ngarkuar me plot gabime! Mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai fal shumë dhe është i Mëshirshëm!” (Zumer, 53)
Fakti se Allahu është i mëshirshëm e i dhembshur, përbën për besimtarin burimin më themelor të shpresës. Në Kuran, besmeleja përmendet 114 herë. Ajo që shprehet nëpërmjet besmelesë është “Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Veç kësaj, Kurani e vlerëson qenien i pashpresë si një lloj dhune që njeriu e ushtron ndaj vetvetes. Natyrisht, te njeriu nuk ekziston vetëm ndjenja e shpresës. Tek ai gjenden edhe frika e mungesa e shpresës dhe shpesh njeriu zhytet në vorbullën e të qenit i pashpresë. Për këtë arsye, në mënyrë që njeriu të mos mbetet në shtjellat e brendshme shpirtërore e mendore, para së gjithash është e nevojshme që të zotërojë një besim të qëndrueshëm, një dorëzim e nënshtrim të plotë ndaj Zotit. Pra, besimi (akide), nënshtrimi (teslim) dhe mbështetja te Zoti (tevekkul) balancojnë ndjenjat e mungesës së shpresës te besimtari dhe e vendosin atë mbi baza të shëndosha.
Profeti Adem (paqja qoftë mbi të!), në një kohë kur qielli iu err, vullneti iu thye dhe shpirti i erdhi në buzë, u shkund me shpresë, tha: “I bëra keq vetes sime.” (Araf, 23) dhe shpëtoi. Ndërsa Shejtani, mungesën e shpresës, gjakun e qelbin që i rridhte prej shpirti i mbajti e i shllapuriti brenda vetes dhe së fundi u mbyt në to.
Një shpirt i dashuruar me ngjyrën që nuk zbehet, me dritën që nuk shuhet e diellin që nuk perëndon, shndrit në agullimin e mëngjesit në një ditë shumëngjyrëshe porsi kopshtet e Parajsës. Tek të tillët rendin diejt në horizonte që nuk njohin errësirë, ndërsa stinët që këmbehen, porsi mahshere panoramash të larmishme e të magjishme, ndjekin paprerë njëra-tjetrën. Apo secili si një pemë madhështore, me shtatin hedhur drejt qiellit e me rrënjë pas rrënjësh zbritur në thellësitë e tokës, nuk ndikohen aspak as prej rreptësisë së borës e të breshrit, as prej uturimës së tufanit e të furtunës. Këto ditë të lidhura me përjetësinë e të mbushura plot me shpresë, si në verë e në vapë, si në të ftohtë e në dimër, mbushin shportat plot fruta dhe vënë, kështu, në vend atë çka pritet prej një të tillë peme madhështore.
Ne, si një njerëzim i tërë, që mbahet e nuk ligështohet, që qëndron e nuk thyhet dhe që nuk e humbet kurrë shpresën, kemi nevojë për udhërrëfyes siç kemi nevojë për bukë, për ujë e për ajër. Ndërsa me ata që e nisin udhën plot zell dhe pasi nuk e gjejnë atë që presin e dëshirojnë, ose bien në honin e mungesës së shpresës, ose nisin të ankohen për Krijuesin, janë milje e milje larg nesh dhe ne jemi milje e milje larg tyre.
Baraspesha mes optimizmit dhe pesimizmit.
Në të emër të vazhdimësisë së besimit e të idealizmit, është shumë e rëndësishme që këto ndjenja të përfaqësohen në masën dhe në drejtimin e duhur. Pasi besimi është tjetër gjë, arritja e ekuilibrit në besim është tjetër gjë dhe kthimi i atij ekuilibri në një baraspeshë të përhershme është tjetër gjë. Së pari, Feja jonë na këshillon rrugën e mesme në çdo kohë e në çdo vend. Zoti i Madhëruar urdhëron e thotë: “Unë ju kam bërë një bashkësi të së mesmes…” (Bekare, 143) Kjo shpreh nevojën e përfaqësimit të një bashkësie që t’u qëndrojë sa më larg që të jetë e mundur të gjitha ekstremeve dhe që edhe në drejtim të mendjes, edhe të ndjenjave, edhe të shpirtit, të përfaqësojë të moderuarën. Kështu, në duatë e ibadetet që kryejmë, duke thënë më e pakta dyzet herë në ditë “Na udhëzo në rrugën e drejtë!” (Fatiha, 6), dëshirojmë prej Zotit të na mbajë në atë rrugë. Për më tepër, jetojmë në një kohë kur ekstremet shpërfaqen kudo e në shkallën më të tepruar. Veçanërisht në një kohë të tillë, pa gëzuar ndihmën e Allahut, është krejt e pamundur që të jetojmë në të drejtën.
Në ditët tona, gjithashtu, është e mundur të bëhet fjalë për mungesën e baraspeshës që vërehet në çështjen e marrëdhënies frikë-shpresë. Shumica e njerëzve që janë në pozitën e udhërrëfyesit për njerëzit, duke i vënë këta të fundit vetëm përballë Parajsës dhe Ferrit, në këto çështje i shtyjnë njerëzit ose në mungesë të plotë shprese, ose në vetëbesim të tepruar. Ndërsa njeriu, nga njëra anë, duhet të sillet me kujdes shumë të madh për të kryer më së miri veprat e veta dhe, nga ana tjetër, duhet të ruajë vetëdijen se asnjëherë nuk do të jetë në gjendje ta falënderojë e lëvdojë sa ç’duhet Zotin e Lartësuar për të mirat që i ka dhuruar dhe se asnjëherë nuk do të jetë në gjendje të shpëtojë vetëm në sajë të veprave të veta. Profeti ynë ka thënë: “Askush nuk shpëton dot me veprën e vet.” Kur sahabët e pyetën: “As ti, o i Dërguar i Allahut?”, ai u përgjigj: “Po… Po të mos jetë për mirësinë dhe bekimin e Allahut, as unë nuk shpëtoj dot.” [2]
Për këtë arsye, mendime si: “E ç’mëkate kam unë? Përkundrazi, unë në këtë moshë kam besuar, kam falur namaz, kam agjëruar… Atëherë Allahu mua nuk më dënon”, janë shprehje e një kryelartësie e mungese respekti ndaj Allahut. Nga ana tjetër, edhe të mendosh më të keqen për veten duke rënë në mungesë shprese e duke rënë në mendime si: “S’ka shpresë për mua! Fundja deri më sot nuk kam bërë kurrfarë të mire. Sido që të jetë, do të shkoj në ferr, prandaj edhe nuk ia vlen të përpiqem më kot!”, përbën një mungesë respekti më vete, një shprehje kryelartësie më vete.
Kështu, për të ruajtur baraspeshën, nuk mjafton vetëm që të besojmë. Në këtë çështje, drejtimi i duhur në adhurimin ndaj Allahut mund të arrihet vetëm nëse njohim shprehjet e sakta në lidhje me besimin dhe nëse i vëmë në zbatim ato. Përndryshe, përcaktimi i drejtimit të duhur si në ndjenja e mendime, ashtu edhe në zgjidhjen e problemeve dhe në arritjen e së drejtës mbetet shumë i vështirë.
Shejh Ibn Baz
——————
[1] Tirmidhiu