Pyetje: Kur shikoj një video në ndonjë faqe interneti, sistemi e regjistron automatikisht si të parë nga dikush. Nëse shikoj një video që nuk është e mirë, a konsiderohet kjo vepër e keqe e vazhdueshme apo jo?
Përgjigje: Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, dhe bekimet dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
Ndoshta pyetësi i referohet hadithit që Muslimi e ka transmetuar në librin e tij Sahih, nga Xherir ibn Abdullahu, radijAllahu anhu, i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“… Dhe kushdo që vendos në Islam një praktikë të keqe dhe të tjerët e ndjekin atë pas tij, atij do t’i regjistrohet një barrë mëkati e barabartë me atë të atyre që e veprojnë atë, pa iu pakësuar aspak barra e mëkateve të tyre.”
Ky hadith zbatohet për atë që i përhap veprat e këqija dhe i thërret njerëzit drejt tyre. Atij do t’i rëndojë barra e mëkatit, e barabartë me atë të atyre që e kryejnë atë vepër, deri në Ditën e Kiametit, sepse ai është shkaku që njerëzit ranë në atë mëkat. Prandaj, ai do të mbajë barrën e mëkatit të vet dhe një barrë të barabartë me atë të të tjerëve.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Por ata, pa dyshim, do t’i bartin barrët e veta dhe barrë të tjera bashkë me barrët e veta.” [El-Ankebut, 29:13]
Ibn Kethiri, rahimehullah, ka thënë:
Kjo na tregon se ata që i thërrasin të tjerët drejt mosbesimit dhe humbjes, në Ditën e Kiametit do t’i bartin barrët e veta dhe një barrë të barabartë me atë të të tjerëve, për shkak të njerëzve që i devijuan, pa iu pakësuar aspak barra e mëkateve të këtyre të fundit.
[Fundi i citimit nga Tefsiri i Ibn Kethirit, 6/266.]
Duke u bazuar në këtë, çdokush që i thërret njerëzit drejt humbjes përfshihet në kuptimin e përgjithshëm të asaj që u përmend më sipër. Kjo përfshin edhe rastin e përmendur në pyetje. Kushdo që ka marrë pjesë në prodhimin e asaj videoje të keqe, ua ka dërguar atë të tjerëve ose u ka treguar njerëzve për të dhe mënyrën se si mund ta gjejnë, është ndër ata që kanë vendosur një praktikë të keqe. Ata do ta bartin barrën e mëkatit të vet dhe një barrë të barabartë me atë të atyre që kanë vepruar sipas saj, pa iu pakësuar aspak barra e mëkateve të këtyre të fundit.
Sa i përket atij që vetëm e ka shikuar videon, pa e përhapur atë dhe pa i nxitur të tjerët që ta shikojnë, ai do të bartë vetëm barrën e mëkatit të vet dhe jo atë të dikujt tjetër.
Allahu i Lartësuar thotë: “ …Kushdo që bën diçka, punon për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit…” [El-En’am, 6:164]
Dhe thotë:
“…askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit…” [El-Isra, 17:15]
Ai që vazhdon të kryejë mëkate, edhe nëse janë të vogla, duhet të ruhet, sepse këmbëngulja në një mëkat të vogël e shndërron atë në mëkat të madh. Kryerësi i tij do të pësojë poshtërim dhe do të përballet me pasojat e veprës së vet.
Është transmetuar nga Abdullah ibn Mesudi, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Ruhuni nga mëkatet që konsiderohen të parëndësishme, sepse ato grumbullohen te njeriu derisa ta shkatërrojnë atë.”
I Dërguari i Allahut ﷺ e ilustroi këtë lloj mëkatesh me shembullin e disa njerëzve që ndalen në shkretëtirë dhe u vjen koha për të gatuar. Njëri prej tyre shkon dhe sjell një degë, ndërsa një tjetër sjell një degë tjetër, derisa grumbullojnë shumë degë. Pastaj ndezin zjarrin dhe gatuajnë atë që vendosin mbi të.
E transmetojnë Ahmedi, nr. 3818, dhe të tjerë. Shejh Albani e ka vlerësuar hadithin si hasen (të mirë).
Prandaj, ai që kujdeset për veten duhet të ruhet, që të mos mbledhë dru për zjarrin e Xhehenemit dhe që veprat e tij të këqija të mos ndezin një zjarr të furishëm.
Allahu i Lartësuar thotë: “Eh, sikur të shihje se si engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): “Shijoni dënimin e zjarrit!”
“Kjo është për shkak të asaj që keni bërë me duart tuaja, sepse Allahu nuk është i padrejtë me robërit e Vet!” [El-Enfal, 8:50-51]
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamqa.info / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net



