Si arrihet te suksesi më i madh kur porosisim për mirë dhe parandalojmë nga e keqja?
***
Përgjigjja:
Në Kuranin Famëlartë, detyra e “udhëzimit për mirë dhe e parandalimit të së keqes” përmendet si veti dalluese e bashkësisë njerëzore më të mbarë. Ajeti fisnik i sures Ali Imran, “Ju jeni populli më i mirë që jeni shfaqur në mes të njerëzve dhe që i udhëzoni ata për të mirë e i largoni prej së keqes.” (Ali Imran: 110) jo vetëm na jep një sihariq në lidhje me këtë pikë, por edhe na rikujton edhe njëherë atë përgjegjësi të lartë e të shenjtë tonën. Duke iu drejtuar zemrave besimtare si bashkëbisedues të Tij të vërtetë, Kurani, Fjala e Mrekullishme, na thotë, “ju jeni dërguar jo vetëm për besimtarët, por për mbarë njerëzimin”. Ju jeni përgjegjës për t’u mësuar njerëzve vlerat e mirëfillta njerëzore. Dhe, ç’është e vërteta, edhe kjo ndjenjë nuk ju ka lindur nga vetja e nuk është fryt i vullnetit tuaj. është Allahu (xh.sh.) që jua ka hapur zemrat kah mbarë njerëzimi, ju ka vendosur në skenë, duke ju përzgjedhur pikërisht ju për ta luajtur skenarin e caktuar prej vetë Atij.
Kësisoj umeti i Profetit Muhamed ﷺ duhet të udhëzojë veç për mirë dhe të përpiqet me çdo mund që të parandalojë të keqen, në mënyrë që t’i dalë zot këtij amaneti që i është vënë mbi supe prej Krijuesit dhe ta kurorëzojë siç duhet këtë detyrë. Në thelb, ky është edhe ndryshimi më i madh që ekziston mes tyre dhe bashkësive të tjera njerëzore.
E urdhëruara si e mirë dhe e ndaluara si e keqe
E urdhëruar është ajo që feja ka urdhëruar për t’u kryer, që mendja e pastër e pranon duke e dashur, ndjenjat e qashtra e pëlqejnë dhe ndërgjegja i hap çdo portë dhe e mirëpret. është shumë i rëndësishëm fakti që ajeti kuranor përmend fillimisht “udhëzimin për të mirë”. Sepse, kësisoj, një besimtar duhet të tregojë një kujdes sa më të madh që ajo që thotë të jetë brenda qerthullit të asaj që është urdhëruar prej Zotit; duhet të nxjerrë në pah më tepër të mirën dhe të bukurën se sa të kthehet në një llafazan të së keqes apo të së shëmtuarës; duhet ta rregullojë mjaft mirë qëndrimin e tij ndërsa kthehet në zëdhënës të tyre, duke u bërë një përcaktues i mirë i asaj se kujt, si dhe në ç’mënyrë do t’i shpjegohet “e urdhëruara si e mirë”.
Kurse e keqe është ajo që feja e ka ndaluar për t’u kryer, mendja e pastër e sheh si të dëmshme, ndjenjat e qashtra e sheh si diçka krejt të pakëndshme dhe ndërgjegja i ka mbyllur çdo portë e nuk e pranon dot kurrsesi. Kësodore, një besimtar duhet që, krahas udhëzimit për mirë, t’i tërheqë e t’i largojë njerëzit prej së keqes, duke u përpjekur me çdo mund për t’i ruajtur ata nga të kthyerit në robër të gabimeve të tyre, prej rënies në rrymat e së panjohurës dhe mbytjes në ujërat e saj të thella. Duhet të përpiqet që ta shpëtojë të padrejtin prej padrejtësisë, duke i treguar atij fytyrën e shëmtuar të saj, të përpiqet që ta shpëtojë të shthururin prej shthurjes, duke i treguar atij fytyrën e mnershme të saj dhe ta shpëtojë mohuesin prej mohimit të tij, duke i treguar atij fytyrën e frikshme të mohimit. E, patjetër, që këtë nuk do ta bëjë veç me fjalë, por, së pari, do të përpiqet që të zgjojë neveri në zemrat e bashkëbiseduesve të tij ndaj bohemes, së keqes apo së shëmtuarës, duke përdorur gjuhën e tij të trupit dhe shpirtit, duke bërë çmos për t’i mbajtur ata sa më larg prej këtyre mëkateve.
Duhet t’i shmanget me çdo çmim të kotës
Vetëm se ndërsa tregon fytyrën e shëmtuar të së keqes, nuk duhet kurrsesi që ta paraqesë atë si të fortë, të fuqishme apo të zbukuruar. Në të kundërt, pa e kuptuar as vetë, do të ketë zgjuar tek bashkëbiseduesit e tij një lloj prirjeje dhe simpatie karshi saj. Bediuzamani i nderuar e jep me këto fjalë paralajmërimin e tij lidhur me këtë çështje: “Përshkrimi i imtësishëm i së kotës i çorodit mendjet e kulluara.” [1] Po, nganjëherë, me mendimin se është duke treguar për të drejtën dhe të vërtetën njeriu nis t’i portretizojë asisoj gjërat e kota saqë mund të zgjojë një ndjesi kureshtjeje dhe zilie njëfarësoj tek bashkëbiseduesi. Dhe ky gabim nuk bëhet vetëm nëpërmjet fjalës së folur. Sepse ashtu siç mund t’i “çorodisë” mendjet e kulluara një ligjërues në xhami apo në një konferencë shkencore të rëndësishme, këtë mund ta bëjë edhe një skenarist a regjizor filmash a telefilmash. Edhe pse ata mund t’ia kenë vënë vetes si synim që t’ia paraqesin të kotën sa më të shëmtuar ndërgjegjes kolektive, pa e kuptuar fare mund të kenë nisur të zgjojnë e të nxisin njëfarë prirjeje drejt atij mëkati te njerëzit me vullnet shumë më të dobët. Kësisoj mund të jenë po ata që nisen për të shprehur të vërtetën me qëllimin për të ndërtuar një mur të fortë mbrojtës rreth saj që i shtyjnë të tjerët kah rrugë të gabuara.
Nuk duhet ta vrasë shpresën
Po ashtu, nëse niseni që t’i shpjegoni gjërat e papëlqyeshme, të këqija dhe të shëmtuara në një mënyrë që do t’ua shuante emocionet njerëzve dhe t’ua kriste lidhjen shpirtërore mes tyre, atëherë do të keni vepruar kryekëput në kundërshtim me urdhrin për t’i paraprirë dhe parandaluar të keqen.
Për shembull, në një situatë të caktuar ju mbërthen një gjendje e trishtuar shpirtërore dhe thoni: “Sa i mungojnë lotët njerëzimit sot. Në asnjë periudhë të historisë së njerëzimit nuk është përjetur një thatësirë e tillë. Bota islame po digjet, po bëhet shkrumb. S’i ka mbetur më krenari, as nder, as kryelartësi, sepse ia kanë shkelur me këmbë, u bë sa kohë. Mirëpo edhe përballë një tabloje të këtillë njerëzve prapë nuk u bën përshtypje, nuk preken. Sikur t’u ndanin vetes dy minuta e të derdhnin disa pika lot. Pse po tregohen kaq dorështrënguar, xhanëm!” Mirëpo, edhe teksa thoni këto, ju duhet të shqetësoheni nëse jeni duke vepruar apo jo drejt duke i shprehur këto mendime. Sepse, kur bën një portretizim të së keqes, njeriu mund të shkaktojë krijimin e një atmosfere që mund të mos jetë e përballueshme për këdo bashkëbisedues, të një atmosfere që mund t’ua trondisë atyre lidhjet e përshpirtshme.
Njeriu mund të jetojë kthime të njëpasnjëshme para-mbrapa edhe kur bën krahasime mes atmosferës tejet të keqe të së tashmes dhe periudhash të tjera që i përkasin të shkuarës.
Të gjitha këto shprehin një të vërtetë. Por, siç e thotë edhe Bediuzamani i nderuar, çdo fjalë e njeriut duhet të jetë e vërtetë. Mirëpo nuk është e drejtë që çdo e vërtetë të mund të thuhet gjithkund. [2] Nganjëherë ju shprehni diçka që mendoni se ashtu është e vërteta. Mirëpo nëse bashkëbiseduesit tuaj nuk kanë kapacitetin e mjaftueshëm dhe horizonti i zemrave të tyre është tejet i ngushtë për ta përkapur të vërtetën e artikuluar prej jush dhe fjalët tuaja i bëjnë ata të bien në pesimizëm, atëherë do t’i kenë shtyrë ata njerëz që të mendojnë se kjo është një gjendje që nuk mund të arrihet më. Kështu, ata që përpiqen t’i shmangin njerëzit prej së keqes me filmat, telefilmat, pjesët teatrale, shkrimet e tyre nëpër gazeta apo me ligjëratat e tyre mund të ndodhë që ndonjëherë të shkaktojnë thyerje të atilla që i trondisin dhe pikëllojnë njerëzit. Pikëllimin e pason thyerja e vullnetit dhe, pas kësaj, vështirë se mund të dilet më lehtë prej kthetrave të pesimizmit.
Nga ky këndvështrim, cilido që do të mbajë një fjalim diku duhet të dijë t’i lexojë mirë ndjenjat e pjesëtarëve të auditorit, të zgjedhë një stil të përshtatshëm të të ligjëruarit, duke i marrë parasysh të gjitha reagimet e mundshme që mund të shfaqen përballë. Sepse fjalët e thëna pa u menduar se si do të reagojnë ata që qëndrojnë përballë, çfarë do të pranojnë dhe çfarë gjëje do t’i kundërvihen, ka gjasa që të japin rezultatin e kundërt me atë që mund të jetë synuar prej ligjëruesit.
Me pak fjalë, urdhërimi për të mirë dhe parandalimi prej së keqes janë dy detyra që kërkojnë një sjellje tejmase të matur. As nuk duhet tepruar duke e përshkruar të kotën më tepër nga ç’mund të jetë e nevojshme, as nuk do treguar dorështrënguar në artikulimin e asaj që është e drejtë dhe e vërtetë.
Njeriu duhet të jetë i dhënë pas së drejtës kur flet
Ndonjëherë, kur flisni për gjëra të mira e të bukura, mund të shpreheni asisoj që të duket sikur të ishit ju vetë burimi i tyre, duke i bërë qejfin edhe egos suaj në këtë mes. Kur, të themi se 99,9 përqind e realizimit të tyre i përket Allahut (xh.sh.). Sepse pjesa që i takon vullnetit të lirë në këtë mes është a s’është veçse një në njëmijë. Ne nuk e mohojmë këtë. Përkundrazi do të binim në të njëjtin gabim me deterministët, duke u rrëzuar në një determinizëm absolut. Megjithatë, nëse ai që përpiqet ta portretizojë të bukurën dhe t’ua paraqesë atë edhe të tjerëve, fillon të ndihet e të sillet sikur të ishte ai heroi i tyre, duke nxjerrë hise edhe për veten qoftë edhe në qerthullin e paanë të imagjinatës, atëherë ai do ta ketë ndotur imagjinatën e tij me njolla të krijimit të idhujve të rremë. Kjo ëndërr e pistë vjen një ditë që zë një vend aq të madhë në përfytyrimet e tij, saqë mund të shkaktojë edhe thyerje të pariparueshme. Mandej ajo prek të menduarin dhe mund të shkaktojë një varg krisjesh edhe në të. Në fund të fundit, një njeri i tillë fillon të artikulojë trajtën më të thjeshtë e të fshehur të hyjnizimit të vetes duke u shprehur me “ne”, “ne”, “ne”, derisa vjen një ditë dhe e shfaq atë haptazi me fjali që të drejtuara nga “unë”, “unë”, “unë”.
Këshillimi duhet të nisë gjithnjë prej vetes
Një tjetër çështje shumë e rëndësishme që këshillat të mund të lënë gjurmë të mira tek bashkëbiseduesit është edhe që ai që i jep t’i jetojë edhe vetë ato. Sepse Allahu (xh.sh.) i drejtohet me këto fjalë Isait të nderuar (a.s.): “O Isa! Këshillo njëherë veten tënde. Nëse ajo ta pranon atë këshillë, atëherë jepua atë edhe të tjerëve. Përndryshe të të vijë turp prej Meje.” [3] Këtu Allahu e ka cilësuar si shfaqje paturpësie karshi vetë Atij dhënien të tjerëve të këshillave që nuk t’i pranon së pari vetja jote. Tani, nëse do të mendojmë se si Allahu ia jep këtë paralajmërim një profeti të madh si Isai i cili jetonte dhjetëfishin e gjithçkaje që thoshte, atëherë ka për t’u kuptuar fare mirë se sa të kujdesshëm duhet të tregon në lidhje me këtë çështje gjithë të tjerët.
Edhe fakti që ne nuk po shpëtojmë dot prej dukjes, nuk po i largohemi dot formaliteteve dhe nuk po kalojmë dot nga forma në përmbajtje është një tjetër çështje e qenësishme që na pengon që të kemi ndikim te njerëzit me ato që themi. Sikur vetëm dhjetëmilionë prej njëmiliard e gjysmë njerëz që përbëhet bota islame të jetonin si myslimanët e Epokës së Lumturisë, çehrja e njerëzimit sot do të ishte krejt e ndryshme. Megjithatë duhet të dimë si të jemi të kënaqur edhe me aktualen, në mënyrë që të mos i humbim të gjitha ato të mira që Allahu (xh.xh.) na ka premtuar: “Nëse falënderoni, Unë do t’jua shtoj mirësitë.” (Ibrahim: 7) Lëvduar e falënderuar qoftë Zoti për gjithë ç’na ka falur!
O Zot! Mos na lër që të jemi mosmirënjohës për mirësitë që Ti na fal dhe mos na privo prej tyre! Faliu gjallëri zemrave tona, duke na bërë ne prej njerëzve të vërtetë! Na fal neve zemra që buçasin çdo çast prej falënderimit, drithërohen në çdo frymë nga frika Jote dhe të luten e të përgjërohen të vetëdijshme për dobësinë dhe kufizimet e tyre!
———————————————-
[1] Letrat, fq. 530 [Farat e së vërtetës, (në një variant në origjinal)
[2] Po aty, fq. 532. (Nga “Farat e së vërtetës”)
[3] Ahmed bin Hanbel, ez-Zuhd, 1/54; Ebu Nuajm, Hiljetu’l-eulija, 2/382.